Krasniqi: Taksa nuk guxon të hiqet pa u plotësuar këto kushte

Politika

Krasniqi: Taksa nuk guxon të hiqet pa u plotësuar këto kushte

Nga: G.B Më: 28 janar 2019 Në ora: 19:56
Ilustrim

Derisa kërkesat për heqjen e taksës shtohen, kryeministri i vendit vazhdon të thotë se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë.

Pavarësisht takimit dhe diskutimit të ekipit nga Kosova me atë të Bosnjës, taksa nuk është hequr, pasi Bosnja ka thënë se nuk mund ta njohë Kosovën, kërkesë kjo që ka qenë e palës nga Kosova.

E sot Haradinaj ka publikuar dokumentin që u ka dërguar ambasadorëve të Quintit dhe BE-së, ku ka cekur pesë pika që duhen plotësuar, në mënyrë që taksa të hiqet.

Image
Faik Krasniqi

Për këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se taksa nuk guxon të hiqet pa u plotësuar kushtet e këtë duhet ta kuptojë BE, Serbia dhe Bosnja.

“BE-ja, Serbia dhe Bosnja do të na marrin seriozisht si shtet kur ne këmbëngulim në të drejtat tona. Taksa nuk guxon të hiqet pa u plotësuar kushte: Serbia t'i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe Kosovën mos ta luftojë dhe pengojë në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, dhe garanci që do të kemi njohje nga Serbia”, është shprehur ai.

Ai thotë se njohja duhet të vlejë edhe për Bosnjën, ndërsa kusht për BE-në duhet të jetë heqja e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Për njohje të shtetit të Kosovës duhet të vlejë edhe për Bosnjën. Shteti boshnjak nuk njeh asgjë që ka vulën e Republikës së Kosovës, kurse në anën tjetër kërkojnë heqjen e taksës. Nuk shkon ashtu. Kurse kushti për BE-në: Qytetarëve të Kosovës t'i liberalizohen vizat sa më shpejt, sepse është e padrejtë që dy milionë qytetarë të Kosovës të ngelin edhe pas dy dekadave të izoluar”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat