Kosova përballë pasardhësit të kriminelit Millosheviç në dialog

Politika

Kosova përballë pasardhësit të kriminelit Millosheviç në dialog

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 shkurt 2019 Në ora: 08:13
Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq dhe Federica Mogherini

“Ajo që është kryesore për Kosovën është që fare mos të përfaqësohet nga Hashim Thaçi, gjë që kjo do të bënte që të pengohej plani i tij së bashku me Vuçiqin për zhbërjen e shtetit të Kosovës, duke e ndarë atë në vija etnike gjoja si një marrëveshje historike në mes Kosovës dhe Serbisë ”, ka thënë opinionisti Nexhat  Haziri.

 

Nuk është hera e parë që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, del me deklarata skandaloze, duke dashur kështu të ringjallë edhe një herë portretin më të njollosur e të urryer tek shqiptaret kriminelin Sllobodan Millosheviq. Edhe pse e gjithë bota e njeh Millosheviqin për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj popullatës civile, Vuçiq nuk nguroi të thotë një deklaratë të shëmtuar gjatë një takimi që kishte. Ai mes tjerash ka thënë se “nuk ka fuqi më të madhe në një popull se ish presidenti, Sllobodan Millosheviq. Madje, ka shtuar se ai është edhe më i fortë se Milosheviqi. Vuçiqi, jo vetëm që i mohoi luftërat e bëra të Millosheviqit, masakrat, përdhunimet, varrezat masive të paramilitarëve e ushtrisë së Millosheviqit, por u krenua me Millosheviqin?

Kjo deklaratë e tij po konsiderohet e  njëjtë  me atë të Putinit, i cili kërcënon Ballkanin dhe Evropën perëndimore duke paralajmëruar luftën e dytë ballkanike.

Ahmeti: Personaliteti dinak i Thaçit nuk mund të pastrohet me lojëra të tilla

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë për “Bota sot” se, deklarata të tilla të krerëve të institucioneve të Serbisë nuk janë të papritura, të cilat brenda vetës kanë gjuhën  e logjikës hegjemoniste. Kjo tregon për mentalitetin e njëjtë të politikanëve serb, edhe pse kanë kaluar shume vite.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi është dëshmuar se ka qenë një qasje mbrapshtë, duke  fuqizuar Serbinë në raport ndërkombëtarë e duke gjunjëzuar Kosovën karshi Serbisë.

“Shtatë  vite bisedime, jo që u integruan serbet në institucionet e Republikës së Kosovës, por u fuqizua shteti serb brenda Kosovës. Shumë marrëveshje të arritura në mes palëve nuk u zbatuan asnjëherë, edhe ndërmjetësja në mes palëve BE-ja heshti, bile duke insistuar që dialogu të vazhdojë. Me këta njerëz dialogu do ta afrojë Serbinë drejtë BE-së dhe mekanizmave të fuqishëm ndërkombëtarë dhe do ta dëmtojë Republikën e Kosovës në substancë. Presidenti Thaçi përmes kësaj loje politike, po dëshmon “urtësinë dhe maturinë” politike karshi  faktorit ndërkombëtare, por personaliteti i  tij dinak nuk mund të pastrohet me lojëra të tilla”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Ai konsideron se ndërkombëtarëve ju nevojitet një personalitet i luhatshëm sikur Thaçi për ta manipuluar e për të qenë i dëgjueshëm karshi koncesioneve që e presin Kosovën në dialog.

“Krerët institucional e në veçanti ekipi negociator me strategjinë e re duhet që në tryezën e bisedimeve të diskutojë për krimet e luftës, dëmet materiale, masakrimet, përdhunimet  e jo kjo çështje të harrohet. Por, duke ditur se pala kosovare  ka vepruar me logjikën nënshtruese ndaj Serbisë, kemi ardhur në një gjendje ku të diskutohet për çështje të brendshme dhe të kontestohet statusi i Pavarësisë së Kosovës. Logjika e nënshtrimit deri në servilizëm ka ngjallur apetitet e shtetit serb për Bosnjëzimin e Kosovës, gjithherë përmes klasës udhëheqëse të korruptuar dhe shantazhuar. Institucionet e Republikës së Kosovës, paritë politike (pozitë-opozitë), shoqëria civile dhe gjithë mekanizmat shtetërorë duhet të bëhen bashkë kur vjen në pyetje interesi kombëtar e nacional. Serbia në vazhdimësi propagandon  duke e luftuar Kosovën në të gjitha aspektet, kurse klasa politike udhëheqëse në Kosovë hezitojnë të thonë të vërtetat për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Burjani: Vuçiq politikan me politika konservatore çetnike

Image
Blerim Burjani

Kurse, Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike e politike ka pohuar se kjo deklaratë e Vuçiqit është një inspirim i Milloshevicit, i cili ishte nacionalist më i madh, dhe një nga liderët më  çetnik i të gjitha kohërave.

Sipas tij, ky njeri ka propaganduar një politik të moderuar nacionaliste pro - çetnike, kështu që fryma çetnike, nuk është fryme demokratike.

“Ka disa që në Serbi e quajnë si përkrahës të politikës gjermane në BE, dhe kjo është një rrenë e kulluar, pasi opozita serbe e kundërshton atë për të nxënë karrigen e tij, e njëjtë me këtë me këtë frymë që ka ky njeri, lind pyetja se a ja vlen Serbia me ndërrua një çetnik nacionalist me një çetnik tjetër nga opozita aktuale në Serbi? Nuk e besoj se është e vlefshme, pasi Serbia ka nevojë për demokraci e jo për politikan dhe politika konservatore çetnike”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Haziri: Ky është plani më i rrezikshëm për Kosovën

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se kjo deklaratë e presidentit të Serbisë Vuçiq, më shumë është një deklaratë për konsum të brendshëm politik në Serbi,  sesa një kërcënim për Kosovën.

“Kjo deklaratë e tij, më shumë është një konsum sidomos tani ku në Beograd protestojnë qindra mijëra serb kundër politikës së Vuçiqit, sesa një kërcenim real për Kosovën dhe rajonin. E them këtë për arsye të shumta, pasi një nga këto është se Kosova dhe shtetet e Ballkanit në përgjithësi nuk janë më ato të viteve të '90. Sot kemi një baraspeshë në mes shteteve në rajon, qoftë sa i përket ekonomisë, politikës, forcave ushtarake, interesave gjeostrategjike që kanë shtetet e Ballkanit. Po ashtu një nga faktorët më kryesor që e bënë ''fluskë sapuni'' këtë deklaratë të presidentit serb Vuçiq sa i përket kërcënimit të tij ndaj Kosovës dhe rajonit, është prania ushtarake e perëndimit në rajon, sidomos ajo e SHBA-ve, dhe po ashtu rrethimi apo kufizimi i Serbisë me fqinjë që tashmë janë anëtar të NATO-s”, ka thënë opinionisti Haziri.

Kurse, sa i përket asaj se a duhet presidenti Thaçi të dialogoj më Vuçiqin pas kësaj deklarate, Haziri ka thënë se nisur nga parimi askush  nuk mund t’ia caktojë dikujt se më kë përfaqësohet pala tjetër dhe me të cilën do të negociosh apo dialogosh.

“Ajo që është kryesore për Kosovën është që fare mos të përfaqësohet nga Hashim Thaçi, gjë që kjo do të bënte që të pengohej plani i tij së bashku me Vuçiqin për zhbërjen e shtetit të Kosovës, duke e ndarë atë në vija etnike gjoja si një marrëveshje historike në mes Kosovës dhe Serbisë. Për mua ky është plani më i rrezikshëm për Kosovën, se sa deklaratat e presidentit Vuçiq, sepse nëse ai është i fortë sa ish-diktatori Millosheviq apo më shumë, pasi dominimit të Serbisë në rajonin e Ballkanit, iu është dhënë fund qysh në fillim të vitet '2000, e me këtë edhe interesave të Rusisë në rajonin tonë”, ka thënë opinionisti  Haziri.

Duhanaj: Vuçiq nuk është asnjë pikë më i mirë se Millosheviqi

Image
Leon Duhanaj

Nga ana tjetër, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se politika serbe, përgjatë tërë rrjedhës historike ka qenë djallëzore, madje siç edhe e njeh historia kanë qenë shkaktari kryesor i shpërthimit të luftërave, duke filluar nga lufta e parë botërore, e deri në luftërat e fund-shekullit të kaluar brenda ish Jugosllavisë.

“Pra ishte Serbia në krye me Millosheviqin, që shkaktuan gjithë atë gjakderdhje, madje edhe presidenti i tanishëm i Serbisë Vuçiq nuk është asnjë pikë më i mirë se Millosheviqi. Madje ndoshta është edhe më kriminel se ai, por ajo se çfarë e dallon këtë nga ai kasapi, është se ky operon në rrethana të tjera dhe është i varur shumë nga faktorë të ndryshëm përreth. Vet fakti që një President i një vendi përfaqësues i një masakruesi kombesh, nuk është i gatshëm as të pendohet dhe të kërkoj falje për krimet e paraardhësve të tij, është argument sa të duash që ta mohosh çdo takim me të, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, fakti që Serbia edhe pse përfaqësohet nga njerëz të tillë, pranohet në qarqet ndërkombëtare si vend demokratik, tregon se politika nuk ka parime dhe se drejtësia në kuptimin e plotë të fjalës nuk ekziston.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat