Kosova nuk duhet t’i rrezikojë interesat strategjike amerikane

Politika

Kosova nuk duhet t’i rrezikojë interesat strategjike amerikane

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 17:44
Flamuj amerikanë të vendosur në sheshet e Prishtinës. 14 dhjetor, 2018.

Paralajmërimet amerikane nuk e kanë shtyrë ende Qeverinë e Kosovës që të ndryshojë qëndrim sa i përket heqjes apo pezullimit të taksës doganore prej 100 për qind për produktet me orgjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Pavarësisht se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili është edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, si subjekti më i madh në koalicionin qeverisës, u shprehën të gatshëm për pezullimin e tarifës për 120 ditë, kryeministri Ramush Haradinaj këmbëngulë në njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia, si kusht për pezullimin e tarifës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë javë më parë përmes një deklarate se veprimet që minojnë dialogun, përbëjnë qëndrim kundër interesave të SHBA-së.

"Shtetet e Bashkuara insistojnë se veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”, ishte thënë në deklaratë.

Vendimi i Qeverisë për mbajtje në fuqi të taksës edhe nga analistët politikë në Kosovë po shihet si veprim kundër interesave amerikane.

Analisti politik, Ilir Ibrahimi thotë se institucionet e Kosovës kanë pranuar kërkesa të qarta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i takon pezullimit të taksës.

Sipas tij, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është interes strategjik amerikan dhe se çdo hap kundër dialogut është veprim kundër interesave strategjike të Amerikës.

Ibrahimi thotë se Qeveria e Kosovës duhet që ta pranojë rekomandimin amerikan duke pezulluar për afat të pacaktuar taksën, për t’i dhënë kështu një shans dialogut në Bruksel.

“Taksa ka qenë një veprim politik dhe unë mendoj se e ka arritur qëllimin e vet. E ka arritur mesazhin që Kosova ka mundësi të marrë vendime të tilla të mëdha dhe pezullimi nuk do të thotë heqje e taksës. Pezullimi do të thotë për një kohë të caktuar sepse dialogu është interes strategjik amerikan dhe nuk mund të marrim hapa që e pengojnë këtë dialog. Nëse taksa është duke penguar, atëherë pezullimi i saj i hapë rrugë dialogut dhe ne ndihemi në linjë me interesat strategjike amerikane dhe vënia në linjë me interesat strategjike amerikane është edhe interes strategjik i Kosovës”, tha Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, Kosova nuk guxon që të ndërmarrë edhe më tej hapa të cilat do t’i cenonin marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, porse edhe nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë ai beson se pasojat do të jenë me tepër individuale sesa ndaj shtetit të Kosovës.

“Asnjë shtet, qoftë edhe Amerika nuk i vendos të gjitha interesat e veta duke u bazuar vetëm në individ, prandaj po besoj që partnerët e denjë të cilët do të jenë të aftë t’i rrinë prapa këtij partneriteti me Shtetet e Bashkuara do të jenë ata të cilët do të përkrahen, ndërkohë ata që shkojnë kundër interesave strategjike amerikane, atëherë besoj se do të ketë një izolim të tyre”, tha Ibrahimi.

Në prishjen raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së nuk beson as profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, i cili pret që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për heqjen e taksës.

“Mendoj se këto janë shenjat e para shumë serioze të dhëna nga Qeveria amerikane. Prandaj mendoj se mbi bazën e këtyre refleksioneve duhet që edhe ne të kemi përgjigjen tonë, përgjigjen e duhur. Nuk besoj shumë në prishjen e raporteve, prishjen përfundimtare, sepse jam shumë i bindur që lidershpi aktual dhe kushdo në Kosovë e dinë dhe e ka parasysh rëndësinë e raporteve të Kosovës me SHBA-në, prandaj unë besoj shumë se do të gjendet një zgjidhje e do të ruhet miqësia me SHBA-në, pa të cilën vërtetë është e paimagjinueshme ecja e Kosovës përpara”, deklaroi Hoti.

Profesori Hoti thotë se Kosova duhet të reflektojë në raport me kërkesën amerikane duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut në Bruksel, gjë për të cilën sipas tij, SHBA-ja është duke kërkuar vazhdimisht nga Kosova.

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka marrë porosi të qartë në Uashington se pa pezullimin e tarifës doganore ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk mund të vazhdojë dialogu në Bruksel.

Presidenti Thaçi tha se është krijuar përshtypja se me vendosjen e taksës, Kosova është bërë pengesë për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ai tha se është në dorën e Qeverisë, që ta pezullojë këtë masë.

Taksa prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina u vendos nga institucionet e Kosovës me 21 nëntor të vitit të kaluar./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat