Bashkëpunimi me SHBA-në dhe Brukselin e ndalë agresivitetin e Serbisë

Politika

Bashkëpunimi me SHBA-në dhe Brukselin e ndalë agresivitetin e Serbisë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 janar 2019 Në ora: 16:21
Flamuri i Kosovës dhe i SHBA-së

Parlamentari evropian Eduard Kukan i ka kërkuar BE-së që të bëjë më shumë punë dhe më pak fjalë ndaj Kosovës dhe t'ia rrahë tavolinën sa i përket taksës, pasi Kosova nuk po e heq atë dhe e formoi ushtrinë pavarësisht kundërshtimeve.

Ai i ka rekomanduar Shërbimit evropian për Punë të Jashtme që drejtohet nga Federica Mogherini që të punojnë më shumë e me pak të filozofojnë në bisedime me Kosovën.

“Nuk ka të atillë në BE që t’i bien tavolinës me dorë dhe të thonë: “Mos e bëni këtë!”, thotë Kukan.

Kukan ka vlerësuar se situata në Kosovë “është e tensionuar dhe potencialisht shpërthyese”.

“Të gjithë ne flasim, ata thonë se nuk na kanë dëgjuar, por nuk dëshirojnë të bëjnë asgjë. Dhe çfarë mund të bëjë aty BE-ja?”, pyet Kukan me rastin e refuzimit të Kosovës që ta tërheqë taksën për mallrat serbe dhe boshnjake.

Kukan thotë se sjellja e Kosovës është e njëjtë edhe kur bëhet fjalë për transformimin e FSK-së në Ushtri.

“Të gjithë ne u kemi thënë që mos ta bëjnë atë, duke nisur nga Stoltenbergu (sekretari i NATO-s), kurse ata vazhdojnë. Çfarë do të jetë hapi tjetër? Ne të vazhdojmë që të shpresojmë, e ata të vazhdojnë në mënyrën e vet”, është shprehur ai.

Abazi: Kritika e Kukan-it ishte për Komisionin Evropian dhe posaçërisht për Federica Moghenrinin

Image
Haki Abazi

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kritika e tij ka qenë për Federica Moghenrinin.

“Anëtari i Parlamentit Evropian Eduard Kukan është një ndër njohësit më të mirë që ka Parlamenti Evropian. Kritika e tij për Komisionin Evropian dhe posaçërisht për Federica Moghenrinin është kritike më shumë vend sepse dialogu krejt kozmetike ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit ka bërë që të ketë shumë fjalë dhe interpretime e manipulim të publikut duke shpallur fitore sa herë që kanë dalë nga takimet me deklarata diametralisht kundërthënëse për atë se çka është arritur”, është shprehur ai.

Abazi vlerëson se Kukan e di çka do të thotë të bëhet fjalë pa rezultate dhe se ndihet keq që ai do ta përfundojë karrierën e tij në Parlamentin Evropian.

“Kukan është politikan me përvojë dhe e di shumë mirë se çka do të thotë të bëhet fjalë pa rezultate. Jam i bindur që Kukan ndjehet keq që mund të përfundojë karrierën e tij në Parlamentin Evropian dhe progresi në Ballkan të jetë minimale pikërisht për shkak se është bërë shumë fjalë e punë shumë pak”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

Abdullahu: Taksa nuk mund ta ndal agresivitetin e Serbisë kundër Kosovës

Image
Faton Abdullahu

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, duke folur për deklaratat e Kukan dhe se a po vepron mirë Kosova që nuk po pezullon taksën dhe që ka formuar ushtrinë pavarësisht kundërshtimeve, ka thënë se agresiviteti i Serbisë e ka merituar taksën dhe më shumë, por qeveria po i anashkalon një pjesë të problemeve me ndihmën e qasjes ndaj Serbisë.

“Agresivieti i Serbisë e ka merituar jo vetëm taksën e Kosovës 100% por edhe larg më shumë se kaq. Mirëpo e keqja është se kjo Qeveri një pjesë të problemeve po i anashkalon një pjesë tjetër po i eklipson me ndihmën e kësaj qasje ndaj Serbisë. Duket se shtetndërtimi i kësaj Qeverie është reduktuar në taksën kundër Serbisë. Taksa nuk mund ta ndal agresivitetin e Serbisë kundër Kosovës”, ka theksuar ai.

Abdullahu vlerëson se Serbinë mund ta ndalim në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në dhe zhvillim të brendshëm, që këtë nuk po mund ta bëjë koalicioni PAN me patericën PSD.

“Serbinë e ndalim ne në bashkëpunim me SHBA-të dhe Brukselin dhe sidomos me zhvillim të brendshëm ekonomik dhe demokratizim të qëndrueshëm. Koalicioni PAN plus paterica PSD nuk po mund ta bëjnë këtë”, është shprehur Abdullahu.

Sipas tij, në institucionet tona po interpretohet ndryshe ajo që po na thuhet nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe e gjitha për shkak se ka përçarje klanore, sidomos rreth dialogut me Serbinë.

“Risi e keqe tash sa muaj në Kosovë, konkretisht në institucione tona është se ajo çfarë po na thuhet nga Brukseli dhe Uashingtoni po lexohet dhe interpretohet ndryshe. Kjo po bëhet sepse mosmarrëveshjet tani të kthyera edhe në përçarje klanore dhe të tjera janë bërë pjesë e Koalicionit PAN sidomos rreth dialogut me Serbinë”, ka deklaruar Faton Abdullahu për gazetën “Bota sot”.

Shahu: Kosova ishte e është viktimë dhe jo Serbia

Image
Rexhep Shahu

Në anën tjetër, analisti politik, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Evropës i ka ikur treni dhe se Kosova e ka formuar ushtrinë me përkrahjen e SHBA-së, ndërsa i përket thirrjeve që ta rrahin tavolinën për taksën, ai thotë se ata duhet ta dinë se Kosova ishte viktimë dhe jo Serbia.

"Kosova e formoi ushtrinë me përkrahje amerikane dhe Evropës i ka ikë treni për këtë punë, nuk është tagër i Evropës ushtria e Kosovës, dua të besoj unë. Ndërsa sa i përket thirrjeve që Kosovës t'ia rrahin tavolinën, liderët e Evropës ta dëgjojnë më parë Kosovën dhe të mos harrojnë se Kosova ishte e është viktimë dhe jo Serbia edhe pse Serbia e luan perfekt rolin e viktimës. Unë jam shprehur edhe më parë dhe për mendimin tim Kosova nuk e ka dhënë më të mirën e mundshme të saj në bisedimet me Serbinë, nuk ka dërguar bisedues serioze dhe ka lejuar që të rinisin lojërat politike nga e para edhe pasi është njohur Kosova e pavarësia e saj nga mbi 100 shtete", është shprehur ai.

Shahu vlerëson se formimi i ushtrisë nuk mund të zhbëhet dhe taksa është e negociueshme, por që sipas tij, Kosova do të duhej të bëhej trime dhe të bojkotonte dialogun me Serbinë dhe në Prishtinë të gjithë duhet të jenë njëzëri që të tregohet se Kosova është shtet serioz.

"Formimi i ushtrisë nuk zhbëhet ndërsa taksa ka qenë dhe është e negocueshme. Megjithatë sipas mendimit tim, përjashto lojërat e pista politike për pushtet në Prishtinë, do të duhej që klasa politike të bëhej bllok dhe të bëhej trime. Të bojkotonte bisedimet që ecin zvarrë pasi këto nuk janë bisedime por janë dhënie kohë Serbisë, nervozitet i Evropës dhe fajësim i Kosovës për vonesat. Politika në Prishtinë do të doja të ishte me një zë, nuk bisedojmë kështu nën presion, nuk bisedojmë për gjëra që janë kryer si liria e pavarësia, nuk bisedojmë pa kushte dhe pa garanci të një fuqie mike. Nuk bisedohet për ta mundur Kosovën kur ende nga Serbia vijnë kufoma shqiptarësh. Shqiptarët nuk fitojnë në bisedime pa një ndërmjetës të fortë një shtet mik dhe pa qenë qëndrestare. Nuk do të doja kurrë me bisedime farsë dhe nga individë që nuk përfaqësojnë institucionet sepse japim idenë se jemi jo shtet serioz", ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat