Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur, derisa ka shtuar se është e mundur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, por jo si rezultat i ndonjë këmbimi territoresh.
Lidhur me atë se sa mund të ketë një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, pasi Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, vlerëson se Haradinaj po mundohet ta mbajë nën kontroll situatën e krijuar me propozimet e Thaçit për korrigjim të kufijve.
“Kryeministri Haradinaj po bën përpjekje të shumta për ta mbajtur situatën në shërbim të situatës mjaft dramatike që është krijuar me propozimet e ndryshme ndër të cilat edhe “korrigjimi i kufijve ”që e ka lansuar Presidenti Thaçi”, ka theksuar ai.
Sipas Zogajt, Haradinaj nuk e ka aspak të lehtë ta mbajë ekuilibrin, por që po shkohet drejt një marrëveshje të domosdoshme.
“Në këtë situatë të ngatërruar them se Kryeministri nuk e ka hiç lehtë të mbaj ekuilibër, por një gjë është e sigurt se gjithçka është duke shkuar kah një marrëveshje e domosdoshme, që do të jetë rezultat i “shkundjes së elefantëve” ku e vlen të investohet edhe nga vogëlsia e udhëheqësve kosovarë që duhet të insistojnë për mbrojtje të identitetit shtetëror, për çka Haradinaj po bën përpjekje mbresëlënëse”, ka deklaruar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.