Haradinaj “mes dy zjarresh”, heqja e taksës ose zgjedhjet e parakohshme

Politika

Haradinaj “mes dy zjarresh”, heqja e taksës ose zgjedhjet e parakohshme

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 30 janar 2019 Në ora: 07:45
Ramush Haradinaj

“Në ketë situatë mendoj se qeveria brenda javës do e heqë taksën, ndryshe rrezikon shumë që PDK-ja të dal nga koalicioni duke i dhënë vetës kredi përpara ndërkombëtarëve, sikur gjoja jemi të vetmit që mund të na besojnë ndërkombëtarët. Gjithsesi nuk besojë se vjen puna deri aty, pasi Haradinaj pikërisht aty edhe ku këmbëngul shumë edhe aty më së lehti heq dorë, duke kujtuar këtu Çakorrin”, ka përfunduar Mehmeti.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ua ka dërguar një letër ambasadorëve të Quintit dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë. Në këtë letër, i pari i Qeverisë së Kosovës ka sqaruar pse e ka marrë vendimin për taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.

I pari i qeverisë së Kosovës, në ketë letër ka shkruar se taksa do të hiqej nëse SHBA-ja dhe BE-ja organizojnë një konferencë, ku do të sigurohej njohja e Kosovës nga Serbia.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas marrjes së hapave praktik për inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare (“Konferenca”) me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur pas plotësimit të rrethanave të përshkruara në paragrafët 2 deri në 5 më poshtë dhe duhet të përfundojë brenda 14 ditëve”, thuhet ndër tjerash në letrën e Haradinajt.

Lidhur me ketë, nga opozita shprehen se është e drejtë e Republikës së Kosovës që të shtojë kërkesa të tilla para se të heqë dora nga taksa.

Ndërsa, nga partia e Haradinajt, konsiderojnë se me këtë dokument po kërkohet e drejta, të cilën të tjerët e gëzojnë, derisa përmendin mos prekjen e kufijve të vendit.

Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend, shprehen se me ketë qasje Haradinaj po rrezikon që PDK-ja të dal nga koalicioni duke i dhënë kësaj të fundit kredi përpara ndërkombëtarëve.

Kurteshi: Është e drejtë që Kosovë ta shtojë kërkesa të tilla

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është e drejtë e Kosovës që të shtojë kërkesa të tilla para se të heqë dora nga taksa.

Image
Ismail Kurteshi

“Nuk është e lehte për tu realizuar, por është e drejtë që Kosovë ta shtojë kërkesa të tilla para se të heqë dora nga taksa, sepse Serbia përherë po kushtëzon, po i shkelë marrëveshjet dhe kush nuk po merret me të. Kurse, me Kosovën e cila e ka bërë një veprim të duhur si shtet sovran dhe i pavarur, të gjithë po merren me ketë thua se Serbia i ka respektuar të gjitha marrëveshjet”, ka thënë deputeti Ismail Kurteshi, për gazetën “Bota sot”.

Ai me tej ka theksuar se kushti më i rëndësishëm është që njihet Kosova nga Serbia, pasi sipas tij, kjo është më së e drejtë.

“Të gjithë po merren me ketë thua se Serbia i ka respektuar të gjitha marrëveshjet, kështu që insistimi që Serbia të lirohet së pari duhet t’i plotësojë disa kushte dhe kushti më i rëndësishëm është që të njihet Republika e Kosovës, pasi që e konsiderojmë të drejtë. Se a do të realizohen këto kërkesa, mbetet të shihet”, ka përfunduar Ismail Kurteshi për gazetën “Bota sot”.

Nitaj: Kërkohet që të mos preken kufijtë e vendit

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me këtë dokument po kërkohet e drejta, të cilën të tjerët e gëzojnë.

Nitaj shton se ndër tjerash në këtë dokument kërkohet që të mos preken kufijtë e vendit, të cilin e kanë njohur krejt shtetet demokratike.

Image
Muharrem Nitaj

“Ato që janë shkruar në letrën e Kryeministrit, i vlerësoj kërkesa krejt normale dhe të domosdoshme për ne si shtet e si shoqëri. S’po i bimë askujt në qafë. Po kërkojmë ato të drejta të cilat i gëzojnë krejt të tjerët. Të mos preken kufijtë e këtij shteti të cilin e kanë njohur krejt shtetet demokratike; të mos na krijohet një shtet brenda shtetit që na e zë frymën; Serbia të heqë dorë nga agresioni politik e diplomatik që po i bën Kosovës dhe të mos jetojmë në geto por të lëvizim lirshëm si gjithë popujt evropianë! Ky është minimumi që mund të kërkohet”, ka thënë Nitaj, për gazetën “Bota sot”.

Deputeti AAK-së nënvizon se krejt çka është shkruar në atë letër, paraqet një pikëpamje unike edhe të lidershipit, por edhe të popullit të Kosovës.

Ndërsa, duke e komentuar deklaratën e kryeparalamentarit Veseli, ai është shprehur se nuk ka asnjë dallim me atë që ka kërkuar Haradinaj.

“E lexova edhe postimin e zotit Veseli dhe nuk pashë asnjë shpërputhje me atë që ka shkruar Kryeministri. E njëjta gjë veç e thënë në forma të ndryshme. Edhe zoti Veseli shprehet i vendosur për karakterin unitar të shtetit, për respektimin e Kushtetutës, për lirinë e lëvizjes e kështu me radhë. I vetmi ndryshim që pashë është propozimi i tij për pezullimin e përkohshëm të taksës, si shenjë e vullnetit të mirë, ndërkaq Kryeministri Haradinaj, për të njëjtën gjë kërkon edhe garanci ndërkombëtare, që nuk ka asgjë të keqe”.

“Ndoshta unë jam gabim, por përpjekja për t’i vendosur në taborre të kundërta Kryeministrin Haradinaj dhe Kryetarin e Kuvendit Veseli, nuk qëndron. Sa i përket prishjes së Qeverisë, për çfarë krejt kundërshtarët politikë dhe jo vetëm, janë duke i fërkuar duart, nuk kam asnjë informatë”, ka përfunduar Nitaj.

Mehmeti: Qeveria brenda javës do e heqë taksën

E, analisti politik, Faton Mehmeti, duke e komentuar dokumentin e kryeministrit Haradinaj, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kërkesat e të parit të Qeverisë janë të duhura, por realizmi i tyre konsideron se është shumë i vështirë të ndodhë.

“Tashmë po shihet se Kosova nuk ka rrugë tjetër, pos heqjes së taksës, andaj është krejtësisht e kuptueshme dhe e arsyeshme që të përfitohet diçka nga kjo taksë. Kërkesat e Haradinajt janë të duhura, por, realizmi i tyre duket shumë i vështirë, e që le për të nënkuptuar se Qeveria do të detyrohet të heqë taksën edhe paplotësimin e asnjë prej këtyre kërkesave”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, nëse Haradinaj vazhdon me këmbëngulje të mos e heqë taksën rrezikohet vendi të shkojë në zgjedhje.

Image
Faton Mehmeti

“Nëse kryeministri vazhdon me këmbëngulje mos të heq taksën rrezikohet vendi të shkojë në zgjedhje, duke pasur parasysh edhe grevat në anën tjetër. Në mes këtyre dy rrugëve personalisht mendoj se Haradinaj i ka bërë kalkulimet mirë dhe nuk ka guximin për të hyrë në zgjedhje, pasi e di shumë mirë se postin e kryeministrit nuk e sheh dot me sy”, ka thënë ai.

 Krejt në fund, analisti politik thekson se me ketë qasje, AAK-ja rrezikon që partia e Veselit të dal nga koalicioni, duke i dhënë kështu vetës kredi përpara ndërkombëtarëve.

“Në këtë situatë mendoj se qeveria brenda javës do e heqë taksën, ndryshe rrezikon shumë që PDK-ja të dal nga koalicioni duke i dhënë vetës kredi përpara ndërkombëtarëve, sikur gjoja jemi të vetmit që mund të na besojnë ndërkombëtarët. Gjithsesi nuk besojë se vjen puna deri aty, pasi Haradinaj pikërisht aty edhe ku këmbëngul shumë edhe aty më së lehti heq dorë, duke kujtuar këtu Çakorrin”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat