Korrigjimi i kufijve, ide e huaj dhe e çmendur në këtë fazë

Politika

Korrigjimi i kufijve, ide e huaj dhe e çmendur në këtë fazë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 shkurt 2019 Në ora: 22:13
Jakup Krasniqi

Ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që ishte përgjegjësi për seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës, ka rrëfyer emocionet e 17 shkurtit 2008.

Duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Krasniqi ka thënë se për atë ditë ishin përgatitur të gjitha institucionet e shtetit.

Si institucione të shtetit, Krasniqi, ka thënë se kishin komunikim të pa parë e të papërsëritur, por, sipas tij, ai komunikim pas Pavarësisë e sidomos pas vitit 2010 nuk u vazhdua më.

Ai ka treguar edhe arsyen pse ishte zgjedhur 17 shkurti si dita historike, ndërsa në përvjetorin e 11-të, ka numëruar edhe arritjet, por edhe ngecjet e shtetit tonë.

Në këtë intervistë, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ka kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufijve, duke e quajtur atë ide të huaj dhe të çmendur.

Ai ka theksuar se fajtori vjen që nga koha e Raportit të Dick Martit, një raport që sipas tij, është përgatitur në kuzhinën e Beogradit, në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Serbisë.

Ndërsa, teksa ka folur për letrën e amerikanëve drejtuar krerëve të Kosovës për heqjen e taksës, Krasniqi ka thënë se presioni është i padrejtë.

“Bota sot”: Z. Krasniqi, a mund të na përshkruani emocionet e 17 shkurtit 2008, kur u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës?

Jakup Krasniqi: Në fakt, emocione më të mëdha kam pasur në qershorin e vitit 1999 atëherë kur është çliruar Kosova nga forcat ushtarake, policore e administrative të pushtuesit dhe largimi i tyre jashtë kufijve të Kosovës. Për mua aty është fillimi i Lirisë dhe i Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, në momente kur pret të formatizohet e ndërkombëtarizohet një aspiratë e madhe e brezave, e sidomos atëherë kur e sheh të realizohet angazhimi jetësor të dekadave të angazhimit tënd për çlirim, më e madhe se emocionet është droja se si do të rrjedh procesi i atij finalizimi të madh. Në momente të tilla emocionet sikur dalin në plan të dytë, ndoshta edhe për faktin se i tërë përqendrimi është sesi do të përfundojë procesi, për të cilin kishin luftuar, punuar e sakrifikuar shumë breza.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni nesër në versionin e shtypur të gazetës kombëtare "Bota sot")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat