Haziri: Protesta, e vetmja rrugë për ta ndalë Hashim Thaçin nga zhbërja e shtetit të Kosovës

Politika

Haziri: Protesta, e vetmja rrugë për ta ndalë Hashim Thaçin nga zhbërja e shtetit të Kosovës

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 22:00
Foto ilustrim "Bota sot"

Për shkak të mungesës së numrave në Kuvendin e Kosovës, është normale që partitë opozitare si Vetëvendosje, po ashtu edhe LDK-ja si partia më e madhe opozitare, t’i zgjedhin protestat si një nga format për ndaljen e presidentit Thaçi nga ideja e tij për korrigjim të kufijve. Kështu ka konsideruar analisti politik, Nexhat Haziri.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se ky opsion duhet të jetë i mirë koordinuar edhe me shoqërinë civile dhe shtresat tjera.

Image
Nexhat Haziri

“Është normale që partitë opozitare si Vetëvendosje, po ashtu edhe LDK-ja si partia më e madhe opozitare, në mungesë të numrave në Kuvendin e Kosovës, për ta ndal presidentin Thaçi dhe planet e tij të dëmshme për Kosovën, duhet parë edhe opsionin e protestave. Ky opsion nëse do të jetë i koordinuar mirë edhe me shoqërinë civile dhe shtresat e ndryshme të qytetarëve, mendoj se ka mbetur e vetmja rrugë për ta ndalur Hashim Thaçin në zhbërjen e shtetit të Kosovës”, ka thënë Haziri.

Tutje, Haziri thekson se edhe deklarata e Brukselit lidhur me statusin e Trepçës, ishte konformë të këtij plani dhe idesë së presidentit Thaçi për të ashtuquajturin korrigjim kufijsh me Serbinë.

“Ne edhe sot jemi dëshmitar që ai edhe nga SHBA-ja ku qëndroi si i ftuar në ''Lutjet e mëngjesit'' serish iu kthye planit famëkeq për ndarjen e territorit të Kosovës gjoja si një marrëveshje historike me Serbinë dhe po ashtu ai këtë vizitë e shfrytëzoi edhe për të lobuar përmes kanaleve të ndryshme lobimi që po ashtu paguhen nga taksapaguesit kosovar, për të marrë mbështetjen e administratës amerikane për planin Rama-Vuçiq-Thaçi për arritjen e një marrëveshjes ne mes Kosovës dhe Serbisë në baza të ndarjes në vija etnike të territorit të Kosovës, po ashtu sot edhe deklarata e Brukselit lidhur me statusin e Trepçës, ishte konformë të këtij plani dhe idesë së presidentit Thaçi për të ashtuquajturin korrigjim kufijsh me Serbinë”, ka përfunduar Nexhat Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat