“Prognoza e Daçiqit rreth ç’njohjeve për Kosovën, është vetëm një ‘fontanë dëshirash’”

Politika

“Prognoza e Daçiqit rreth ç’njohjeve për Kosovën, është vetëm një ‘fontanë dëshirash’”

Nga: D. B. Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 17:25
Ivica Daçiç

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq ditë më parë ka paralajmëruar tërheqje tjera të njohjes së Kosovës, madje këto deklarata i bëri duke prezantuar raportin e ministrisë para Këshillit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Serbisë, ku rëndësi i është kushtuar uljes së numrit të njohjeve të Kosovës dhe tërheqjes së tyre.

Sipas tij, Serbia duhet të ruajë kontaktet me vendet në ndikim por edhe ato më të vogla në mënyrë që Kosova të mos bëhet pjesë e OSBE.

Në lidhje me këtë deklarate ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ky veprim i Ivica Daciq është i qartë dhe e ditur pasi ai është armiku më i madh i shqiptarëve bashkë me Serbinë.

Image
Vesel Makolli

“Haxhi Zeka e  e ka pasur një thënie ku thotë "Dreqi i afërt është shumë më i rrezikshëm, sesa dreqi i largët".  Ne historikisht më shumë jemi marr me vetveten gjegjësisht me rivalitetet e brendshme sesa me kundërshtarët e jashtme dhe me veprimet tona jo adekuate për momentet dhe situatat e caktuara. Madje ne ju kemi lënë hapësirë veprimi edhe kundërshtarëve tanë. Më shumë  po më brengosin mospajtimet eventuale nëse ndodhin tek faktori ynë politik sesa propaganda serbe dhe sulmet e Daçiqit si dhe presioni i tij anti – Kosovë që po e bënë në disa shtete të vogla të globit. Atë që e thotë ministri serb Daçiq në Parlamentin e tyre është më shumë një demagogji, apo më mirë të them një dëshirë e tij për të ndodh ashtu siç dëshiron ai”, ka thënë Makolli.

Sipas tij liderët serb e kanë indoktrinuar popullin e tyre me lloj- lloj rrena e mite rreth Kosovës, për ti minimizuar problemet e brendshme politike e ekonomike që i ka shteti Serb.

“Prognoza e Daçiqit rreth njohjeve nuk qëndron, pasi kjo dëshirë e tij mund të jetë  vetëm një fontanë dëshirash e liderëve serb dhe hedhje hi syve të popullit të tyre, edhe ashtu të vuajtur nga ngecja e stagnimi i shtetit të tyre në të gjitha lëmit, si dhe arsyetimi i premtimeve të dhëna e sidomos i buxhetit të hargjuar së koti për këtë qëllim. Ne për herë të parë jemi rreshtuar drejt në konstelacionin e forcave botërore, duke pasur në krah aleancën më të fuqishme ushtarake si dhe nunin e shtetësisë sonë SHBA-an”, ka thënë Makolli.

Ai konsideron se veprimet që Institucionet e Kosovës duhet ti marrin janë "kryerja e detyrave të shtëpisë", në kontekst të asaj që ne të jemi më unik kur kemi të bëjmë me çështjen jetike për shtetin tonë, si dhe për ruajtjen e miqësisë në nivelin më të lartë, me miqtë tanë ndërkombëtar.

“Rrota historike nuk shkon mbrapa, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik dhe është një realitet që funksionon që 20 vjet.  Kurse de jure ekziston që 11 vjet e pranuar nga shumica dërmuese e shteteve të globit, e sidomos nga të gjitha shtetet relevante me ndikim. Andaj çdo tentativë serbe është e kotë dhe e pa gjasa as teorike për tu realizuar. Ne duhet të jemi unik dhe të vazhdojmë "ofensivën"  tonë diplomatike, e sidomos tek ato vende që ende nuk na kanë njohur, si dhe tek ato që janë nën presionin dhe me ndikimin serb, për demaskimin e politikës serbe të kamufluar”, ka thënë Vesel Makolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat