Të fshehtat e “Darkës së fundit”

Politika

Të fshehtat e “Darkës së fundit”

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 6 shkurt 2019 Në ora: 07:32
Darka e fundit

Ishte Edi Rama, i cili shpërndau në rrjetet sociale një foto në orët e vona të së dielës në shtëpinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Prishtinë. Ai është në tavolinë me kryeministrin Haradinaj, bashkë me ta edhe figurat të tjera të rëndësishme të politikës në Kosovë si kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, dhe deputeti Fatmir Limaj. Ndonëse nuk u bën publike arsyet e kësaj darke nga vet Rama, ishte kryetarit i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, i pyetur për takimin e mbrëmshëm me liderët ai ka dhënë një arsye për vizitën e përbashkët. Ia uruam shtëpinë e re Hashim Thaçit”.

Mbase mund të ketë qenë edhe kjo arsyeja, megjithëse janë disa arsye që mund të bëjnë të mendosh se ka diçka më tepër se thjeshtë një urim për shtëpinë e re. Patologjia e Edi Ramës për të qenë në qendër të vëmendjes, duke i shtuar kësaj edhe problemet e tija të brendshme në kohën kur opozita po paralajmëron protesta për rrëzimin e tij, mund ta kenë shtyrë të bëj këtë lëvizje taktike. Në periudhën kur SHBA ua përplasi derën liderëve kosovarë për pa-dëgjueshmëri, na vjen Edi Rama si shpëtimtar i ruajtës së nderit me Amerikën. Duke qenë se z. Haradinaj  s`po lëshon pe për taksën, me gjasë Edi Rama erdhi që të zbuste qëndrimin e Ramushit, që i shkon për shtati mikut të tij Hashim Thaçit. Ky i fundit e ka lidhur fatin e tij me fatin e marrëveshjes me Vuçiqin, andaj po shpejton me çdo kusht që sa më pare të përmbyll marrëveshjen me Vuçiqin edhe formalisht, që momentalisht është stopuar nga taksa. Të rikthehemi tek ideja se Kadri Veseli nuk po gënjen dhe kanë qenë për t’i uruar Hashimit shtëpinë e re, parashtrohet pyetja e thjeshtë nga i mori gjithë ato para për të ndërtuar shtëpi. Kur themi shtëpi nuk nënkuptojmë shtëpi të rëndomtë, por prej atyre që vetëm soji i Ramës dhe Hashimit mund ta kenë, pa përjashtuar as Pacollin.

Nëse i referohemi të dhënave sipas raportit të AKK-së , Hashim Thaçi ka të hyra vjetore rreth 31 mijë euro ndërsa të hyrat e bashkëshortes janë rreth 18 mijë euro. Thaçi po ashtu ka deklaruar edhe para të gatshme në banka e cila shumë është rreth 300 mijë euro. Duke qenë se gruaja e tij së fundi ka filluar punën, dhe Thaçi ishte burim i vetëm i të ardhurave, dallon qartë se këtu nuk është në rregull me shifra. Vetëm djali i Hashimit dhe Lumnijes shpenzon qindra mijëra euro nëpër vizita në botë, mjafton të shikoni profilin e tij në rrjetet sociale për të parë jetën e tij luksoze dhe sigurisht se kjo s`mund të bëhet me këto që babai i tij ka deklaruar. Besoj se s`ka njeri në Kosovë që nuk e di perandorinë që kanë ndërtuar familja Thaçi, duke përfshirë këtu aksione të ndryshme nëpër ndërmarrje të ndryshme, si në ndërtim dhe  eksport.

Derisa qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës janë më të varfirit në Evropë, kjo për fajin e Ramës dhe Thaçit, të cilët të hezitojnë fare të pasqyrojnë luksin që kanë ndërtuar në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Përveç “përhajrit” kjo darkë, sigurisht se ka shërbyer edhe për koordinim të planeve të përbashkëta për të ndarë hiset e ndonjë tenderi, me Edi Ramën në krye të tavolinës. Patologjia e të qenit mbi të tjerët demonstrohet edhe me atë foto, që mbi të gjitha nxjerr dufin për ata qytetarë që skanë ku të fusin kokën, dhe as çfarë të shtrojnë në tavolinat e tyre. Shpresoj se kjo të ketë qenë “ Darka e fundit” para se të “ kryqëzohen” nga drejtësia për të gjitha mëkatet që u kanë bërë shqiptarëve në të dyja anët e kufirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat