Vetting për ta çliruar Kosovën nga përdhunuesit

Politika

Vetting për ta çliruar Kosovën nga përdhunuesit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 shkurt 2019 Në ora: 09:36
Foto ilustruese

Lind pyetja se edhe sa raste të tilla janë në Kosovë? Edhe sa profesorë e policë të tillë, vazhdojnë ta kryejnë këtë veprim të shëmtuar në vendet rurale të Kosovës dhe këto raste nuk bëhen të ditura, për shkak të moralit, nderit dhe traditës së popullit. Kjo është tragjikja e një kombi, kur të zezat mundohemi ti fshehim, në heshtje, duke i lënë të lirë përdhunuesit, që të bëjnë çfarë të duan, për ti përmbushur epshet e tyre seksuale dhe në fund ti dekorojmë me mirënjohje.

Rasti 16 vjeçares nga Drenasi, e cila në fillim abuzohet seksualisht nga mësimdhënësi e më pas dhunohet dhe shantazhohet nga hetuesi i policisë, i cili e detyron të abortojë  pa dëshirën e saj, ka tronditur gjithë opinionin në Kosovë.

Kjo ka bërë që qytetarët e Kosovës të protestojnë para dyerve të Stacionit policorë duke kërkuar që të merret dënimi i merituar nga ata të cilët përfaqësojnë institucionet shtetërore dhe njëkohësisht keqpërdorin detyrën zyrtare. Por, përveç protestave, dhe masave tjera ndëshkuese ndaj mësimdhënësit, policit dhe mjekut që ka kryer abortin e së miturës, njohësit e çështjeve juridike në vend, vlerësojnë se Kosovës i duhet urgjentisht një Vetting.

Sipas tyre, ky Vetting duhet të bëhet në çdo institucion duke filluar nga partitë politike, në Polici, Gjyqësi, Arsim dhe Shëndetësi etj.

Ata konsiderojnë se Vettingu në Policinë e Kosovës, por edhe në të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, do të ishte e vetmja mënyrë për dekriminalizimin dhe depolitizimin e këtyre institucioneve.

Kelmendi: Duhet masa për spastrimin e këtij sistemi juridik

Image
Muhamet Kelmendi 

Zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT),dhe njëherësh njohës i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi ka thënë për “Bota sot”, se më shumë se kurrë në sistemin e Kosovës duhet një Vetting.

“Tani jam  i bindur më shumë se kurrë se në sistemin tonë të luftimit të kthimit, të rendit dhe të sigurisë, si në polici ashtu edhe në AKI, sikundër edhe në sistemin e ndarjes së të drejtës, në prokurori dhe neper gjykata, tash me shume se kurrë i duhet një përzgjedhje dhe spastrim i detalizuar. Nuk mundet që sistemi i tille re shërohet me te ardhura. Edhe mijëra euro nëse paguhen nuk ka shërim, sepse janë shume njerëz atje qe nuk shërohen. Ata duhet nxjerre nga sistemi, sepse këtu ndihmon shumë një Ligj mbi spastrimin e sistemit të drejtësisë  që në gjuhën juridike, po quhet Vetting”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Kelmendi.

Sipas tij, se si dhe çka do të bëhet kjo nuk ka rendësi, por me rendësi është që të fillon procedura për spastrim të të gjithë këtyre mekanizmave.

“Ne kemi shumë raste që flasin për këtë çrregullim total, dhe këtu po përmendi: Mos ndjekjen krimit në nivele të larta, Mosdhënie të përgjegjësisë personat që janë në sistem të hierarkisë, Mos kapjen e mafisë ekonomike dhe politike dhe Rastet e rënda të krimit në vend. Dhe këto janë fakte ndaj edhe duhet masa për spastrimin e këtij sistemi juridik”, ka thënë profesor Kelmendi.

Ramadani: Verfikimi duhet në të gjitha nivelet

Image
Burim Ramadani

Kurse, Burim Ramadani zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, ka thënë për “Bota sot” se verifikimi i sigurisë (Vettingu) është i domosdoshëm në të gjitha nivelet.

Sipas tij, kjo nuk lidhet me një rast të tillë, megjithatë  siguria kombëtare e Kosovës pa verifikim të sigurisë në të gjitha nivelet është vazhdimisht e rrezikuar.

“Ekziston Ligji, ekzistojnë kapacitetet. Policia e Ushtria e bëjnë vazhdimisht verifikimin e sigurisë për pozitat e domosdoshme, ashtu siç e kërkon ligji madje Institucionet e sigurisë në përgjithësi. Por kjo duhet të shtrihet ashtu siç e kërkon ligji tek të gjitha institucionet dhe tek të emëruarit e të zgjedhurit politik. Pra, edhe politikanët përpos tri pozitave që i përcakton ligji, pastaj këshilltarët, ambasadorët, gjykatësit, prokurorët e më tutje. Të gjithë ata dhe ato që për detyrë zyrtare kanë të bëjnë me çështje të klasifikuara, patjetër që duhet të kalojnë nëpër verifikim të sigurisë”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani.

Vata: Vettingu në policinë në Kosovë është i vonuar

Image
Ilir Vata

Njohësi, i çështjeve juridike Ilir Vata, ka thënë se vajza nga Drenica u përdhunua pikërisht nga “ligji” nga sunduesit e ligjit.

Sipas tij, rasti i shëmtuar i përdhunimit të një të miture duhet të ngre larmin në të gjitha institucionet ligj zbatuese, pasi ajo u gjend e përdhunuar nga mësuesi i shkollës që ka për detyrë ta edukojë në shpërdorim të plotë detyre dhe duke kryer veprën penale të përdhunimit, dhe më e turpshmja vajza përdhunohet nga ligji, pra nga polici i cili  e ka për detyrë të garantojë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.

“Vettingu në policinë në Kosovë është i vonuar, madje duhet të kishte nis më parë, pasi nëse organet ligjzbatuese nuk duhet të pastrohen nga paligjshmëria, njerëz me integritet të ulët profesional dhe etik do të vazhdojnë të jenë kundërshtarë të ligjit duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Vetting nuk duhet vënë vetëm në polici, por në të gjithë administratë përfshirë këtu edhe Institucionet e arsimit, pasi mësues pervers, gjenden ende në institucionet e arsimit në Kosovë. Ky alarm duket të ngre peshë institucionet ligj zbatuese, qeverinë dhe parlamentin që të miratojnë ligjin për Vettingun në Policinë e Kosovës dhe të hetohet ngjarja më të gjithë dinamiken duke maksimizuar dënimin për abuzuesit”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike Ilir Vata.

Gashi: Në këtë rast kemi të bëjmë me dhunim të së miturës nga shteti i Kosovës

Image
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se, rasti i dhunimit për vite të tëra të së miturës në Drenas nga profesori i saj dhe pastaj pas raportimit të dhunimit në polici, hetuesi policor keqpërdorur rënd uniformën policore, shndërron këtë rast tragjik në një dhunim permanent deri në shndërrimin e të miturës në skllave seksi është në të vërtet dhunim shtetëror.

“Arsimtari në shkollë e dhunon të miturën në vend se ai ta edukoj dhe ti jep mësim. Shkolla është shtetërore  sepse shteti e ka ndërtuar atë shkollë për mësim e jo për abuzime dhe për dhunime seksuale të së miturës për vite të tëra dhe që pas marrjes së guximit të së miturës për raportim të rastit në polici, atëherë ndodh ferri edhe më i madh. Sepse tani polici duke e shantazhuar pasi sipas tij ka kryer veprime hetimore duke e fotografuar nudo ( lakuriq) për të siguruar prova dhe pasi ka siguruar edhe ekspertizë forenzike për dhunimin nga profesori , fillon në mënyrë sistematike duke e dhunuar dhe duke e shndërruar  në skllave seksi të miturën. Por, çka duhet të ndodh më keq se ta dhunojë polici të miturën për vite të tera, kur dihet se ai përfaqëson shtetin dhe që keqpërdor drastikisht uniformën shtetërore të Policisë së Kosovës. Në këtë rast kemi të bëjmë me dhunim të së miturës nga shteti i Kosovës edhe pse janë individ në pyetje duhet që shteti të reagojë, sepse e kanë ditur garant edhe kolegët e profesorit se çka është ka ndodhë me vite të tëra në objektin e shkollës dhe kanë heshtur.  Madje, jam i bindur e kanë ditur edhe një pjesë në mos të gjithë policët e Drenasit se çka është ka ndodh me policin dhunues dhe sërish kanë heshtur. Përndryshe, si kanë mundur të lejojnë që polici monstrum të përdor edhe foto të marra nga kamerat e qytetit për ta shantazhuar dhe përndjekur të miturën deri në gjendje të skllavërisë për vite të tëra”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Haziri: Vettingu çliron Kosovën nga përdhunuesit

Image
Nexhat Haziri

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë  se një Vetting në policinë e Kosovës, por edhe në të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, do të ishte e vetmja mënyrë për dekriminalizimin dhe depolitizimin e këtyre institucioneve.

“Mbase nuk më habit rasti i përdhunimit te nxënëses në Drenas, pasi institucionet e vendit janë të mbushur me njerëz të tille të cilët janë punësuar dhe janë emëruar në baza politike dhe militante të partive të caktuara politike, sidomos atyre që vijnë nga i ashtuquajturi ''Krahu i Luftës''. E them këtë për arsyeje që janë te njohura edhe për opinionin e vendit. Ka mjaftuar që këta njerëz të punësuar dhe të emëruar në këto institucione që të jenë besnik dhe shërbyes të metodave me kriminale, siç është manipulimi dhe vjedhja e votave, kërcënimet ndaj kundërshtareve politik të cilët i ka piketuar shefi i partisë, mbledhës të harracit dhe formave të tjera që iu kanë parashtruar si detyra nga shefat e partisë”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, këto kanë qenë të vetmet kritere që këta njerëz është dashur për ti plotësuar në mënyrë që ti fitojnë vendet e tyre të punës jo vetëm në Polici, por edhe në AKI, edhe në FSK, arsim, gjykata e institucione të tjera.

Image
Faik Krasniqi

“Andaj e vetmja mënyre për tu çliruar nga ky soji i njerëzve përdhunës është Vettingu, i cili do të duhej të zhvillohet edhe me asistencë të miqve tanë ndërkombëtar. Unë pres dhe dua të shpresoj se pas këtij presioni publik nga opinioni për rastin në fjalë, këta përdhunues të marrin dënimin e merituar dhe ftoj opinionin që të jetë një lloj monitoruesi i këtij procesi pasi mund të ketë edhe ndikime politike që do të bënin që fajtorët mos të marrin dënimin e merituar”, është shprehur opinionisti Haziri.

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka pohuar se në çdo institucion shtetëror janë punësuar njerëz të partive politike, të afërm dhe miq të tyre, pa ardhur kurrë në shprehje njerëz që meritojnë të punojnë në këto institucione, madje edhe pa e shikuar të kaluarën e tyre.

Sipas tij, Vettingu duhet të bëhet në çdo institucion, duke filluar nga partitë politike, Polici, Gjyqësi, Arsim, shëndetësi etj.

“Rasti i fundit por edhe qindra raste të mëhershme që kanë ndodhur, por edhe qindra e mijëra raste të tjera që janë heshtur, tregon që nëpër institucionet tona punon lloj-lloj psikopati e pedofili. Prandaj ka humbur besimi në çdo institucion shtetëror, dhe me të drejtë sepse shkon te mjeku në spital të shërohesh qëllimisht të sëmurë më shumë në mënyrë që t'i shkosh në ordinancën e tij private. E njëjta gjë edhe në arsim, e drejtësi, dhe polici është”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat