Marrëveshja finale me Serbinë, kjo është mënyra e vetme si të kontrollohet Thaçi

Politika

Marrëveshja finale me Serbinë, kjo është mënyra e vetme si të kontrollohet Thaçi

Nga: G.B Më: 30 janar 2019 Në ora: 22:20
Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është e mundur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, por jo si rezultat i ndonjë këmbimi territoresh.

Por, Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës, për çka Haradinaj ka thënë se nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Lidhur me atë se sa mund të ketë një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, pasi Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se edhe pse dialogu udhëhiqet nga Thaçi, ai nuk mund të bëjë marrëveshje personale, pa u miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Image
Imer Mushkolaj

“Dialogu udhëhiqet prej presidentit, por presidenti nuk mund të arrijë marrëveshje personale për korrigjimin e kufijve. Ai duhet ta prezantojë në bisedime një platformë politike, të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Unë besoj se vetëm në këtë formë ai mund të kontrollohet dhe të mos i krijohet mundësia që ai eventualisht të arrijë një marrëveshje, e cila mund të jetë e dëmshme për Kosovën”, është shprehur Mushkolaj.

Ndërsa, sa i përket taksës, ai thotë se ekipi negociator dhe opozita duhet të jenë më të kujdesshme.

“Në anën tjetër, sa i përket taksës, taksa nuk është problem për dialogun, por Serbia po e kushtëzon dialogu me heqjen e taksës, kështu që edhe ekipi negociator, por edhe opozita krahas perspektivave, duhet të jenë të kujdesshme që të kontribuojnë që marrëveshja, e cila do të mund të arrihet, të sillet në Kuvend për tu votuar të mos jetë në dëm të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Mushkolaj thotë se presidenti nuk e ka mundësinë e para disa muajsh për idenë e korrigjimit të kufijve dhe që të mos arrihet marrëveshja, duhet të kujdeset ekipi negociator dhe i gjithë spektri politik, që kur të vie në Kuvend marrëveshja që përfshin korrigjimin e kufijve, të mos votohet.

“Tashmë presidenti nuk e ka, të them mundësinë që e ka pasur para disa muajsh, kur e ka përmendur idenë e ndërrimit të territorit ose të korrigjimit të kufijve dhe kjo është një e mirë, pra ai mund të diskutojë për korrigjimin e kufijve por është çështje tjetër nëse mund ta arrijë një marrëveshje. Që kjo marrëveshje të mos arrihet, duhet të kujdeset gjithë ekipi negociator dhe gjithë spektri politik. Në momentin kur të vijë marrëveshja në Kuvend, marrëveshje nënkupton edhe korrigjimin e kufijve, atëherë ajo duhet të hidhet poshtë dhe assesi të mos votohet”, ka deklaruar Imer Mushkolaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat