Alarmi shqetësues: Kosova rrezikon të ballafaqohet me “aktin e kryer” të ndarjes

Politika

Alarmi shqetësues: Kosova rrezikon të ballafaqohet me “aktin e kryer” të ndarjes

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 shkurt 2019 Në ora: 09:35

Ish Ambasadori Lulzim Peci, ka deklaruar se nëse në ditët në vijim Kuvendi i Kosovës dhe partitë politike nuk e marrin situatën në dorë, atëherë qytetaret e Kosovës do të ballafaqohen me “aktin e kryer” të ndarjes së vendit tonë. 

“Ndarja eventuale e Kosovës, jo vetëm që do të rezultojë në humbje të territorit dhe resurseve të vendit tone, por do të zhyte vendin në një krizë afatgjate politike dhe ndër-etnike, të cilës nuk jam në gjendje t’ia shoh fundin. Nëse në ditët ne vijim Kuvendi i Kosovës dhe partitë politike nuk e marrin situatën në dorë, ne do të ballafaqohemi me “aktin e kryer” të ndarjes së vendit tonë. Me mend në kokë me hy në negociata të suksesionit të një vendi që është i pavarur, kjo vetëm neve na bën vaki”, ka shkruar Peci.

Sipas tij, më e keqja që do të na ndodhë është që Serbia me çdo gjasë nuk do ta pranoj edhe formulën “ndarje për njohje”, por përpos që do ta kontestoj pavarësinë tonë në nivel ndërkombëtar, ajo do të proklamoj edhe mosnjohjen e kufirin e saj me Kosovën, duke i trajtuar si të papërcaktuar dhe të kontestuar.

“E pastaj, mendoni se si do të duket Kosova, dhe cfare mund të jetë politika e saj e jashtme”, ka përfunduar ai.

Kjo deklaratë e ambasadorit Peci, është komentuar nga profile të ndryshme të skenës politike dhe nga analistë politik të vendit, për faktin se janë të vetëdijshëm për rrezikun që po i kanoset vendit.

Millaku: Protestat gjithë popullorë janë shumë afër

Image
Drita Millaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot” se situata me të vërtetë është e rëndë dhe krejt kjo duhet ti vihet në barrë Presidentit Hashim Thaçi, i cili në vazhdimësi ka punuar dhe po punon kundër interesave të Kosovës.

Ajo ka thënë se, duhet të organizohen partitë politike dhe urgjentisht ta shkarkojnë këtë njeri, i cili duke vepruar në petkun e njeriut të luftës i ka shkaktuar dhe po i shkakton kaq shumë plagë Kosovës.

“Që kjo e fundit të mos jetë fatale ne duhet të organizohemi dha ta shporrim një herë e mirë Hashim Thaçin nga kjo pozitë, duke e shkarkuar dhe me pas duke e vënë para përgjegjësisë jo vetëm politike por edhe penale për tradhti të lartë kombëtare. Duke e parë situatën jam e bindur se protestat gjithë popullorë janë shumë afër dhe këto protesta nuk duhet të ndalën derisa të largohet Hashim Thaçi”, ka thënë deputetja Millaku.

Makolli: Përkrahja e SHBA-as është jetike për shtetin tonë

Sekretari i Përgjithshëm në AKR Vesel Makolli, ka thënë se nëse nisemi nga historia, kjo brengosje që po mbretëron këto ditë të opinionit në vend për situatën politike në raport me bisedimet e ardhshme me Serbinë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, është shume realiste dhe e arsyeshme.

Image
Vesel Makolli

“Historikisht nuk kemi pasur lidership largpamës me orientim të drejt dhe thuajse në të gjitha konferencat ndërkombëtare ku është vendosur për kufijtë e shteteve, nga paqja e Shën Stefanit e deri në atë të Versajës, tokat shqiptare kanë shërbyer mjet për kënaqjen e apetiteve të fqinjëve tanë. Duhet ta pranojmë se faji kryesor për këtë ka qenë rreshtimi i ynë jo i drejt në konstalacionin e forcave botërore dhe kakofonia e faktorit politik shqiptar. Situata e sotme pak a shumë është ‘deja vu’, me përjashtim që liderët tanë janë rreshtua drejt në konstelacionin e forcave botërore, duke i koordinuar të gjitha veprimet e tyre bashkë me miqtë tanë ndërkombëtar, andaj ardhmëria e shtetit të Kosovës duhet të jetë e sigurte”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, është shumë  me rëndësi që të gjitha subjektet politike dhe liderët tanë në vetëdijen e tyre të thellë e kanë të ngulitur rrolin vendimtar që e ka pasur SHBA-ja me aleatet e saj për Pavarësinë e Kosovës.

“Edhe liderët tanë që kanë qenë ma radikal në përjetësimin e të gjitha meritave për çlirimin e Kosovës, e kane kuptuar se nur i pavarësisë sonë është SHBA-ja me aleatet perëndimor (normalisht që UÇK-ja dhe lëvizja paqësore kanë merita të veçanta, por pa faktorin ndërkombëtar, kishim rrezikua ta kemi edhe një Çamëri të re). Faktori politik i vendit  do ta tejkalonte ngërç politik, duke i lënë  kështu anash interesat partiake dhe lideriste me varjen e interesit të shtetit në rend të parë. Se SHBA-ja nuk do të lejojë devalvimin e shtetit të Kosovës dhe njëherit investimin e tyre të mëdha në shtetin e Kosovës, e vërteton edhe deklarata e Presidentit Tramp, se "SHBA janë për një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, por jo për çfarëdo marrëveshje", ka thënë Makolli.

Makolli beson se partitë tona politike duke i pas në krah fuqitë ma relevante botërore, do të arrijnë një konsensus i cili do të nxjerr Kosovën  nga kjo situatë.

“Të gjithë e kanë të qartë dhe e deklarojnë publikisht se përkrahja e SHBA-as është jetike për shtetin tonë, andaj do të jenë unik në vendimin final. Duhet ta lemë anash patriotizmin folklorik, sidomos atë për bashkim kombëtar i cili në këtë kohë është jo produktiv, pasi që një bashkim kombëtar do ti sakatonte trojet shqiptare. Po ashtu dy shtete shqiptare është një e arritur që ne duhet ta finalizojmë me karrigen e dyte shqiptare ne kombet e bashkuara e jo ta minojmë. Bashkimi kombëtar ka qenë aktual në shekullin e kaluar, kurse sot kur e kemi Kosovën shtet të pavarur të pranuar nga 116 vende të botës, është kthim mbrapa dhe si thotë populli "po qojmë ujë në mulli të huaj", ka sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli.

Kryeziu: Vetëm Kuvendi ka të drejtën për kontroll mbi negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare

Njohësi i marrëdhënieve Ndërkombëtare Taulant Kryeziu, ka thënë se që nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, Kosova ka arritur të konsolidoj shtetësinë e saj duke u njohur nga më shumë se 100 vende të botës si shtet sovran dhe i pavarur.

Sipas tij, çështja e pavarësisë së Kosovës dhe raportit të saj me të drejtën ndërkombëtare është konfirmuar edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organi më i lartë gjyqësor i bashkësisë ndërkombëtare, i cili ka legalizuar Deklaratën e Pavarësisë si normën bazike të Kushtetues tonë.

Image
Taulant Kryeziu

“Kosova i takon sistemit të demokracive kushtetuese parlamentare, ku vetëm Kuvendi ka të drejtën për kontroll mbi negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare nga neni 18.1 i Kushtetutës, përkatësisht lidhur me çështjet që kanë të bëjnë, ndër tjera, me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake etj. Kuvendit dhe askujt tjetër i takon që, në cilësinë e përfaqësuesit të sovranit, të marrë vendim lidhur me formatin e dialogut me Serbinë përmes një vendimi të detyrueshëm që themelon dhe mandaton një trupë me një shumicë te kualifikuar për dialogim me Serbinë me qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve substanciale me këtë shtet dhe që kanë të bëjnë me çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës”, ka thënë Kryeziu.

Ai konsideron se një vendim i tillë i Kuvendit i miratuar sipas dispozitave të nenit 18.1 të Kushtetutës asnjëherë nuk mund të ketë formën e rezolutës apo të një vendimi tjetër që nuk ka fuqi juridikisht të detyrueshme.

“Nuk ka asnjë logjikë juridiko-kushtetuese, politike dhe morale që Kuvendi të legjitimoj një dialog që prek çështjet nga neni 18.1 dhe që mëton të mbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me një dokument që vetë nuk ka fuqi juridikisht të detyrueshme dhe nuk plotëson kërkesën e nenit 18.1 për një shumicë te kualifikuar në të gjitha fazat. Mungesa e legjitimitetit politik në dialogun me Serbinë përbën një kusht thelbësor për suksesin apo dështimin e dialogut: palët që dialogojnë dhe nuk kanë kohezivitet të brendshëm asnjëherë nuk mund të jenë garant të vënies në jetë të detyrimeve të marra përmes dialogut. Kjo pasqyrohet më së miri në rastin e demarkacionit me Malin e Zi. Nuk duhet harruar kurrë që çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës prekin thelbin e identitetit kushtetues dhe nacional të Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial që çdo herë dhe në çdo fazë kërkon shumicën e votës prej dy të tretave të të gjithë deputetëve të sovranit, pra 80 deputet. Në këtë drejtim, konsiderojmë se janë 4 hapa kushtetues që duhet respektuar për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare me Serbinë”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, fillimisht Kuvendi duhet të votojë me 80 vota ekipin negociator, platformën negociuese dhe kufizimet e mandatit negociuese.

“Për të evituar çdo mundësi që territori jetë objekt i diskutimit në negociata në kuadër të kufizimeve të këtij mandati, ku duhet të këtë një pikë të veçantë, si vijon: Asnjë institucion qendror kushtetues nuk ka të drejtë të negocioj çështje që kanë për objekt diskutimi territorin e Republikës së Kosovës. Pas votimit të ekipit negociator, platformës negociuese dhe kufizimit të mandatit negociues, ekipi negociator ka për obligim që të zhvilloj negociatat nën kontroll të Kuvendit, ku pas çdo raundi negociatave është i obliguar të raportoj në seancë plenare të Kuvendit. Në fund procesit negociator, marrëveshja e negociuar duhet të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 80 vota të të gjithë deputetëve”, ka thënë Kryeziu.

Krasniqi: Serbia është ajo që i ka shumë borxh Kosovës

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi ka thënë se çdo marrëveshje ndërkombëtare që nënshkruhet nga Presidenti ose ekipi negociator gjatë bisedimeve me Serbinë, duhet të vijë në Kuvend për t'u miratua.

Sipas tij, nëse deputetet e Kuvendit e shohin që marrëveshja është e dëmshme dhe cenon sovranitetin e vendit, atëherë nuk guxojnë ta votojnë.

“Nuk mund ta përdorin si alibi që jemi para "aktit të kryer", dhe jemi të detyruar ta votojmë. Për sovranitet të vendit dhe interesat e shtetit, nuk mund të vendos askush tjetër, përpos Kuvendit dhe sovranit. Kur vijnë në pyetje interesat tona, askush s'mund të na detyrojë që të votojmë. Madje as miqtë ndërkombëtare dhe kjo është një pyetje e thjeshtë për miqtë tanë nëse na "detyrojnë" që të votojmë edhe për falje territori Serbisë. A do falnit territor të vendit tuaj një shteti tjetër, e sidomos një shteti agresor si Serbia, që ka ushtruar gjenocid ndaj nesh. Kurrë  nuk ka ndodhur që viktima t'i fal diçka agresorit të saj, për "hir" të pajtimit. Serbia është ajo që i ka shumë borxh Kosovës, e jo ne atyre”, ka thënë politologu Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat