Krimi që i lëkundi themelet e shtetit

Politika

Krimi që i lëkundi themelet e shtetit

Nga: Zejnepe Bekteshi Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 08:31
Seanca për rastin e vajzës nga Drenasi

Pozitë e opozitë, qytetarë e shoqëri civile, kanë reaguar për rastin e keqpërdorimit seksual të së miturës në Drenas, fillimisht nga profesori e më pas nga polici hetues. Pasi që ndodhi ky rast, shoqëria e Kosovës u “zgjua” nga gjumi duke mbajtur protesta në Prishtinë e Drenas me thirrjet “Pro mësimit, jo përdhunimit”, “Po du msus jo përdhunues”. Pas këtyre protestave u mbajt edhe seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Ky fenomen tashmë ka filluar të bëhet i njohur në shoqërinë tonë. Një gjë të tillë e dëshmon edhe ky rast, ku dalja në shesh e përdhunimit të një të miture nga mësimdhënësi dhe nga polici hetues, lëkundi themelet e shtetit.

Lidhur me këtë rast, për “Bota Sot”, kanë folur, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, Drita Millaku, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani.

Berisha: Ky rast duhet të zbardhet në plotni

Image
Anton Berisha

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, në një prononcim për “Bota Sot” tha se, ky rast duhet të zbardhet në plotni.

“Duhet institucionet patjetër të kryejnë detyrimin që kanë, të kemi një ngjarje të sqaruar e pastaj secili që ka shkelur ligjin dhe normat etike të dënohet pa fijen e dhimbjes”, tha Berisha.

Ai tha se deri në cilën shkallë do të shkoj përgjegjësia mund të flasim vetëm pas një hetimi të plotë ligjor, por edhe shoqëror.

“Në qoftë se ky rast, nuk merr epilogun e duhur konform normave etike, morale e ligjore atëherë mund të them lirisht se jemi shoqëri e mposhtur nga e keqja dhe e liga”, tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha.

Millaku: Në shenjë të ndjesisë dhe moralit politik e njerëzor duhet të japin dorëheqje që nga ministri i arsimin dhe punëve të brendshme

Image
Drita Millaku

Për rastin e të miturës nga Drenas ka folur edhe Drita Millaku, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ajo tha se fillimisht shpreh indinjatën dhe hidhërimin tim të thellë për rastin e ndodhur në Drenas.

Për të funksionuar sistemi arsimor ashtu siç duhet, atëherë në shkollat tona duhet të ketë përveç pedagogeve edhe sociologë, të cilët do te ishin krah i forte për arsimin duke ndihmuar kështu këtë degë  për të qenë sa më e kompletuar.

“Kjo që ndodhi në Drenas duhet që ne si shoqëri të na vetëdijesoj dhe të na sensibilizojë në funksion të kërkimit të llogarisë nga institucionet përgjegjëse të linjës. Unë mendoj se në shenjë të ndjesisë dhe moralit politik e njerëzor duhet të japin dorëheqje që nga ministri i arsimin dhe punëve të brendshme deri te ai i shëndetësisë, por duke mos përjashtuar edhe Drejtorin e Policisë deri te Komandanti i Stacionit Policor në Drenas si pjesë e përgjegjësisë komanduese”, u shpreh edhe Drita Millaku nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Ajo tha se ka ardhur koha që të vendoset si standard dorëheqja edhe për të rritur përgjegjësinë por edhe për të eliminuar lëshimet serioze që janë bërë dhe mund të bëhen. Unë mendoj se gjendja në ministritë dhe institucionet që ka goditur ky rast është me të vërtetë e keqe dhe jam e bindur se ky nuk është rast i izoluar por nuk ka guxim për ti paraqitur rastet tjera .

“Kjo u dëshmua prandaj nevojiten jo vetëm dorëheqje por edhe reforma të thella në polici, arsim, shëndetësi e veçanërisht ne sistemin e drejtësisë. Pra rasti i Drenasit tregon më së mirë se sa është ky sistem i kriminalizuar dhe ky krim është zingjiror. Kosovës i duhet një Vetting ne te gjitha institucionet”, përfundoi Drita Millaku nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Hasani: Në Kosovë nuk ekziston dorëheqja morale

Image
Bajram Hasani

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, tha se  rasti i vajzës nga Drenasi i ka shokuar të gjithë.


“Ky rast nuk është vetëm dështim i një ministrie, i një qeverie apo çfarëdo institucioni tjetër, është dështim i familjes, institucioneve dhe i tërë shoqërisë”.

Ndërsa ish ministri Bajrami shtoi  se në Kosovë nuk ekziston dorëheqja morale

“Sa i përket dorëheqjes morale, në Kosovë nuk ekziston”, përfundoi ai.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës dje ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme lidhur me ngacmimin seksual, përdhunimin dhe kryerjen e abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale.

Fillimisht ka qenë  mbledhja e kryesisë me grupet parlamentare. Një ditë më herët Lëvizja Vetëvendosje së bashku me grupin parlamentar të LDK-së dhe Alternativa-s, kanë dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme.

Te arsyetimi i kërkesës, mes tjerash thuhet se rasti në Komunën e Drenasit shpërfaq një sistem të brishtë të parandalimit, adresimit, mbrojtjes se viktimës dhe dënimit të abuzuesit me detyrë zyrtare në administratën publike.

Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Lirije Kajtazi tha se shumë raste të tilla nuk janë zgjidhur shkaku i papërgjegjësive institucionale.

Ajo ftoi deputetët që bashkërisht të nxjerrin rekomandimet përmes së cilave kërkojnë përgjegjësi.

Kajtazi: Drejtësia  është përplot padrejtësi ka mbyt kurajën qytetare për raportim

“Ky Kuvend shqyrton raportin vjetor të këshillit të mediave pa parë se çka rrëfen dhe çka në fakt prezantojnë mediat tona para fëmijëve dhe qytetarëve tanë, e shumë e shumë raportime të agjensioneve të ndryshme të pavarura e të varura. Ky Kuvend i lejon institucionet e pavarura që të bëhen vegël e politikës e mos të flasim për Qeverinë, e cila është e mbushur me sekserë dhe pazarxhinjë politik. E drejtësia përplot me padrejtësi ka mbytur kurajon qytetare për të raportuar atë në institucione që janë të thirrura për ta mbrojtur atë”, tha ajo.

Balaj-Halimaj: Të hiqet licenca e mësimdhënësve të involvuar në raste të tilla

Ajo që ndodhi në Drenas është një lëkundje e etikës profesionale në punë, lëkundje e shoqërisë dhe e shtyllave të shtetit.

Deputetja Albulena Balaj-Halimaj në mënyrë brilante tregon se si i shohin vajzat e saj mësuesit, policët dhe doktorët.

Balaj-Halimaj kërkoi nga deputetët që bashkërisht t’i identifikojnë dhe t’i vëmë para drejtësisë abuzuesit e tillë.

“Kërkoj nga ju që në harmonizimin e rekomandimeve në fund, ta merrni si një pikë heqjen e licencës së mësimdhënësit të gjithë mësimdhënësve kur kanë raste të tilla, të gjithë mjekëve tu hiqet licenca gjithashtu dhe të gjithë policët që përfshihen në skandale të tilla të mos kenë të drejtë kurrë të ushtrojnë atë profesion”, tha deputetja nga radhët e NISMA-s Albulena Balaj-Halimaj.

Haxhiu: Akuzat për ngacmim të nxënësve në shkolla po rriten

Ndërsa, Albulena Haxhiu, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, tha se janë të obliguar të adresojnë çdo ditë çështjet gjinore, për secilën grua dhe vajzë që përballet me probleme të tilla.

Haxhiu tha se mund të ketë shumë raste të tilla të cilat nuk dihen publikisht dhe nuk do të dihen asnjëherë.

 “Ministri i punëve të brendshme tha se që e ka menduar dorëheqjen, po mos mendo bëje dorëheqjen, ski nevojë me menduar se ka ndodhur një rast jashtëzakonisht i rëndë. Ne ende po ashtu, nuk u njoftuam pse prokurori i rastit ka mbyllur hetimet kundrejt mësuesit, ose nuk u njoftuam se para se me i mbyll hetimet a ka kryer ndonjë ekzaminim mjekësor, ose ndonjë ekzaminim të telefonit, apo mesazheve në rrjetet sociale, a ka bërë diçka prokurori i rastit kur e ka mbyllur lëndën për ngacmim seksual, e mësuesit. A e ka marrë në pyetje të dyshuarin, ose ndonjë dëshmitarë, apo vetëm e ka mbyllur rastin sepse vajza nuk ka ofruar prova. Sistemi ynë arsimor përveç që na lë të keq-arsimuar, shkollat tona janë bërë vende krimi, akuzat për ngacmim të nxënësve në shkolla po rriten e sa e sa kanë kaluar e po kalojnë në heshtje”, tha ajo.

Isufi: Duhet përgjegjësi dhe përkujdesje

Po ashtu në këtë seancë  foli edhe  Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ahmet Isufi, i cili për rastin e vazjës nga Drenasi, ka thënë se si deputet e ka për obligim të jap ide për zgjidhje konkrete të këtyre rasteve.

Isufi theksoi se të gjithë kriminelët që bëjnë veprime të tilla duhet të dënohen maksimalisht.

“Kërkojmë që drejtësia të veproj ashtu si duhet në bazë të ligjeve në fuqi. Shumica jemi prindër dhe pavarësisht nga gjinia duhet ta ndjejmë njësoj. Por si deputet kemi obligim të japim ide për zgjidhje konkrete të cilat mundësojnë që mos ta japim veprime të tilla në shoqërinë tonë. Duhet të kërkojmë nga institucionet arsimore që të shtrohet përkujdesje dhe përgjegjësi më shumë”, ka thënë Isufi.

Sipas tij, përmes komisioneve operacionale në Kuvendin e Kosovës e kanë për obligim që të monitorojnë çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e rendit dhe ligjit.

“Të gjithë ata kriminelë që bëjnë veprime të tilla të dënohen me dënime maksimale. Inkurajojmë të gjitha ato gra vajza që mund të jenë të cenuar dhe të prekur në moralin e tyre të lajmërojnë institucionet përkatëse dhe drejtësia të vihet në vend”, ka thënë deputeti, Ahmet Isufi.

Kollqaku: Ky nuk është rast i izoluar

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ftoi deputetët që të angazhohen për barazi ndaj ligjit.

Ajo tha se rasti ka të bëjë me një fëmijë, dhe duhet konsensus në Kuvendin e Kosovës.

Në fjalimin e saj, Kollçaku tha se abuzuesit ishin ata të cilët do të duhej të ishin autoritet tek të cilët fëmijët kanë besim.

“Jemi detyruar ta ftojmë këtë seancë të shqetësuar sepse nuk kishim përgjigje adekuate institucionale, të tre ministrat që janë përgjegjës, vartësit e tyre janë përfshirë, është dashur me urgjencë të ftohej mbledhja e Qeverisë dhe të dalin me qëndrime rreth ngjarjes. Mos të harrojmë, ky nuk është rast i izoluar, këtu bëhet fjalë vetëm për një vajzë e cila mori guximin, dhe përkundër një fenomeni që deri tani nuk është regjistruar në Kosovë, fenomeni i skllavërisë në aspektin e shfrytëzimit seksual sepse këtu kemi një kohëzgjatje prej 2 vjeçare të abuzimit me një të mitur, dhe ky është një fenomen që për herë të parë po ndodh në Kosovë, dhe po denoncohet, andaj duhet shtruar pyetja a jemi të gjithë të barabartë para ligjit”, tha ajo.

Kollçaku tha se, duhet të merren masa të domosdoshme ligjore për të parandaluar forma të mundshme të shfrytëzimit seksual.

Rekomandimet

Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës në Drenas, ka vendosur që të gjitha rekomandimet të propozohen dhe më pas të harmonizohen që të parandalohen rastet e tilla.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, si inicuese e seancës tha se të gjitha rekomandimet të harmonizohen dhe të jepen propozime që do të parandalojnë rastet e tilla.

“Dua të falënderoj çdo deputet. Ne propozojmë që krejt këto qe ishin si kërkesa për orientim të harmonizohen për krejt këto përfaqësuesit e grupeve. Është mirë që të ofrojnë tekstin e harmonizuar”, ka thënë Kajtazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat