Kosova po rrëshqet në një udhëkryq të rrezikshëm

Politika

Kosova po rrëshqet në një udhëkryq të rrezikshëm

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 31 janar 2019 Në ora: 08:03
Ramush Haradinaj

Vendosja e taksës 100% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ishte një ndër vendimet të cilat i shkaktuan dëme të mëdha këtyre dy vendeve. Po ashtu, ky vendim për këtë tarifë ndaj këtyre dy vendeve fqinje kishte përkrahje të madhe nga qytetarët e Kosovës.

Por, ky vendim i Haradinajt nuk ka gjetur mbështetje nga aleati më i madh i Kosovës, nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës, bile nga ky vend është kërkuar heqja e kësaj tarife ndaj Serbisë dhe Bosnjës.  

Përmes një deklarate zyrtare Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që të bëhet pezullim i menjëhershëm i tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnia.

Po ashtu në deklaratën për media nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë thuhet se  është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e Dialogut.

“Thërrasim hisedarët nga Kosova dhe tjerët nga rajoni që të tregojnë përkushtim ndaj normalizimit; paqes dhe stabilitetit rajonal; dhe ndaj lëvizjes nëpër shtegun drejtë integrimit evropian. Ne ritheksojmë pikëpamjen tonë se një pezullim i menjëhershëm i tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnia është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e Dialogut. Presim edhe nga hisedarët tjerë të ndërmarrin masat e tyre konstruktive”, thuhet në  deklaratën e SHBA-ve.

Këtë gjë po e kundërshton kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, i cili këmbëngul që nuk do të hiqet taksa deri sa të njohët pavarësia e Kosovës nga këto dy vende fqinje.

Ky kundërshtim i Haradinajt po shihet si një problem i cili mund t`i acaroj marrëdhëniet e Kosovës me shtetin mikë të vendit, SHBA-në

Haziri: Përkeqësimi i raporteve me SHBA vetëm sa do ta thellojë krizën

Image
Ismet Haziri

Njohësi i çështjeve politike, Ismet Haziri , në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se Kosova ka probleme të shumta, por problemi i acarimit të marrëdhënieve me SHBA-në ka ardhur në mungesë të vullnetit të zgjidhjeve të problemeve  tjera.

“Gjithçka është problem në Kosovë, pasi asgjë nuk është zgjidhur si duhet dhe as nuk është vënë në vendin e duhur, por vetëm sa të këqijat përsëriten, rriten dhe shtohen ato. Probleme  janë të shumta, tani na duhet edhe problem i acarimit të raporteve dhe marrëdhënieve me SHBA, duke u marr me masa popullsite  në mungesë të vullnetit dhe kreativitetit të zgjidhjes së problemeve  tjera si janë; problem ligji, drejtësia, krimi; problem shkollat dhe universitetet; problem kultura, shëndetësia, mjedisi e territori; papunësia dhe varfëria; problem mirëqenia, pensionet, ndihma sociale; problem plehrat, ndotja, ekomafia dhe mbiproblem korrupsioni e narkomafia; problem europian eksodi,  dhe nuk e di se çfarë nuk është problem apo cili problem është zgjidhur si duhet në Kosovë?”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Haziri mendon se raportet më ShBA-të do të thellojë krizën dhe do ta bëjë udhëkryqin sa ma të rrezikshëm.

“Pra  Kosova edhe ashtu ka pasur krizë dhe ka qenë në udhëkryq edhe tani  eventualisht  përkeqësimi I raporteve me SHBA vetëm sa do ta thellojë krizën dhe do ta bëjë udhëkryqin sa ma të rrezikshëm. Konsiderojë se masat, ndajë produkteve  serbe e kanë arritur efektin e vetë politik, popullist dhe pak ekonomik, por nuk e kanë zgjedhur problemin e krizës dhe udhëkryqin e  brendshëm që kemi”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Kosova, peng i luftës për pushtet

Ai është shprehur se Kosova duhet të veprojnë tani sepse kanë edhe përkrahjen e SHBA-ve, dhe se pa ndihmën e tyre nuk dalin dot nga udhëkryqi në të cilët politikanët po e mbajnë vendin.

“Kosova është në udhëkryq sepse atë e mban peng lufta e egër politike vetëm për pushtet, si për ta mbajtur ashtu edhe për ta fituar atë, vetëm me synim për përfitime e privilegje personale, nepotike, familjare dhe klanore; Kosova në udhëkryq prej politikës krejtësisht të papërgjegjshme dhe të painteresuar për çështjet publike, sociale dhe kombëtare. Deri kur më kështu? Kosova duhet të veprojnë tani sepse kanë edhe përkrahjen e SHBA-ve, dhe se pa ndihmën e tyre nuk dalin dot nga udhëkryqi ku e mbajnë Kosovën politikanët dhe kryetarët e politikës dhe të shtetit të Kosovës. Është shumë e çuditshme kur ambasadori amerikan shprehet që masat duhet pezulluar dhe Kryeministri ka guximin politikë të marrë përgjegjësi, përkundër skualifikimit që kishte për vizën nga ana e Ambasadës, që të marrë pjesë në lutjet e mëngjesit”, ka shtuar më shumë Haziri për “Bota sot”.

Me tej, ai ka thënë se është koha për veprim për të dalë nga ky udhëkryq letargjik paralize.

“Guxoni të veproni për ndryshimin, për shpresën dhe për të ardhmen sepse keni SHBA-në, aleatin e madh që na ndihmoi dhe na nxori nga skëterra shoveniste serbe, SHBA-të që po na ndihmojnë prej 30 vitesh për të dalë edhe sot nga udhëkryqi.  Prandaj, është koha për veprim për të dalë nga ky udhëkryq letargjik paralize. Nga kjo krizë e gjithanshme dhe shumë e thellë ku atë e ka zhytur politika aktuale”, ka deklaruar Haziri për “Bota sot”.

Krasniqi: Raportet me SHBA-në nuk i prishë taksa

Image
Islam Krasniqi

Kurse, analisti politik, Islam Krasniqi, është kundër heqjes së taksës së vendosur karshi produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, pasi që sipas tij ka forcuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare.

“Unë mendoj së qeveria e republikës së Kosovës ka pasur plotësisht të drejt që ka refuzuar kërkesën për heqjen e taksës për mallrat serbe, sepse kjo taks ka rritur bizneset vendore, dhe ka forcuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare, të cilët me këtë veprim kanë treguar së nuk janë të mjerë, dhe kjo duhet të vazhdoi deri sa parimi i reciprocitetit të respektohet”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Krasniqi mendon se nuk mund të zbehen marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-në vetëm me refuzimin për heqjen e taksës.

“Pavarësisht refuzimit të kërkesës së SHBA -ve nga Qeveria jonë, nuk zbehen raportet sepse SHBA- ka kontribuar në shtetnderitimin tonë, dhe nuk mund të heq dorë aq lehtë nga Kosova pas gjithë atyre investimeve që ka bërë!..”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

Mehmeti: Qeveria nuk ka potencial t`i bëj ballë kërkesës së SHBA-së

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq, analisti tjetër, politik, Faton Mehmeti ka thënë se Haradinaj është i vetëdijshëm se qeveria nuk ka potencial që t`i bëjë ballë kërkesës së SHBA-së.

Po ashtu, ai mendon se kryeministri Haradinaj po tenton që të përfitoj në këmbim të heqjes së taksës.

“Nuk ka potencial qeveria e Kosovës t'i bëj ballë kërkesës së SHBA, dhe për këtë besoj se është i vetëdijshëm edhe z. Haradinaj. Në këtë situate kryeministri po tenton të përfitoj diçka në këmbim të heqjes së taksës, për mos të dal blof përpara qytetareve, pra është në kërkim të satisfaksionin përballë qytetareve.”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Me tepër, Mehmeti  ai beson se kryeministri Haradinaj nuk mund t`i bëjë ballë presionit të SHBA-ve dhe se shpreson që Kosova nuk do të pësoj për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të një politikani.

“Duket se SHBA kërkojnë heqjen pa ofruar diçka, gjë që e shtyn Haradinaj të kundërshtoj edhe pse është i vetëdijshëm se një gjë e tillë mund të ketë pasoja. Vetëm një qeveri e papërgjegjshme bën veprime euforike duke kundërshtuar mikun tonë më të madh. Personalisht nuk besoj se kryeministri mund t'i bëj ballë presionit të SHBA, ose të përballet me pasoja që është shkuarja në zgjedhje dhe humbja e mbështetjes së SHBA ndaj Ramushit. Kjo nuk ishte vdekje politike për Ramushin, nëse nuk reflekton shpejt. Shpresoj se Kosova mos të pësoj për shkak të sjelljeve të papërgjeshme të një politikani”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat