Muharrem Nitaj flet për dokumentin e Haradinajt dërguar ambasadorëve, tregon çka po kërkohet

Politika

Muharrem Nitaj flet për dokumentin e Haradinajt dërguar ambasadorëve, tregon çka po kërkohet

Nga: N.H Më: 28 janar 2019 Në ora: 22:10
Muharrem Nitaj

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka publikuar dokumentin që u ka dërguar ambasadorëve të Quintit, dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë.

Lidhur me ketë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me këtë dokument po kërkohet e drejta, të cilën të tjerët e gëzojnë.

Nitaj shton se ndër tjerash në këtë dokument kërkohet që të mos preken kufijtë e vendit, të cilin e kanë njohur krejt shtetet demokratike.

“Ato që janë shkruar në letrën e Kryeministrit, i vlerësoj kërkesa krejt normale dhe të domosdoshme për ne si shtet e si shoqëri. S’po i bimë askujt në qafë. Po kërkojmë ato të drejta të cilat i gëzojnë krejt të tjerët. Të mos preken kufijtë e këtij shteti të cilin e kanë njohur krejt shtetet demokratike; të mos na krijohet një shtet brenda shtetit që na e zë frymën; Serbia të heqë dorë nga agresioni politik e diplomatik që po i bën Kosovës dhe të mos jetojmë në geto por të lëvizim lirshëm si gjithë popujt evropianë! Ky është minimumi që mund të kërkohet”, ka thënë Nitaj, për gazetën “Bota sot”.

Deputeti AAK-së nënvizon se krejt çka është shkruar në atë letër, paraqet një pikëpamje unike edhe të lidershipit por edhe të popullit të Kosovës.

Ndërsa, duke e komentuar deklaratën e kryeparalamentarit Veseli, ai është shprehur se nuk ka asnjë dallim me atë që ka kërkuar Haradinaj.

“E lexova edhe postimin e zotit Veseli dhe nuk pashë asnjë shpërputhje me atë që ka shkruar Kryeministri. E njëjta gjë veç e thënë në forma të ndryshme. Edhe zoti Veseli shprehet i vendosur për karakterin unitar të shtetit, për respektimin e Kushtetutës, për lirinë e lëvizjes e kështu me radhë. I vetmi ndryshim që pashë është propozimi i tij për pezullimin e përkohshëm të taksës, si shenjë e vullnetit të mirë, ndërkaq Kryeministri Haradinaj, për të njëjtën gjë kërkon edhe garanci ndërkombëtare, që nuk ka asgjë të keqe”.

“Ndoshta unë jam gabim, por përpjekja për t’i vendosur në taborre të kundërta Kryeministrin Haradinaj dhe Kryetarin e Kuvendit Veseli, nuk qëndron. Sa i përket prishjes së Qeverisë, për çfarë krejt kundërshtarët politikë dhe jo vetëm, janë duke i fërkuar duart, nuk kam asnjë informatë”, ka përfunduar Nitaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat