Taksa, “armë” e PDK-së për nënshtrimin e Haradinajt

Politika

Taksa, “armë” e PDK-së për nënshtrimin e Haradinajt

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 shkurt 2019 Në ora: 08:02
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Pothuajse asnjë qeveri e Kosovës nuk ka arritur që të përfundoj mandatin e saj deri në fund.

Kjo për shkak të rrëzimit të Qeverisë nga partnerët e koalicionit apo edhe  për shkak lojërave politike. Një fund të tillë mund ta ketë edhe qeveria e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të paktën kështu ka paralajmëruar bashkë partneri i koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës, nëse Haradinaj nuk i ndryshon qëndrimet rreth largimit të taksës ndaj produkteve të Serbisë.

Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, PDK vazhdimisht  luan lojëra me partnerët politik me dhe se ajo po mundohet që ta nënshtrojë Haradinajn.

Krasniqi: Këtë vit do kemi zgjedhje

Image
Faik Krasniqi

 Njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot” se Partia Demokratike e Kosovës gjithnjë e ka luajtur lojën e njëjtë me partnerët politik dhe se gjithmonë ka gjetur një arsye për të shkuar në zgjedhje, tillë mund të jetë edhe taksa.

“PDK-ja gjithmonë ka luajtur loje të piste me partneret e koalicionit. Por për çudi partneret e njëjtë prapë se prape kanë lidhur koalicion me ta. Ata gjithmonë do të gjejnë ndonjë arsye që vendin ta çojnë në zgjedhje, dhe taksa mund të bëhet mollë sherri për prishjen e koalicionit”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Krasniqi ka potencuar se pa i bërë llogaritjet mirë kryetari i PDK-së, nuk mund ta dërgoj vendin në zgjedhje të  parakohshme pasi që në zgjedhjet e kaluara ka pësuar një debakël të thellë.

“Sidoqoftë, pa i bërë llogaritë mirë Kadri Veseli nuk e dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme, sepse në zgjedhjet e fundit nacionale dhe vendore pësoi një debakël të thellë, por ky vit është vit i zgjedhjeve. Në pranverë, verë apo vjeshtë, këtë vit do kemi zgjedhje!”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Haziri: Taksa është vetëm maja e divergjencave që kanë pasur PDK- dhe AAK si partnerë të koalicionit

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri, është shprehur se dallimet në mes partnerëve të koalicionit PAN lidhur me taksën janë vazhdimësi e divergjencave që kanë ekzistuar që nga fillimi.

“Divergjencat në mes partnerëve të koalicionit qeverisës lidhur me taksën, janë vazhdimësi e divergjencave që kanë ekzistuar që nga fillimi dhe këto kanë buruar nga interesat që kanë pasur partnerët e koalicionit, sidomos rreth interesave financiare në kapjen e atyre institucioneve shtetërore që kanë qenë burim financimi dhe janë shndërruar në arenë kundërshtimi sidomos në mes PDK-së dhe AAK-së”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se PDK-ja do të shfrytëzoj këtë momentum të ri  në mënyrë që të nënshtroj përfundimisht kryeministrin e Kosovës, Ramush Hardinaj, duke provokuar zgjedhje të reja në mënyrë që ta tërheqë Qeverinë.

“Ndërsa taksa dhe divergjencat që janë krijuar rreth saj, janë një momentum i ri për PDK-në e cila do ta shfrytëzoj për ta nënshtruar përfundimisht kryeministrin Haradinaj, dhe nëse në rast të vazhdimit të kundërshtimit për heqjen e taksës nga kryeministri Haradinaj, atëherë PDK-ja do të mund të provokoj zgjedhje të parakohshme duke u tërhequr nga qeveria. Pra taksa është vetëm maja e divergjencave që kanë pasur PDK- dhe AAK si partnerë të koalicionit dhe këto divergjenca kanë qenë për shkak të luftës së tyre të brendshme për të kontrolluar institucionet financiare”, ka thënë Haziri për “Bota sot”

Konsensus ose zgjedhje

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani shprehet se ekzistojnë dy rrugë për daljen nga kriza, e para është  konsensusi për taksën dhe e dyta shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.

“Janë dy rrugë e para të këtë një konsensus çka me bërë me taksen dhe e dyta me shkue në zgjedhje, apo me gjet model qeverisë më të gjerë pra nuk ka çka. Shumë shpejt duhet të dihet apo duhet pas një vendim a do të pezullohet taksa e kërkuar nga SHBA  dhe BE apo do të rrëzohet qeveria dhe shteti të shkojë në zgjedhje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se në një kohë shumë të afërt qeveria duhet të  zgjedh se çfarë duhet bërë, pasë  që nuk ka kohë për lojëra.

“Pra ditët, javët në vazhdim do të definoj  këtë çështje, nuk ka lojëra për të bërë në kundërshtim me interesat vitale të shtetit, ose janë të aftë për të menaxhuar situatat ose jo, nuk ka shumë alternativa. Qeveria mund të bie shpejt po qese ky kryeministër vazhdon me kryeneçësi me bë politik dhe me bë hajgere me ligjin për pagat”, ka përfunduar “Burjani për “Bota sot”.

Ndryshe, Qeveria e ish kryeministrit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ishte qeveria e fundit e cila nuk arriti që të përfundoj mandatin e saj katër vjeçar. Kjo pasi që më 10 maj 2017 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga PDK, përmes një mocioni mosbesues u prish koalicioni qeverisës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat