Publicisti i njohur tregon se kush duhet t`i udhëheqë bisedimet me Serbinë

Politika

Publicisti i njohur tregon se kush duhet t`i udhëheqë bisedimet me Serbinë

Nga: G.B Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 19:26
Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq dhe Federica Mogherini

Pas votimit të statutit të Trepçës në Kuvendin e Kosovës, Aleksandër Vuçiq ka reaguar, duke thënë se nuk do të vazhdohet dialogu pa u tërhequr ai statut.

Pas kushtëzimit për heqjen e taksës në mënyrë që të vazhdohet dialogu, ky është kushti i dytë.

Lidhur me kushtëzimet e Serbisë dhe se sa duhet të merren parasysh ato, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë se ato nuk duhet të merren parasysh pasi Kosova nuk është koloni e Serbisë dhe Kosova duhet t’i vendos kushtet, pasi ka qenë viktimë në luftë.

Image
Rexhep Shahu

“Mendoj se nuk duhen marrë parasysh asnjë nga kushtëzimet e Serbisë sepse Kosova nuk është më koloni e Serbisë dhe nuk vendos asgjë Kosova sipas dëshirave të Serbisë. Nuk është prioritet i Kosovës Serbia por është vet Kosova. Kosova nuk duhet të udhëhiqet nga Serbia apo Vuçiqi që vendos kushtet, kushtet duhet t’i vendosë Kosova, ajo ka qenë e dhunuara, viktima dhe ajo e ka fituar luftën me ndihmën e Amerikës. Kosova ka jetuar gati një shekull e pushtuar nga Serbia, tash të mësojë të jetojë pa Serbinë dhe mundet të jetojë pa Serbinë, nuk lind dielli i Kosovës në Serbi”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, asnjë kushtëzim serb nuk duhet të përfillet para interesit të Kosovës dhe i vetmi kusht që duhet ta plotësojë Kosova është të mos ketë politikanë inferiore, të mos përkëdhelen nga buzëqeshjet e lëvdatat e serbëve.

“Edhe nëse bashkësia ndërkombëtare ia fërkon shpatullat Serbisë aktualisht, le t'ia fërkojë, Kosova është shtet i pavarur nga Serbia, është derdhur gjak për këtë shtet dhe është shtet në zemër të Evropës e jo në periferi të botës. Asnjë kushtëzim serb nuk duhet përfillë para interesit të Kosovës derisa Serbia të mësojë e të sillet jo si pronare e Kosovës. Vetëm një kusht duhet të plotësojë Kosova - të mos ketë politikanë inferiore, të mos përkëdhelen nga buzëqeshjet e lëvdatat e serbëve. Serioziteti i politikanëve të Prishtinës është kyç në zhvillimet mes Kosovës e Serbisë. Bisedimet me Serbinë duhet t’i bëjnë e t’i udhëheqin ata njerëz në Kosovë që kanë nëna, motra apo prindër të përdhunuar prej serbëve, të vrarë prej serbëve, ata njerëz që kanë mbetur jetimë prej serbëve e janë rritur jetimë, ata njerëz të cilëve Serbia ua ka poshtëruar prindërit e familjarët të tjerët nuk duhet të bisedojnë me Serbinë për Kosovën”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat