Skepticizëm rreth premtimit për liberalizimin e vizave gjatë qershorit

Politika

Skepticizëm rreth premtimit për liberalizimin e vizave gjatë qershorit

Më: 28 janar 2019 Në ora: 17:50
Ilustrim

Udhëheqësit politikë në Kosovë duhet të tregohen të përmbajtur kur përmendin datat për liberalizimin e vizave, thonë njohësit e integrimeve evropiane.

Sipas tyre, mundësia e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte reale gjatë vitit 2018, por kjo gjë nuk ndodhi për shkak të hezitimit të disa prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Andaj, tani kur presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj zotohen se liberalizimi mund të ndodhë qysh në qershorin e këtij viti, ekspertët e integrimeve tërheqin vërejtjen se liderët mund të përsërisin gabimin e njëjtë që kishin bërë gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, kur kishin premtuar në vazhdimësi datën e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

Drejtori i Institutit EPIK në Prishtinë, Demush Shasha tha për Radion Evropa e Lirë se premtimi i datave, nuk shkon me proceset e tilla, siç është ai i liberalizimit të vizave.

“Gjatë gjithë vitit të kaluar, prej presidentit e deri poshtë, secili zyrtarë publikë ka premtuar se gjatë vitit 2018 do të ndodhë liberalizimi i vizave. Prandaj, mesazhi i parë është se nuk duhet premtuar data sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për një arsye të thjeshtë, sepse nuk është nën kontrollin tonë. Vendimmarrja u takon 27 vendeve anëtare të BE-së dhe askush nuk mund të japë garanci se kjo do të ndodhë edhe kjo është arsyeja pse vetë shtetet e BE-së, veç e veç, por qoftë edhe Këshilli i BE-së si organ vendimmarrës, nuk është duke ofruar datë”, tha Shasha.

Ai tha po ashtu se një prej skenarëve të liberalizimit të vizave mund të jetë edhe vendimmarrja në qershor të këtij viti. Por, që sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në fushën e sundimit të ligjit në vend.

“Të vazhdohet përmbushja e të gjithë 95 kritereve të udhërrëfyesit, me theks të veçantë në kriterin e sundimit të ligjit, respektivisht luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Sepse ende qe dy vjet qysh nga vendosja e këtij kriteri të fundit për liberalizim të vizave, nuk kemi asnjë rast të vetëm me vendim të prerë të gjykatës lidhur me korrupsionin e nivelit të lartë”, tha Shasha.

Ndërkaq, profesori i të Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani, tha për Radio Evropën e Lirë se pritjet e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj që kosovarët të lëvizin lirshëm së shpejti mund të shihen edhe si reale, por sipas tij, një gjë e tillë është tejet e vështirë që të arrihet në qershor, pasi që Bashkimi Evropian këtë vit do t’i ketë zgjedhjet e veta.

“Në qershor të këtij viti, mendoj që është jashtëzakonisht i papërshtatshëm për një arsye shumë të thjeshtë, sepse flasim për një periudhë kur Parlamenti Evropian, një prej organeve vendimmarrëse, do të jetë pa legjitimitet, respektivisht Parlamenti Evropian do të ketë zgjedhjet e veta”, tha Ujkani.

Ai tha po ashtu se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë një ditë, por sipas tij, nuk është mirë që qytetarët sërish të ngarkohen me temën se nga kjo apo ajo datë s’do të ketë më nevojë për viza.

“Nuk mund të themi që nuk do të ketë vendimmarrje BE-ja në atë periudhë, assesi jo, dhe shtetet anëtare në mënyrë të veçantë. Por, që a do të jetë çështja e liberalizimit të vizave temë... personalisht unë dyshoj në këtë çështje se mund të jetë një prej pikavenë agjendën e Bashkimit Evropian në qershorin që po vjen”, theksoi Ujkani.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

Kryeministri i Kosovës, tha gjatë javës së kaluar se ekziston mundësia reale që liberalizmi të ndodhë qysh gjatë qershorit, por siç tha ai, ka një lloj dakordimi me BE-në dhe institucionet e Kosovës që të mos flitet shumë në këtë temë./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat