Flet Korab Sejdiu, kjo është pritja e tij për vizat, por...

Politika

Flet Korab Sejdiu, kjo është pritja e tij për vizat, por...

Nga: N.H Më: 27 janar 2019 Në ora: 15:09
Korab Sejdiu

Si çdo fillim vit tjetër, edhe viti 2019 ka filluar më premtimin për liberalizimin e vizave. Kësaj radhe nuk është i pari i qeverisë së Kosovës, por një premtim i tillë ka ardhur nga kreu i vendit. 

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka komentuar zërat e fundit rreth liberalizimit të vizave. Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se vonesat nga ana e autoriteteve dhe vendeve evropiane janë tejet të padrejta.

“Po si edhe si kam cekur më parë, të gjitha kushtet e vendosura nga BE për Kosovën lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave tashmë janë përmbushur. Në fakt, përveç që kemi përmbushur shumë më shumë kushte se vendet e tjera që veç udhëtojnë lirshëm, ne në fakt qëndrojmë më mirë se ato në shumë aspekte. Rrjedhimisht, vonesat nga ana e autoriteteve dhe vendeve evropiane janë tejet të padrejta, dhe po shpresoj tani pasi është marrë rekomandimi, të mos tej-burokratizohet kjo çështje nga ana e evropianëve, por ta marrin seriozisht këtë nevojë jetike për qytetarët tanë. Përndryshe, do të dalin hipokritë të klasit më të lartë karshi nesh”, ka thënë Sejdiu, për gazetën “Bota sot”. 

 Ai ka thënë se është e vështirë të parashikohet me saktësi afati se kur do të ndodhë liberalizimi.

“Lidhur me afatin, është mirë që më në fund po vetëdijesohet pak sa kjo klasë e papërgjegjshme politike që fatkeqësisht sot udhëheqë me vendin, përfshirë këtu edhe Kryeministrin dhe Presidentin, dhe nuk po japin data. Pasi që topi është tek evropianët, është e vështirë të parashikohet me saktësi afati kur edhe do të liberalizohen vizat”, ka thënë ai.  

Sejdiu ka shtuar se vendi ka aq shumë procese të tjera që po ndodhin aktualisht dhe, që sipas tij, mund të ndikojnë në çështjen e liberalizimit, sa që heziton edhe të shpresojë në këtë drejtim.

“Prandaj, askush nga ne nuk është dashtë dhe nuk duhet të jep data të kota. Unë po shpresoj që brenda 2019-ës të liberalizohen vizat, mirëpo kemi aq shumë procese të tjera që po ndodhin aktualisht dhe që mund të ndikojnë në çështjen e liberalizimit, sa që hezitoj edhe të shpresoj në këtë drejtim. Shto kësaj edhe premtimet e dështuara për liberalizim nga ana e zyrtarëve të BE-së, atëherë, nuk e di se a mund të kemi shpresa të arsyeshme se do të kemi zgjidhje të shpejtë të këtij problemi”, ka shtuar Sejdiu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat