Profani apo tradhti kërkesat skandaloze të Hashimit e Ramushit

Politika

Profani apo tradhti kërkesat skandaloze të Hashimit e Ramushit

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 18 shkurt 2019 Në ora: 07:59
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj

Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, edhe pse nuk u lëndëzua zyrtarisht, me njohje ndërkombëtare, ajo ishte shumë domethënëse. Akti i deklarimit të pavarësisë, nga Kuvendi i Republikës të Kosovës, tashmë, nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë të Dr. Ibrahim Rugovës, me pushtet absolut moral e shpirtëror, pati efekte në rrafshin vendor e ndërkombëtar. 

Në aspektin e brendshëm, populli i Kosovës, pas një dekade përpjekjeje provokuese e sakatosëse, nga regjimi i egër serbo-sllav, vendosi të shkëputet nga kufoma e galvanizuar, siç ishte Federata jugosllave. Në aspektin e jashtëm, botës po i dërgohej një mesazh i qartë: Populli shqiptar i Kosovës, ka vendosur të mos tolerojë më tutelën e vrazhdët jugosllave.

Deklaratën e Pavarësisë, brenda dy vitesh, do ta pasonin edhe aktet e tjera shtet-formuese. Dekada e dytë e terrorit serbo-sllav, do të vrazhdësohej edhe më shumë, duke e detyruar popullin e Kosovës të mbrohet, tashmë, më armë. Raporti shpërpjesëtimor i forcave në konfrontim, përballje, më shumë se luftë, ishte masakër mbi shqiptarët. Dëshmi janë shifrat fatale të viktimave shqiptare.

Konferenca në Rambuje, përcaktoi fatin e Kosovës, me vendimin për ndërhyrjen e forcave ushtarake ndërkombëtare, të organizuara në NATO-paktin. Me "Apaçët" e saj bombardues, përmbylli edhe "lojën" e përgjakshme të Millosheviçit, me falangat e tij vrastare.

U deshën afro 9 vjet pritje, nga çlirimi, deri ke rishpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Njohja ndërkombëtare ishte solide, meqë përfaqësohej nga shtete me peshë në vendimmarrjet botërore.

Sot, pas 20 vjet lirie dhe 11 vjet pavarësie, Kosova bën regresin e madh, sa të papritshëm, aq edhe të rrezikshëm. Dhe, ky regres përfaqësohet nga, hiç më pak, se sa Presidenti dhe Kryeministri i vendit, përkatësisht, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

I pari kërkon rishikimin e kufijve, korrigjimin e tyre, nëpërmjet një dialogu maratonë me Serbinë, kinse, "për të përfunduar me një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përfundimtare!"

I dyti kërkon një Konferencë ndërkombëtare, për t`i trajtuar pretendimet e Serbisë, "për të përfunduar edhe me njohjen e Kosovës nga Serbia!"

Qoftë kërkesa e Hashimit, me korrigjimin e kufijve, në mes Kosovës dhe Serbisë; qoftë kërkesa e Ramushit, për një Konferencë Ndërkombëtare, janë, qartësisht, të dëmshme, fatale për Kosovën, madje skandaloze, deri në idiotësi politike. Dhe, natyrshëm lind pyetja: profani, injorancë, mosdije politike apo tradhti e vetëdijshme e Hashimit e Ramushit, veprimet e tyre ngulmuese, në kërkesat publike të bëra?!

Mendoj se profania, injoranca politike, është para tradhtisë së tyre. Por, sidoqoftë, profania apo tradhtia, për ta neutralizuar, amortizuar, dëmin e madh, tashmë, të vënë në tavolinën e bisedimeve, më e pakta që duhet bërë, është dorëheqja e Presidentit dhe e Kryeministrit. Në të kundërtën, largimi i dhunshëm i tyre, është domosdo. Dhe, sa më parë, aq më mirë. Fajet politike, nuk mund të tejkalohen me retushime, arnime. Vetëm bisturia, operimi, sanon, shëron plagën.

Bën përshtypje se kërkesa e Ramushit shoqërohet me një varg kushtëzimesh ndaj Evropës dhe Amerikës, që përbën një idiotësi, në llojin e vet. "Ai flet si e ëma e Zeqos maje thanës", shprehje kjo e vëllezërve jugorë, që përdoret kur dikush flet palidhje, budallallëk.

Përmendim vetëm kushtin e liberalizimit të vizave. Çfarë fytyre kanë Presidenti, Kryeministri, Krye parlamentari, kryetari i Nismas, me zyrtarët e tyre banditër, të kërkojnë liberalizimin e vizave, duke mashtruar e gënjyer, turpshëm, qytetarët e Kosovës, BE-në dhe botën, sikur, gjoja, janë plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

Realisht, Kosova nuk ka përmbushur dy kushtet bazë:

1. Luftimin e krimit të organizuar.

Janë 320 mijë lëndë penale të pazgjidhura dhe 1.820 vrasje politike të pazbuluara. Ndërkohë, nën akuzë janë, pikërisht, edhe 4 (katër) zyrtarët kupolë pushtetarë, të cituar dhe bandat e tyre, të shtrira në tërë Kosovën. Shquhen për krime dhe terror ndaj shqiptarëve, përkatësisht, kundërshtarëve politikë, bandat bashkëpunuese në ekzekutime: Dukagjini, Drenica dhe LLapi, të cilat kanë përgjakur Kosovën.

2. Korrupsioni, vjedhja zyrtare, tashmë, i denoncuar, kallëzuar me fakte, por, jo edhe i gjykuar, i ndëshkuar zyrtarisht! Janë evidentuar 89 milionë euro vjedhje zyrtare, edhe pse specialistët thonë se kjo shifër është e shumëfisht dhe vazhdon të rritet. Prej tyre, deri tani, janë sekuestruar vetëm 4 (katër) milionë euro!!! Janë, pikërisht, këta kriminelë, të cilët çirrën, kushtëzojnë e kërkojnë, madje me fyerje e kërcënime, ndaj Evropës dhe Amerikës, për liberalizimin e vizave. 

Pushtetarët aktual prijnë me korrupsionin, vjedhjen zyrtare, duke blerë pasuri të patundshme milionëshe, me pak mijëra euro; duke grabitur pasuritë e brezave shqiptarë; duke ushtruar haraçin e përgjakshëm; tenderimet korruptive dhe të gjithë katalogun e pisllëqeve hajnore.

Pse krerët kriminelë, në kupolë të pushtetit në Kosovë, nuk dorëzojnë në sekuestro tokat e grabitura shtetërore; pallatet e dhëna me qera; objektet e ndryshme biznesore, të aktivizuara në lokacionet e mëparshme shtetërore, disa syresh, me pronësi të bartur ortakërisë familjare, duke i inkriminuar edhe ata?!

Pushtetarët e pacipshëm e kriminelë, kanë kapur sistemin e drejtësisë, kanë kapur shtetin e Kosovës, duke e kthyer në çiflig të tyre. Një popull qyqar, që manipulohet lehtë, vegjeton, gjumon e heshtë, si skllevërit e qëmotit!

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, duke sjellë dy urtësi popullore, ka dhënë, madje, në sintezë, gjëmën e madhe, që po i sjellin Kosovës, Presidenti dhe Kryeministri i vendit, duke kërkuar Marrëveshje e Konferenca Ndërkombëtare, duke e kthyer Kosovën në para Rambuje, për të vënë në luhajë sovranitetin tokësor të Kosovës. Këta dy mjeranë, kërkojnë të risjellin në tavolinë pretendimet e akademikëve serbë, për tokat shqiptare.

Citojmë, Jakup Krsniqi: "Në këtë rast do t`i theksoj dy thënie sa filozofike e po aq edhe emblematike të popullit tonë. siç janë":

"Qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë!"

"Nuk më erdhi keq prej ujqerëve, që m`i shqyen delet, por pse qetë tanë u bashkuan me ta!" Kur nuk ka kush me ta ruajtur torishtën, dëmi është hazër! Pësimi bie mbi delet e urta",- shkruan Krasniqi.

Qendrat e Vendosjes, duke dëgjuar kërkesat e Presidentit dhe të Kryeministrit të Kosovës, me zyrtarët lakej të tyre, arritën në konkluzionin se "nëse palët dakordohen edhe për ndryshime e shkëmbime territoresh dhe çfarëdo marrëveshje tjetër, edhe ne pajtohemi!"

Njëjtë ka ndodhur edhe për Demarkacionin me Malin e Zi. Kryeministri Isa Mustafa dhe Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, deklaruan, madje, botërisht, se "Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë, me vijën kufitare të shënuar nga Mali i Zi!" Dhe, bota jo vetëm e aprovoi, por, edhe ngulmoi të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës, Marrëveshja e nënshkruar, paraprakisht, nga ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni. Shefat botërorë merren vetëm me zyrtarët shtetërorë dhe nuk pyesin çfarë mendon e thotë opozita, çarshia.

Arma e vetme e opozitës është rruga, protestat masive dhe të çdoditshme, deri në largimin e pushtetarëve kriminelë hajdutë, tani, edhe tregëtarë të tokave stërgjyshore.

Lëvizja Vetëvendosje, dikur, e vetme në mbrojtje të Republikës, tani, po heshtë si peshku! Po mjaftohet duke lëshuar ndonjë tullumbace kundër bullecit Shpend Ahmetit, një manipulator i pafytyrshëm. Ai po i diskrediton, keqas, vajzat e djemtë, dikur, luftëtarë krenarë në radhët e Vetëvendosjes. Njëherësh, kriminalisht, po e mbanë në pushtet bandën PAN, me arsyetime absurde e bajate, hipokrite e servile. Realisht, lëpirja e tij pas PAN-it, është përgatitje për strehim afatgjatë në strofullin e krimit.

LDK-ja, me skënderhysenat e saj, është e shantazhuar dhe e bllokuar nga SHIK-u. Parlamentarizmi i LDK-së, nuk premton një zgjidhje të shpejtë, ndërkohë që intrigimet varrmihëse ndaj Kosovës janë intensifikuar. Kosova para rrezikut SOS! Kohë për reflektim dhe veprim. 

Opozita shumicë, duhet të jetë e pranishme çdo ditë me Konferenca shtypi dhe thirrje për syçeltësi të popullit, keqas, të mashtruar dhe të përgjumur, nga propaganda lehaqene e shteruese e bandës PAN në pushtet. Opozita duhet të agjitojë në qytet e fshat, në lagje e shtëpi, për ta sqaruar e vetëdijesuar popullin, për pazaret e pista që vazhdojnë të bëjnë pushtetarët e krimit, hajnisë zyrtare, haraçit të përgjakshëm dhe pisllëqet tjera. Opozita duhet të pushtojë rrugët, sheshet dhe bulevardet e Kosovës, deri në shporrjen e krimit nga kupola e shtetit dhe e pushtetit mafioz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat