Kosova të ketë kujdes nga kompromiset e dhimbshme në dialog

Politika

Kosova të ketë kujdes nga kompromiset e dhimbshme në dialog

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 janar 2019 Në ora: 15:36
Ekipi negociator i Kosovës

“Me këtë dua t`i kujtojë ekipit negociator që duhet të kenë kujdes në çështjet delikate si territori apo ndonjë kërkesë që vendet ku jetojnë serbet të kenë ndonjë mundësi që në një moment të caktuar të shpallin kërkesë për bashkim me Serbinë apo ndonjë statut që do iu bartet pushteti substancial që për Kosovën është atak politik por edhe ekonomik përderisa nuk kërkohet një gjë nga pala serbe për Kosovën Lindore”, ka thënë Mustafë Kadriaj, analist.

Grupi negociator i Kosovës, që kryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti do të takohen të martën në Bruksel, me të ngarkuarën e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.

Në ketë takim, që po cilësohet më tepër si një takim konsultues sesa negociues, është konfirmuar se temë diskutimi do të jetë çështja e të zhdukurve, ndërsa nuk është bërë e ditur se a do të jetë edhe taksa çështje e cila mund të shtjellohet.

Opozita vazhdon ta kundërshtojë ekipin negociues. Sipas tyre, ky ekip mund të quhet si ekip negociator teknik, mirëpo aspak jo si politik.

Ndërsa, njohësit e zhvillimeve në vend konsiderojnë se nga takimi i së martës nuk mund të pritet diçka tjetër, përveç kërkesës së BE-së për largimin e taksës 100 për qind për mallrat serbe.

Hoti: Ky ekip nuk përfaqëson vullnetin e shumicës

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ekipi negociator e ka kuptuar se janë aty për të përligjur pazaret e Presidentit dhe se ky ekip nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve.

“Ekipi Negociator e ka kuptuar se janë aty për të përligjur pazaret e Presidentit, i cili po tallet me ta. Ky ekip nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoti, për gazetën “Bota sot”.

Shefi i GP të LDK-së ndër tjerash nënvizon se vendit nuk mund t’i vije asnjë e mirë nga një ekip i tillë.

Image
Avdullah Hoti

“Në këtë çështje kaq të rëndësishme nuk mund të procedohet kështu, duke krijuar ekip nga njerëz pa legjitimitet, që përfaqësojnë partinë e shtatë në Kuvend, apo që kanë mandate të huaja. Asnjë e mirë Kosovës nuk mund t’i vjen nga një ekip i tillë”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së: Ekipi negociator është teknik dhe aspak politik

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se edhe ky grup negociator po e bënë gabimin e radhës, duke i hedhur poshtë të gjitha të bëmat e deritanishme nga grupet paraprake negociatore.

Image
Ramiz Kelmendi

“Ky grup negociator, si të gjitha grupet e tjera po e bënë gabimin e radhës duke mohuar të gjitha negociatat e deritashme dhe në të njëjtën kohë edhe duke i hedhur poshtë, duke i konsideruar si të pavlefshme, si të papjekura, pra më një përmbledhje duke i quajtur ato me çdo fjalë tjetër jo të mirë”, ka thënë Kelmendi.

Deputeti opozitar me tej nënvizon se ky ekip negociator mund të quhet si ekip negociator teknik, mirëpo aspak politik.

“Ky është një gabim dhe në politikë vlerësohet si i dëmshëm për bisedime në të ardhmen dhe e lënë të kuptohet se duhet të niset nga një zero e re. Andaj ky ekip negociator mund të quhet si ekip negociator teknik mirëpo aspak jo si politik”, ka shtuar deputeti i LDK-së për gazetën “Bota sot”.

Kadriaj: Negocimi i taksës nuk paraqet problem

Analisti politik, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se bisedimet janë vetmja alternativë për Kosovën.

Sipas tij, ekipi negociator duhet të ketë kujdes në çështjet delikate si territori apo edhe ndonjë kërkesë tjetër që vije nga pala serbe.

Image
Mustafë Kadriaj

“Së pari bisedimet janë vetmja alternativë që është patjetër të ulesh, sepse ketë po e kërkojnë miqtë e Kosovës, por jo e lehtë me një palë e cila të ka dëmtuar fizikisht dhe materialisht, që parimisht nuk është e lehtë dhe që vazhdon të kontestojë dhe të minojë shtetësinë e Kosovës. Me këtë dua t`i kujtojë ekipit negociator që duhet të kenë kujdes në çështjet delikate si territori apo ndonjë kërkesë që vendet ku jetojnë serbet të kenë ndonjë mundësi që në një moment të caktuar të shpallin kërkesë për bashkim me Serbinë apo ndonjë statut që do iu bartet pushteti substancial që për Kosovën është atak politik por edhe ekonomik përderisa nuk kërkohet një gjë nga pala serbe për Kosovën Lindore”, ka thënë Kadriaj.

Ai konsideron ngërçi i fundit vetëm çka po e rëndon perspektiven politike dhe ekonomike të Kosovës si shtet.

“Me ketë dua të i kujtojë opinionit dhe disa zërave që nuk ka tema të diskutueshme si nuk e kuptojnë, sillen sikur në gjendje lufte sepse në luftë nuk bisedon, por flet istikami dhe këmba e ushtarit sesa përparon në front, por në bisedime shkon kur ana militarë kryen apo jo punën e vet. Pra duhet të jemi të vetëdijshëm për ndonjë epilog që në disa pika nuk do na pëlqejë nëse arrihet një marrëveshje ndërkombëtare për njohjen e Kosovës si shtet me të drejta të plota, sepse kjo gjendje vetëm çka po e rëndon perspektiven politike dhe ekonomike të Kosovës si shtet”, ka thënë ai.

Në fund, ai thekson se negocimi i taksës për mallrat serbe nuk paraqet problem edhe po të hiqet, pasi sipas tij, kjo e fundit nuk e rrezikon anën politike.

“Mendoj që negocimi i taksës nuk paraqet problem edhe po të hiqet nuk rrezikon anën politike sepse nuk mundemi edhe në pafundësi të sillemi kështu nëse do të reflektonte pala serbe. Mendoj që pala e Kosovës ka çka të kërkon si për zbardhjen e viktimave të luftës, dëmet ekonomike të shkaktuara në luftën e fundit, vetëm duhet të kërkojë nga pala serbe përmes ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian”, ka përfunduar ai.

Burjani: Ende herët të flitet për një marrëveshje finale

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nga takimi i së martës nuk mund të pritet diçka tjetër, përveç kërkesës për largimin e taksës 100 për qind për mallrat serbe.

Image
Blerim Burjani

“Asgjë më pak as më shumë se një kërkesë të BE-së për të larguar taksën 100 për qind, ende nuk ka kurrfarë dialogu Kosovë-Serbi, është faze e parë drejt një faze të ardhshme me kusht se palët zhveshën prej kushteve që i parashtrojnë apo synimeve tjera që mund të pengojnë zgjidhjen finale të dialogut”, ka thënë Burjani.

Tutje, njohësi i çështjeve juridike nënvizon se ende është herët të flitet për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, thekson se normale në këto momente do të ishte pajtimi i palëve për tu angazhuar për një zgjidhje të përhershme.

 “Normal se në ketë moment më e rëndësishme është që  palët të pajtohen se do të angazhohen për një zgjidhje të përhershme. Ende shumë herët të flitet për një marrëveshje, edhe pse ka dyshime se palët gjatë kësaj periudhe shtatë vjeçare të dialogut mund të kenë një letër draft për diskutuar, pra mund të ndodhë, të ekzistojë një draft fillestarë i një marrëveshje përfundimtare, ku palët pajtohen dhe zgjidhin konfliktet dhe integrohen në BE”, ka përfunduar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, kujtojmë se takimi i parë ndërmjet tyre u mbajt javë më parë. Aty u tha se u diskutua për dialogun dhe taksën që Kosova ka vendosur ndaj Serbisë, shkruan gazeta “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat