“Vendosja e taksës një grusht Serbisë, Kosova pa Amerikën rrezikon veten”

Politika

“Vendosja e taksës një grusht Serbisë, Kosova pa Amerikën rrezikon veten”

Nga: G.B Më: 30 janar 2019 Në ora: 23:27
Ilustrim

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë, ku shqiptarët përfitojnë, përveç nëse Serbia detyrohet nga Amerika.

“Asnjë marrëveshje nuk mund të arrijnë shqiptarët me Serbinë nëse nuk i bie 10 herë më mirë Serbisë se sa shqiptarëve. Asnjë marrëveshje fituese nuk mund të arrijnë shqiptarë me Serbinë, nëse nuk detyrohet Serbia prej Amerikës. Çdo lojë tjetër apo kalkulim është për konsum brenda shqiptar, për konsum në kafenetë e Prishtinës e në selitë e partive e zyrave të veteranëve të Kosovës”, ka vlerësuar Shahu.

Sipas tij, taksa është grusht ndaj Serbisë, por Kosova do të tërhiqet për shkak të kërkesës së SHBA-së, derisa shton se këtë vit nuk beson se do të ketë marrëveshje me Serbinë sipas ëndrrës së Haradinaj.

Image
Rexhep Shahu

“Vendosja e taksës është një grusht Serbisë por nëse amerikanët janë kundër, Kosova tërhiqet pasi Kosova pa Amerikën rrezikon veten. Të gjithë duhet ta dinë se Kosova ka mbijetuar edhe nën pushtim 80 vjeçar apo shekullor serb dhe 20 vjet ka që jeton në liri. Mjeku i famshëm francez i Enver Hoxhës në një intervistë në radio pati thënë se po, Enver Hoxha e çliroi Shqipërinë prej armiqve por jo popullin shqiptar. E njëjta gjë po duhet thënë për komandantët e Kosovës që kaçabuhen për dite si heronj mbi heronj se vërtetë disa kanë luftuar për lirinë e Kosovës por jo për lirinë e popullit të Kosovës pasi ky popull po kërcënohet përditë prej serbëve. Shkurt, unë nuk besoj se brenda këtij viti do të ketë marrëveshje me Serbinë sipas ëndrrës së Haradinajt me taksë apo marrëveshje me Serbinë pa këmbime territoresh apo me këmbime territoresh”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat