Kirurgët kërkojnë koeficient maksimal të pagave, greva nuk ndalet

Politika

Kirurgët kërkojnë koeficient maksimal të pagave, greva nuk ndalet

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 28 janar 2019 Në ora: 15:35
Greva në QKUK

Po bëhen gati gjashtë javë që kur kirurgët e Qendrës Klinike Universitarë të Kosovës janë futur në grevë me kërkesa të fuqishme, por sipas tyre shumë reale për institucionet e vendit. Ata e konsiderojnë nënçmim pagën 549 euro që e marrin si kompensim për punën që e bëjnë. Ata deklarohen se ndihen të ofenduar që krahasohen me sigurimin e vozitësit e ministrave e zëvendës-ministrave. Së fundi, margjinë me të cilën me një farë forme po krahasohet paga e mjekëve, është marrë ajo e gjyqtarëve dhe prokurorëve e cila e kalon shumë prej 2300 euro, me arsyetimin se rrezikshmëria me të cilën përballen ata gjatë punës, është shumë e lartë.

Koeficienti dhe vlerësimi në bazë të tij është pika në të cilën bazohen kërkesat e kirurgëve.

Ata shprehen të dëshpëruar se si disa profesione që shkollimin akademik nuk e kanë më të gjatë se 4 vite apo 8 semestra vlerësohen me koeficientin 10 për paga, ndërkohë që jo në atë nivel, por shumë më poshtë janë mjekët specialist të kirurgjisë, të cilët përveç shkollimit më të gjatë, mbi supe bartin edhe përgjegjësinë apo peshën e jetës së njeriut.

Gazeta “Bota Sot” ka vizituar QKUK-në, ku ka biseduar me disa mjekë (kirurg) dhe pacient të shtrirë pranë këtij reparti të cilët kanë shpalosur në detaje këtë çështje.

Morina: Kërkojmë rregullimin e koeficientit të pagës

Arbër Morina, i cili njëherit është edhe përfaqësues i tyre në këtë grevë, gazetës tonë i ka thënë se kirurgët e Republikës së Kosovës, bashkë me të gjithë specialistët në Kosovë, përfshirë edhe spitalet regjionale dhe ato para klinike, kohët e fundit me fuqi të jashtëzakonshme edhe me klinikën e ortopedisë në QKUK, si qendër klinike mjaftë e madhe e kirurgjisë, po futen në javën e gjashtë të grevës.

“Greva jonë ka një qëllim të vetëm, rregullimin e koeficientit në pozitën e merituar në këtë shoqëri. Ne rastësisht, për hir të së vërtetës jemi krahasuar me gjyqtarët dhe prokurorët, për faktin që atyre, në këtë shtet iu është rregulluar me rregullore të brendshme, jo me ligj, d.m.th ky shtet ka mundësi me bo gjëra edhe me rregullore të brendshme d.m.th jo me ligj, ngritjen e pagave minimum 2300 euro e sipër”,është shprehur Morina.

Ai ka shprehur revoltën e tij për shkak se ngritja e pagave në Kosovë nuk është bërë asnjëherë me një ligj të caktua.

“Ne duke qenë të qartë dhe këmbëngulës në kërkesën që paga dhe vlerësimi adekuat i një profesioni, duhet të bëhet me ligj,  kemi insistuar me e nxjerrë në pah që edhe ligji i ekzistues, por edhe ky për të cilin po punohet intensivisht, janë ligje të këqija dhe të pa pranueshme. Janë të pa pranueshme sepse në ligjin paraprak, në rregullimin e atij ligji kanë marrë pjesëmarrës njerëz të cilët nuk i njohin problematikat e mjekësisë terciale. Ka shumë mjekë që punojnë nëpër institucione dhe në ministrinë e shëndetësisë, por, asnjëherë nuk ka pasur specialistë tercial, specialistë universitarë. Vetëm ne që jemi të tillë i dimë problemet e QKUK-së në gjene dhe përgjithësisht të shëndetësisë në Kosovë”, ka thënë Morina.

Sipas tij, në ligjin për paga, përkatësisht rregulloren e përcaktimit të një koeficienti në një shtet të caktuar, janë disa kritere bazë se si duhet të bëhet një ligj, se si duhet të përcaktohet një koeficient dhe ato janë: Niveli akademik, d.m.th vitet e shkollimit, përgjegjësia profesionale si dhe rrezikshmëria në punë.

“Duke u bazuar në këtë ligj d.m.th ligjin mbi pagat, atëherë ne e kemi përllogaritur se sa duhet të jetë koeficienti për një mjek specialistë dhe sa duhet të jetë për profesionet tjera në këtë shtet. Sipas kësaj logjike, nëse një gjyqtar apo çfarëdo profesion tjetër që me katër vite shkollim akademik, e meriton koeficientin 10, atëherë ne si kirurg që kemi dymbëdhjetë vite shkollim akademik, i bie se koeficientin duhet ta kemi 30, pra 3 fishi i atyre që me 4 vite e kanë koeficientin 10”, ka potencuar dr. Morina.

Ai e ka quajtur të pavërtetë deklaratën e ministrit të shëndetësisë, se ata kanë kërkuar pagë 4 mijë euro.

“Nëse ne kemi kërkuar koeficientin 10 ku janë të pozicionuar prokurorët, kjo nënkupton që ne e kemi bërë një kërkesë minimale, sepse ne jemi tri herë më të shkolluar se ata. Ju lutem, merrini me rregullimin e ligjit për paga në të gjitha shtetet Slloveni e sipër, të gjitha shtetet kirurgun e vlerësojnë shumë herë më shumë se presidenti i shtetit. Në nuk po kërkojmë lëmosh, por vleresimin dhe pozicionimin që na takon”, ka thënë ai.

Morina po ashtu ka treguar se të enjten i kanë bërë një kërkesë me shkrim komisionit parlamentar për shëndetësi, si institucioni përkatës, i cili ngrit çështjet që kanë të bëjnë me shëndetësinë në parlament.

“Ne i kemi votuar ata, ata janë me profesion mjekë. Ne disa herë e kemi ngritur disa herë këtë problem me ta, por, ata janë munduar ti ikin takimeve me ne, i kemi taku gjysmën prej tyre më para, nesër kemi takim me ta prej orës 09:00, po shpresojmë që kanë me ardhur të gjithë, ku shpresojmë që do të kenë durimin ti dëgjojnë të gjitha shqetësimet tona”, ka theksuar ai.

Image
Dr. Arbër Morina

Aktualisht, Dr. Arbër Morina, ka treguar se kirurgët janë në grevë për elektivën, ndërhyrjet kirurgjike po kryhen dhe nuk rrezikohet jeta e asnjë pacienti.

“Ne i trajtojmë të gjitha rastet emergjente me shumë seriozitet, i bëjmë seleksionimin e rasteve që nuk presin, ndërkohë që ata që presin po shtyhen. Për herë të parë, 20 vite pas lufte, ne kemi një bashkëmendim, një mirëkuptim me pacientët dhe familjarët, ata janë 99% me neve, nuk kami pasur deri tani asnjë konflikt as me pacientët e as me familjarët e tyre, sepse ata e kuptojnë shqetësimin tonë dhe janë 100% me neve”, ka nënvizuar ai.

Rasti i plakut që kërkonte ndihmë e cila nuk i ofrohej, ishte i montuar

Në këtë drejtim, ai ka folur edhe për rastin e të moshuarit që u xhirua teksa rënkonte në korridorin e emërgjencës, duke thënë se i njëjti është 100 % i montuar.

 “Çka mund t`iu them është ajo se, ata që e kanë planifikuar ta montojnë atë rast, kanë qenë të pa shkollë, të pa ditur dhe amatera.  Mënyra qysh e kanë bë, ka qenë në nivelin më të ulët të mundshëm. Ne jemi përgatitur për të gjitha skenat e mundshme që mund të na montohen. Ai plak është marrë në Mitrovicë, është sjellë enkas në klinikën tonë, nuk ka pasur asgjë emergjente, e kemi trajtu, unë personalisht e kam trajtu, ka qenë e orkestruar kundër meje, personi që e ka bërë atë incizim ka me u përballë me ligjin. Emergjenca asnjëherë nuk ka qenë në grevë, aty e ka bërë gabimin ai qytetarë i pa ndërgjegjshëm, sepse nuk e ka ditur se si shkojnë punët në shëndetësi, ai me atë video e ka shpallë në grevë edhe emergjencën, çka nuk ka ndodhë në asnjë moment”, ka deklaruar dr. Arbër Morina për “Bota sot”.

Deputetët e komisionit të shëndetësisë e kuptojnë grevën dhe shqetësimet e mjekëve

Image
Time Kadriaj

Deputetja e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, pjesë e komisionit parlamentar për shëndetësi Time Kadriaj, duke folur për grevën e mjekëve gazetës tonë i ka thënë se, e drejta e grevës është e garantuar me ligji derisa ligji mbi pagat pritet të votohet gjate javes.

“Pagat e mjekëve kanë rritje mbi 100 përqind. Kjo rritje që nga pas lufte nuk ka ndodhur . Me këtë rritje vlerësohet puna e personelit shëndetësorë. Rritja e pagave shkon konform rritjes ekonomike të vendit. Këto janë mundësit buxhetore të buxhetit të Kosoves”, është shprehur Kadriaj.

Nesër pritet që mjekët të takohen me komisionin parlamentarë për shëndetësi dhe me këtë rast deputetja Kadriaj ka thënë se, komisioni ka qenë gjithmonë në gatishmëri për t`i dëgjuar kërkesat e të gjitha grupeve.

 “Komisioni ka prit në takim edhe sindikatën e Shëndetësisë. Kam apel për deputetet e partive opozitare ta përkrahin dhe ta votojnë ligjin e pagave. Besoj se kanë reflektuar dhe do votojnë se me këtë ligj fitojnë të gjitha kategoritë. Përkrahja nuk është me të thëna po me votim!” është shprehur deputetja e grupit parlamentarë të AAK-së”, ka theksuar Kadriaj.

Image
Drita Milaku

Deputetja nga Vetëvendosje në komisionin për shëndetësi, Drita Milaku,  gjithashtu ka folur për “Bota Sot”, duke thënë se greva e mjekëve është e drejt, jo vetëm në aspektin e asaj se sa marrin ata për punën që e bëjnë, por edhe për kushtet tjera përcjellëse për të cilat ka nevojë një specialist kirurg.  

“Mjekët po bëjnë grevë tash e disa jave dhe kërkesat e tyre janë të drejta. Ne i kemi vizituar edhe javë më parë, por takimet mundohemi ti kemi më të shpeshta në mënyrë që ti dëgjojmë kërkesat e mjekëve. E kemi parasysh, kërkesat e tyre nuk janë vetëm pagat, por edhe kushtet e punës besoj duhet të jenë arsye qe ata duhet të kërkojnë më tepër. Gjendja në shëndetësi është shumë e rëndë, andaj si anëtare e komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, ndaj të njëjtin shqetësim me mjekët. Mjekët do të kenë përkrahjen dhe do të përpiqem si anëtare e komisionit të ndihmoj në kontributin tim në komision”, ka përfunduar deputetja Milaku.

Image
Naser Rugova

Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komision, Naser Rugova gazetës tonë i ka thënë se kjo greve duhet të merret me seriozitetin më të madh, sepse ky sektor është tepër i ndejshëm dhe nuk guxon të lihet pas dore.

“Konsideroj që greva e kirurgëve në QKUK duhet të jetë shqetësim serioz jo vetëm për deputetët, por edhe për kryeministrin edhe për deputetët, edhe për ministrin, sepse mungesa e 200 kirurgëve nëpër ordinancat e tyre, kur dihet se zakonisht në QKUK kryhen më se 150-200 operacione shtyhen apo prolongohen, kjo do të thotë një mungesë e madhe për ata pacientë që luftojnë me vdekjen dhe që kanë nevojë për një trajtim adekuat. Kërkesa e kirurgëve është legjitime, ata po kërkojnë kategorizim, vlerësim të punës të shkollimit të tyrë” ka përfunduar deputeti Rugova nga rradhët e LDK-së.

Pacientët të kënaqur me punën e mjekëve

Besart Ademi nga Vushtrria, pacient i trajtuar pikërisht në QKUK ka folur për “Bota Sot”, ku ka treguar se si nga Mitrovica është kthyer për shkak të grevës atje dhe ka ardhur në QKUK ku është shprehur se është trajtuar në mënyrë më të mirë të mundshme.

“Unë së pari kam shkelur në spitalin e Mitrovicës, atje nuk jam marrë në dorë për shkak të grevës dhe kam ardhur në Prishtinë ku më kanë pritur në mënyrë më të mirë të mundshme, e falëderoj jashtë mase Dr. Arbër Morinën i cili menjëherë pasi ka konstatuar sa i nevojshëm është operacioni, më ka marrë në trajtim, më ka operuar dhe tani jam në rehabilitim ku çdo moment po ndihem më mirë”, ka thënë ai.

Dardan Berisha nga Peja, gjithashtu pacient i shtrirë në Kirurgji, ka thënë se është jashtëzakonisht i kënaqur nga mjekët si dhe nga stafi përcjellës i tyre duke shtuar se “Është gjynah që pagat e mjekëve janë kaq të vogla, e disa truproja e shoferë të qeveritarëve e kanë rrogën sa 2-3 mjek”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat