Haki Abazi: Ja si duhet të ndalet presidenti Thaçi

Politika

Haki Abazi: Ja si duhet të ndalet presidenti Thaçi

Nga: N.H Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 16:38
Hashim Thaçi dhe Haki Abazi

Subjekti i Lëvizjes Vetëvendosje vazhdon që të deklarohet si e gatshme që të protestojë kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkak të deklaratave të tij për korrigjim të kufirit të Kosovës.

Është shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ai i cili ka folur rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe marrëveshjes përfundimtare.

Konjufca ndër tjerash ka thënë se në asnjë mënyrë nuk bënë të ketë korrigjim apo shkëmbim territoresh, dhe në rast se një gjë e tillë ndodh, atëherë partia e tij nuk do të rri duarkryq, duke paralajmëruar kështu protesta gjithëpopullore.

Analisti politik, Haki Abazi, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kreu i shtetit të Kosovës është duke vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me kompetencat e tij.

“Thaçi është duke vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me kompetencat e tij. Natyrisht që po të kishte institucione të pavarura dhe mekanizëm të llogaridhënies ky proces do te ishte ndaluar qëmoti, por Kosova është duke funksionuar nen presionin dhe sabotimin që vet Thaçi është duke i bërë edhe duke manipuluar me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, kjo situatë duhet ndaluar edhe nëse kjo situatë i kërkon protestat si instrument demokratik për të ruajtur kushtetutshmërinë.

“Kjo situatë duhet ndaluar dhe ndarja dhe dështimi i shtetit të Kosovës duhet parandaluar gjithashtu dhe nëse kjo kërkon protestat si instrument demokratik për të ruajtur kushtetutshmërinë, integritetin dhe sovranitetin e vendit natyrisht që duhet të bëhet dhe duhet përkrahur”, ka përfunduar Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat