“Ideja për korrigjimin e kufijve është ide e vjetër serbe, jo e Thaçit apo Vuçiqit”

Politika

“Ideja për korrigjimin e kufijve është ide e vjetër serbe, jo e Thaçit apo Vuçiqit”

Nga: G.B Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 12:50
Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçi

Njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ideja për korrigjim të kufijve është ide e vjetër serbe dhe jo e Thaçit apo Vuçiqit.

“Korrigjimi i kufijve nuk do të bëhet për shkak të insistimit apo zhurmës që po prodhon lobi Vuçiç-Thaçi, si zëdhënës të koalicionit ruso-turk. Kjo ide nuk është as e presidentit Vuçiç, as e Thaçit, por është pak a shumë ide e vjetër serbe, e përpunuar nga agjenda e përbashkët ruso-turke. Kjo duket të jetë një projekt euro-aziatik për tejkalimin e armiqësive në mes shqiptarëve dhe serbëve dhe vendosjen e raporteve të favorshme mes tyre, pra të favorshme për konjukturën euro-aziatike e cila duhet pranuar se ka lobuar thellë për këtë ide deri në vetë administratën Trump dhe te e njëjta ka gjetur interesim që çështja të zgjidhet me një kompromis”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës kjo ide do të ndiqet edhe më vonë, në Bosnjë e Maqedoni.

“Thelbi i kësaj ideje, e cila do të ndiqet më vonë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, e mbase edhe Maqedoninë Veriore, është të shtrohen transversalet e ndikimit rus dhe turk në rajon, dhe të lidhen politikisht”, ka vlerësuar Lepaja.

Ai thotë se Akademia e Shkencave dhe Arteve nuk është përgjegjëse për çështjen e kufijve dhe reagimi i saj është më tepër politik se profesional e shkencor.

Image
Fadil Lepaja

“Akademia e Shkencave dhe Arteve, natyrisht, vështirë se ishte ndonjëherë në nivel të detyrës, si faktor profesional, shkencor dhe civilizues, që do të unifikonte idetë qytetare dhe kombëtare të kosovarëve, dhe kjo për shkak të karakterit grupor, partiak dhe regjional të tyre. ASHAK, nuk është përgjegjëse për çështjen e kufijve dhe as ka treguar ndonjë seriozitet lidhur me çështjen e raporteve shqiptaro-serbe dhe reagimi i saj në këtë rast më tepër është politik sesa profesional dhe shkencor apo kombëtar. Me kushtetutë janë të definuar vendimmarrësit lidhur me këtë çështje dhe unë mendoj se askush s’ka të drejtë të kufizojë sovranin, pra qytetarin që të vendosë për gjithçka, përfshi këtu edhe çështjen e kufijve gjithnjë duke vendosur me një koncesnus nacional dhe qytetar. Shqiptarët dhe as serbët nuk e kanë përcaktuar parimin e mosndryshimit të kufijve, të njësive federale të ish Jugosllavisë, por këtë e kanë bërë fuqitë e kohës përmes organizatave ndërkombëtare dhe duke e mbështetur në normat ndërkombëtare”, ka theksuar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Sipas tij, as shqiptarët e as serbët nuk mund ta pengojmë ndryshimin e parimit për mosndryshim të kufijve.

“Shqiptarët as serbët nuk kanë fuqi as të e pengojnë ndryshimin e këtij parimi nga ana e të njëjtëve faktorë, nëse ata do të lëvizin konjukturat dhe parimet globale, por gjithsesi duhet të shohin interesat nacionale dhe qytetare në rrethana të reja, të mundshme, dhe të vendosim me një konsensus nacional. Ne gjithsesi nuk duhet të jemi rrënuesit e këtij parimi, të vendosur nga bashkësia ndërkombëtare sepse kjo nuk paraqet interes ekzistencial për ne. Serbët, prapa të cilëve qëndrojnë edhe interesat ruse në rajon, duan që ky parim të rrënohet, përgjegjësinë ta marrin shqiptarët dhe ideja e tyre e bashkimit kombëtarë, e cila pastaj do të anatemohej dhe do të përfitohej për interesa të projektit të Serbisë së Madhe, pasi që primi i lëvizur pa garanci ndërkombëtare do të rivendoset aty ku arrin të e vejë fuqia ushtarake”, ka vlerësuar ai.

Sipas Lepajës, nuk duhet insistuar të pranohet parimi i ndryshueshmërisë së kufijve për interesa të tjerëve.

“Pra, në përgjithësi, shqiptarët, dhe Kosovën në veçanti nuk duhet të insistojnë as të pranojnë parimin e ndryshueshmërisë së kufijve për interesa të tjerëve, por nëse ky parim do të lëvizë, atëherë duhet qysh tash ndërtuar një konsensus nacional dhe situata e re mos të na gjejë në konfuzion dhe të bllokuar”, ka përfunduar Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat