Ramush Tahiri: Taksa të pezullohet që të kthehet normaliteti dhe të vazhdojë dialogu

Politika

Ramush Tahiri: Taksa të pezullohet që të kthehet normaliteti dhe të vazhdojë dialogu

Nga: G.B Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 23:44
Ramush Tahiri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar sërish pezullimin e taksës.

Sot ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S Kosnnett, i dorëzoi Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, letrën nga Mattthew Palmer, zëvendësasistenti i Sekretarit të shtetit, zëvendësassistentja e Sekretarit të Mbrojtjes, Laura Cooper dhe Zëvendës Drejtori për Çështje të Europës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath.

Pas kësaj letre u mblodhën krerët e shtetit, por kryeministri Ramush Haradinaj tha pas takimit se taksa nuk do të hiqet.

Lidhur me letrën dhe kërkesën e SHBA-së për taksën, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është e habitshme që SHBA që disa herë po kërkon pezullimin e taksës, pasi mendohej se Kosova vepron në koordinim me politikat e SHBA-së.

“Fatkeqësisht, edhe për habinë e opinionit të Kosovës Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vihen në pozicion që disa herë të reagojnë publikisht ndaj politikës së Kosovës duke shprehur hapur mospajtimin me veprimet e caktuara. Kjo ishte e paimagjinueshme pasi që besohej se politika e Kosovës është në të gjitha segmentet e koordinuar me politikat e SHBA dhe se shteti i Kosovës pavarësinë dhe të ardhmen e mbështetë në përkrahjen dhe në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Tahiri.

Sipas tij, askush se ka menduar se taksa do të përkeqësonte marrëdhëniet me SHBA-në, pasi kjo do të duhej të respektohet që në fillim, derisa shton se gjendja po arrin në një fazë që nuk po mundet të kontrollohet.

“Askush nuk ka menduar se vënia e një takse nga Qeveria për mallrat e importuara nga Serbia do të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Sepse një kërkesë e bërë për pezullimin e taksës do të duhej të respektohej menjëherë nga institucioni i cili edhe e ka vënë këtë masë, për siç e thekson në arsyetim e ka marrë për arsye politike. Kjo çështje u zgjat së tepërmi dhe reagimet nga miqtë ndërkombëtarë nuk po zvogëlohen por po rriten dhe në gjendjen tërhiqe e mos këput Kosova po arrijnë në shkallë që si ka parashikuar dhe që nuk po mundet dhe nuk do t’i mund t’i menaxhojë e kontrollojë”, ka vlerësuar Ramush Tahiri.

Ai mendon se taksa duhet të pezullohet që të kthehet normaliteti dhe të vazhdojë dialogu e të nënshkruhet marrëveshja me Serbinë.

“Si qytetar mendoj se taksa duhet menjëherë të pezullohet në mënyrë që të gjithë të mund t’i kthehemi normalitetit dhe që të mund të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që brenda këtij viti të arrihet të nënshkruhet marrëveshja gjithëpërfshirëse. Taksa deri tash e ka arritur qëndrimin e saj politik ndërsa efektet ekonomike janë të papërfillshme në këtë kontekst”, ka deklaruar Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat