Idetë kundërthënëse të Thaçit dhe Haradinajt e bëjnë të vështirë marrëveshjen me Serbinë

Politika

Idetë kundërthënëse të Thaçit dhe Haradinajt e bëjnë të vështirë marrëveshjen me Serbinë

Nga: G.B Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 08:54
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Serbia ka kërkuar që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogu. E në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur. Madje, të hënën Haradinaj ka thënë se është e mundur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, por jo si rezultat i ndonjë këmbimi territoresh.

Hulumtuesja Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot” se procesi aktualisht mbetet i pezulluar për shkak të taksës, derisa SHBA dhe BE kanë shprehur interesim që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje.

“Për momentin procesi i dialogut mbetet i pezulluar për shkak se përfaqësuesit e Serbisë kanë deklaruar se nuk do të vazhdojnë dialogun pa u hequr taksa 100% ndaj mallrave të Serbisë nga Qeveria e Kosovës. Pra, për momentin taksa mbetet pengesë për rifillimin e dialogut dhe kjo ka rezultuar edhe me presionin e BE-së dhe SHBA-së ndaj Kosovës për ta hequr këtë taksë në mënyrë që të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA dhe BE kanë shprehur edhe interesimin e tyre që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme brenda vitit 2019. Lidhur me këtë marrëveshje potenciale”, është shprehur ajo.

Image
Violeta Haxholli

Haxholli përmend idenë e Thaçit për korrigjim të kufijve dhe kundërshtimin e Haradinajt, ku ky i fundit ka propozuar dhe një dokument se si duhet të duket marrëveshja, pa e përfshirë korrigjimin e kufijve.

“Presidenti Thaçi ka prezantuar idenë e korrigjimit të kufijve si një nga opsionet në marrëveshjen finale. Mirëpo mundësia e korrigjimit të kufijve është kundërshtuar ashpër nga Kryeministri Haradinaj. Ai edhe ka kërcënuar të gjithë ata që kanë për qëllim që në këtë proces të dialogut të cenojnë integritetin ë të Kosovës siç është shpallur me 17 shkurt 2008. Në ndërkohë Kryeministri ka propozuar edhe një dokument lidhur me atë se si duhet të duket marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, e që nuk përfshinë korrigjim të kufijve”, ka theksuar Haxholli.

Sipas saj, edhe nëse pezullohet taksa dhe rifillon dialogu, nuk do të ketë pajtime për dialogun në mes të krerëve të shtetit, gjë që e vështirëson arritjen e marrëveshjes me Serbinë dhe e dëmton pozitën e Kosovës në dialog.

“Prandaj edhe nëse pezullohet taksa dhe rifillon dialogu sfida e radhës për Kosovën dhe këtë proces të dialogut do të vazhdojë të jetë mosdakordimi i dy krerëve institucional, Thaçit dhe Haradinajt, lidhur me propozimet për marrëveshjen potenciale finale me Serbinë, pasi që aktualisht idetë e tyre rreth kësaj çështjeje janë të ndryshme. Kjo e bën të vështirë arritjen e një marrëveshje me Serbinë si dhe e dëmton pozicionin e Kosovës në dialog, pasi që dy institucionet qendrore të Kosovës nuk kanë qëndrim unik sa i përket asaj se çfarë marrëveshje duhet të arrijë Kosova me Serbinë”, ka deklaruar Violeta Haxholli nga KDI për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat