Kosova të mbrohet nga Federica Mogherini dhe Maja Kocijanciç që po e duan diskutimin e Trepçës dhe Ujmanit

Politika

Kosova të mbrohet nga Federica Mogherini dhe Maja Kocijanciç që po e duan diskutimin e Trepçës dhe Ujmanit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 shkurt 2019 Në ora: 10:33
Federica Mogherini. (Foto ilustrim nga "Bota sot")

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë  ka thënë se nëse ligji për dialogun miratohet si është, lë hapësirë për negocimin e territoreve.

Sipas saj,  nëse Ligji për dialogun miratohet pa u ndryshuar, Hashim Thaçi do të ketë hapësira manovrimi.

“Ligji për ne si LDK është i panevojshëm dhe i kotë. Mirëpo nëse miratohet edhe në lexim të dytë kështu si është, arrin efekte të rrezikshme pasi lë hapësirë për t’u negociuar shtetësia e territori”, tha ajo duke shtuar se Bashkimi Evropian se ekipi negociator do të jetë ndihmës i Hashim Thaçit, pasi formati i përcaktuar është në nivel presidentësh.

Deputetja e LDK-së, po ashtu ka theksuar se PSD është subjekti opozitar që është tërhequr nga rrëzimi i Qeverisë dhe i është bashkuar koalicionit PANA.

Sipas saj, të jesh në anën e Qeverisë nuk nënkupton vetëm të futesh në Qeveri, por ka edhe shumë mënyra tjera që sipas saj PSD tashmë po “përfiton” nga pozicioni i saj i ri politik.

“Ne i kemi pasur nënshkrimet e mbledhura para se PSD t’i sjellë nënshkrimet. Është PSD-ja ajo që u tërhoq në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje, vendosi të bëjë pazare të ulëta politike që po mundohen t’i paraqesin si të mira”, ka thënë deputetja Osmani.

Njohësi e çështjeve politike në vend vesojnë se Ligji për dialog, duhet të përmirësohet në mënyrë që mos të ketë hapësirë Thaçi i çoroditur, të negociojë me Serbinë për territorin dhe pasuritë e Kosovës.

Sipas tyre, jo vetëm deputetet e opozitës por edhe ata të pozitës nuk duhet të votojnë ligje të tilla, sepse Presidenti Thaçi më pas do të thirret në emër të Kuvendit dhe popullit, gjoja se është i autorizuar të bëj me territorin e Kosovës çfarë të do ai.

Tahiri: Ky ligj duhet të bëhet me propozime konkrete

Image
Ramush Tahiri 

Kurse, politologu Ramush Tahiri konsideron se në leximin e dytë ky ligj do të përjetojë amendamenteve dhe ndryshime të nevojshme edhe nga vet deputetet e LDK-së.

“Ky ligj duhet të bëhet me propozime konkrete që do ta vënë në funksion dhe do ta pasurojnë në drejtim te harmonizimit të plotë me Kushtetutën dhe duke e bërë transparent gjithë punën e duke hequr mundësinë që vet ky ekip të caktoj çka është e çka jo sekret shtetëror” ka thënë politologu Tahiri.

Burjani: Ky ligj cenon legjitimacionin e Kuvendit dhe Kushtetutën e shtetit

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani, ka pohuar se ky ligj duket të jetë i nxitur nga jashtë dhe ka për qëllime legjitimacionin çfarëdo qoftë ai për dialogun dhe marrëveshjen ndërkombëtare.

Ai ka thënë se ky ligj bazuar në kushtet dhe ligje në fuqi është absurd, dhe nuk ka pasur faje nevojë as të përmendet e lëre më të nxjerrët me një temë që dihet që është punë e qeverisë të negociohet.

“Është punë e Qeverisë së Kosovës dhe punë e Kuvendit të Kosovës që duhet vendosur për këtë, të aprovoj apo jo lojëra të tilla politike me drafte ligje që janë me një prapavijë dhe qëllime që kanë sponsorët e tij. Ky ligj cenon legjitimacionin e Kuvendit dhe Kushtetutën e shtetit , pasi dihet se të gjitha kompetencat janë paraparë me kushtetuta dhe ligje. Andaj është plotësisht i pakuptimtë një ligj i tillë dhe fare në fund mund të ketë një prapavijë të pa pranueshme”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Sipas tij, prapavija politike e mundshme cenon Kushtetutën, shtetin dhe ligjet në fuqi.

“Këto aventura enigmatike dhe këto lojëra magjike, duhet të ndalen nga Hashim Thaçi si sponsori më i mundshëm i këtij ligji dhe ideator i shumë ideve të tij që ia qëlloj apo jo. Por Thaçi  vazhdon të ec me ‘avazin’ e tij, nëpër pe dhe të mos rrëzohet përfundimisht. 

Madje është e vërtetë që Kuvendi i Kosovës nuk ka dashur ta ndalojë Hashimin dhe aventurat e tij të  cilat janë të ngjashme me aventurat e ‘Harry Poterit” ka thënë Burjani.

Krasniqi: Opozita për ta parandaluar këtë ligj, duhet të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha partitë parlamentare pozitë-opozitë

Image
Faik Krasniqi 

Ndërsa politologu Faik Krasniqi vlerëson se Ligji për dialog duhet të përmirësohet në mënyrë që mos të ketë hapësirë më presidenti ynë i çoroditur të negociojë me Serbinë për territorin dhe pasuritë e Kosovës.

Politologu Krasniqi, ka thënë se jo vetëm deputetet e opozitës por edhe ata të pozitës nuk duhet të votojnë ligje të tilla, sepse Presidenti Thaçi më pas do të thirret në emër të Kuvendit dhe popullit, gjoja se është i autorizuar të bëj me territorin e Kosovës çfarë të do ai.

“Thaçi edhe ashtu gjithmonë flet në emër të popullit, kështu që opozita për ta parandaluar këtë ligj, duhet të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha partitë parlamentare pozitë-opozitë, dhe t'i bindin ata që ky ligj i dialogut siç është kështu, lënë hapësirë për negociata rreth ndarjes të Kosovës. Por nëse ky ligj kalon, atëherë opozitës nuk i ngelet gjë tjetër pos të organizojë protesta gjithë popullore për rrëzimin e Presidentit Thaçi dhe Qeverisë që janë bërë bisht të tij”, ka deklaruar politologu Faik Krasniqi.

Haziri: Kosova po duhet të mbrohet edhe nga përfaqësuesit e BE-së, siç janë Federica Mogherin dhe Maja Kocijanciç

Image
Ismet Haziri 

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Ismet Haziri konsideron se ligjet dhe platformat e këtij koalicioni për dialogun me Serbinë më shumë do të shërbejë sa për ti qetësuar shpirtrat të cilët ju besojnë këtyre liderëve.

Sipas tij, pretendimi që gjërat të kthehen në pikën zero, është e gabuar sepse zeroja do të thotë, kthimi nga fillimi, e kthimi nga fillimi, do të thotë negocim edhe i territorit të Kosovës.

“Nëse ky grup i burrave ka monolog, atëherë  është në rregull, sepse ka shanse që të promovohen aq sa të donë ata, sepse edhe ashtu sondazhet nuk po janë shumë premtuese që ti arrijnë pragjet për tu futur në të ardhmen në sallën e Kuvendit.  Prandaj, dialogu e ka për ballë edhe një palë, e cila i ka kushtet e veta. Dhe jo vetëm se i ka kushtet  por Serbia po e shfrytëzon maksimalisht dobësinë e Diplomacisë se Kosovës, si dhe nivelet e ulëta të njohurive dhe të përvojave të munguara të palës së Kosovës. Të gjithë këtë skenar Serbia po e bën  me qëllim që të mos hedhen hapa të gabuar, të dëmshëm, dhe të  pa riparueshëm”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, duke shtuar se të tillët po pretendojnë se janë më të zotët, dhe se nuk duhet të shkelin me këmbë në tokë.

Ai ka thënë se ky ekip duhet të reflektojë në mënyrë që ti shfrytëzojë të gjitha potencialet kombëtare, të  kenë njohuri strategjike dialoguese, përvoja shkencore dhe të jenë njohës të mirë të strategjisë serbe.

“Opozita nuk e ka marr votën që të dal me shpatë e të shikojë karshi këto zhvillime. Megjithatë nuk mund të themi se duhet të bëhen bashkëfajtor për hapat e gabuar, por që duhet të parandalojnë me të gjitha format demokratike degradimin e tërësishëm e në veçanti në sferën e politikave të jashtme dhe më specifikisht të marrin përgjegjësit e veta në lidhje me dialogun. Kosova po duhet të mbrohet edhe nga përfaqësuesit e BE-së, siç janë Federica Mogherini dhe Maja Kocijanciç , të cilat hapur shihet se janë të njëanshme dhe në krahun e Serbisë. Madje këtë e dëshmuan me prononcimin e tyre në lidhje me Trepçën dhe Ujmanin. Prandaj, deputetja Vjosa Osmani është një zonje që e ka mundësinë dhe kapacitetin që të jap më shumë, pasi niveli i saj i njohurive të marrëdhënieve ndërkombëtare i kalon për disa nivele këtë ekip dialoguese.

Por para se gjithash përpilimi i dokumentit strategjike për dialogim duhet të kthehet sërish ngase miratimi i këtij ligji dhe kjo ekip është legjitimim i kompromiseve”, ka thënë njohësi i çështjeve polikë në vend Ismet Haziri.

Zogaj: Fjalimet pa argumente e turbullojnë gjendjen

Image
Skender Zogaj

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë për “ Bota sot” se, ligji për dialogun në rrethanat e krijuara është shumë vështirë i vlerësueshëm, sepse situata ka eskaluar përtej qëndrimeve parimore dhe kompetencave kushtetuese të institucioneve përgjegjëse të vendit, të cilat kanë dështuar në dialog me Serbinë dhe po rikthehen proceset në ri programime ligjore.

Zogaj, ka theksuar se ky është elementi më shqetësues për të gjithë, që për fat të keq, siç po shihet e ka dekoncentruar tërësisht skenën politike.

“Vjosa Osmani dhe në përgjithësi LDK duhet të ketë qëndrime të qarta partiake. Kjo është detyra e opozitës, e cila derisa nuk i ka numrat, nuk i përket as përgjegjësia. Dhe nëse nuk vlejnë argumentet, atëherë fjalimet vetëm e turbullojnë edhe më shumë gjendjen, siç u pa se ishte qëllimi kryesor dhe i shumicës së deputetëve gjatë leximit të parë të ligjit për dialogun”, është shprehur analisti politik Skender Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat