Daçiq po humbë kohë me propagandën për ç’njohjen e Kosovës

Politika

Daçiq po humbë kohë me propagandën për ç’njohjen e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 shkurt 2019 Në ora: 07:45
Ivica Dacic

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, ditë më parë ka paralajmëruar tërheqje tjera të njohjes së Kosovës. Madje, këto deklarata ai i bëri duke prezantuar raportin e ministrisë, para Këshillit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Serbisë, ku rëndësi i është kushtuar uljes së numrit të njohjeve të Kosovës dhe tërheqjes së tyre.

Vuniqi: Kosova deri më tani nuk ka marrë zyrtarisht as edhe një notë verbale

Image
Rejahan Vuniqi

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Rejahan Vuniqi, ka thënë për “Bota sot” se nuk është aspak befasuese që shefi i diplomacisë serbe Ivica Daciq vazhdon me fushatën e tij kundër shtetësisë së Kosovës, ani pse me argumente dhe deklarata të rrejshme mbi tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

“Ne kemi deklaruar edhe më parë dhe e them edhe sot që tërheqja e njohjes me të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston si proces dhe si i tillë nuk mund të shikohet në atë mënyrë. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deri më tani nuk ka marrë zyrtarisht as edhe një notë verbale nga asnjë shtet për të cilat Daçiqi pretendon se ka tërheqje të njohjes. Përkundrazi ne kemi akredituar ambasador jo rezident në ato shtete dhe kemi forcuar edhe më tej marrëdhëniet tona diplomatike dhe ato të interesit të përbashkët. Për mua personalisht kjo dekoratë e Daciq është agresive dhe aspak diplomatike, por megjithatë duhet t`i marrim si normale veprimet e tij, dhe ne si Kosovë  duhet të veprojmë dhe të punojmë për njohje të reja të Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Institucionet e Kosovës e në veçanti MPJ, janë duke punuar intenzivisht në forcimin dhe krijimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që tanimë e kanë njohur Kosovën duke iu ofruar argumente reale të gjitha atyre shteteve të cilat hezitojnë të njohin Kosovën.

“Ne kemi argumente të bazuara në opinionin e GJND-së dhe faktit që tanimë Kosovën e kanë njohur 116 shtete të botës dhe se është e anëtarësuar në mbi 60 organizata ndërkombëtare, fakte këto që Serbia dhe Daçiq mundohen ti shtrembërojnë duke e futur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si arsye të mos njohjes apo tërheqjes së njohjes siç e quajnë ata. Ne nuk do të ndalemi në asnjë moment dhe për momentin jemi duke vepruar paralelisht në disa shtete të dy kontinenteve ku shumë shpejt presim edhe rezultate pozitive” ka thënë Vuniqi.

Murtezaj: Duhet reciprocitet afatgjatë me Serbinë

Image
Valon Murtezaj

Ndërsa, Valon Murtezaj,  ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe njëherit profesor ndërkombëtar, ka thënë për “ Bota sot” se, politikat destruktive të qeverisë Serbisë për fat te keq po vazhdojnë.

“Nuk do të mund ta kenë efektin që ata e synojnë. Institucionet e Kosovës duhet përfundimisht të jenë të përgatitura për reciprocitet afatgjate me Serbinë. Po ashtu, Kosova duhet të jetë në komunikim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë deri në disiplinimin e qeverisë së Serbisë’, ka thënë profesor Murtezaj.

Makolli: Prognoza e Daçiqit rreth njohjeve nuk qëndron

Image
Vesel Makolli

Kurse sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ky veprim i Ivica Daçiq është i qartë dhe e ditur pasi ai është armiku më i madh i shqiptarëve bashkë me Serbinë.

“Prognoza e Daçiqit rreth njohjeve nuk qëndron, pasi kjo dëshirë e tij mund të jetë  vetëm një fontanë dëshirash e liderëve serb dhe hedhje hi syve të popullit të tyre, edhe ashtu të vuajtur nga ngecja e stagnimi i shtetit të tyre në të gjitha lëmit, si dhe arsyetimi i premtimeve të dhëna e sidomos i buxhetit të harxhuar së koti për këtë qëllim. Ne për herë të parë jemi rreshtuar drejt në konstelacionin e forcave botërore, duke pasur në krah aleancën më të fuqishme ushtarake si dhe nunin e shtetësisë sonë SHBA-an”, ka thënë Makolli.

Ai konsideron se veprimet që Institucionet e Kosovës duhet ti marrin janë "kryerja e detyrave të shtëpisë".

“Rrota historike nuk shkon mbrapa, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik dhe është një realitet që funksionon që 20 vjet.  Kurse de jure ekziston që 11 vjet e pranuar nga shumica dërmuese e shteteve të globit, e sidomos nga të gjitha shtetet relevante me ndikim. Andaj çdo tentativë serbe është e kotë dhe e pa gjasa as teorike për tu realizuar. Ne duhet të jemi unik dhe të vazhdojmë "ofensivën"  tonë diplomatike, e sidomos tek ato vende që ende nuk na kanë njohur, si dhe tek ato që janë nën presionin dhe me ndikimin serb, për demaskimin e politikës serbe të kamufluar”, ka thënë Vesel Makolli.

Krasniqi: Me marrëveshjet ndërkombëtare nuk ka lojë

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, konsideron se duhet të sqarohen disa gjëra sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi njohja e një shteti që i bën një shteti tjetër është marrëveshje diplomatike mes të dyja shteteve.

Sipas tij, me marrëveshjet ndërkombëtare nuk ka lojë, sepse nëse një shtet e njeh pavarësinë e shtetit tjetër, atëherë ajo njohje s'mund të hiqet më.

“Marrëveshjet diplomatike, ekonomike dhe politike mund të prishën ose ngrihen, por njohja ngelët. Ka njohje që i kanë ardhur Kosovës nga Oqeania dhe Afrika, që janë të dyshimta. Këto janë shtete të vogla dhe jo stabile. Ne akoma nuk e kemi të qartë se sa shtete saktësisht e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për këtë duhet të jap përgjigje Ministri Pacolli, i cili na i ka sjellë këto njohje për të na dëshmuar më mirë se a na kanë njohur zyrtarisht këto shtete apo jo?! Për shkak të këtij konfuziteti Serbia është duke bërë propagandë për gjoja çnjohje të shtetit të Kosovës”, ka thënë politologu Krasniqi.

Daçiq po humbë kohë me propagandën për çnjohje

Ai ka thënë se javën e kaluar, ambasadori britanik dhe ai gjerman në OKB, u tallën në njëfarë mënyre me Ivica Daçiqin, duke i thënë se po humb kohë kot me propagandën e tij për çnjohje të pavarësisë së Kosovës.

“Ashtu siç thashë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, respektivisht Pacolli duhet ta tregojë realitetin e këtyre njohjeve, dhe ta dimë saktësisht se sa shtete e kanë njohur Kosovën si shtet, sepse prej fillimit ka pasur një konfuzitet me këto shtete lidhur me këtë çështje. Së dyti, për t'i vazhduar bisedimet me Serbinë, SHBA-së dhe BE-së duhet t'i thuhet që s'mund t'i vazhdojmë bisedimet deri sa Serbia vazhdon fushatën e saj të egër kundër shtetit të Kosovës. Është e pandershme që neve të na kërkohet heqja e taksës ndaj Serbisë, kurse Serbisë asgjë, dhe jo rastësisht i thonë fushatë e egër ndaj Kosovës. S'mund të fajësohet Kosova për bllokim të dialogut, por është Serbia ajo që është fajtore pse ky dialog është bllokuar. Kam frikë që është gjatë dialogut final dhe  Serbinë do ta trajtojnë si ‘fëmijën e llastuar’, kurse Kosovën si ‘fëmijën jetim”, ka thënë politologu Krasniqi.

Zogaj: Nëse vazhdojmë kështu, atëherë veç sa i ndihmojmë Daçiqit

Image
Skender Zogaj

Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj, ka deklaruar se shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq e ka me hak që punon për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, sepse kjo është mënyra më e mirë që ka në dispozicion si ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë!

Sipas tij, e keqja është se Kosova e kapluar nga vetëkënaqësia, po e nënçmon çështjen më të rëndësishme të shtet ndërtimit, që është jetikisht e varur nga njohjet ndërkombëtarë, dhe se për këtë çështje duhet të angazhojë elitën intelektuale të vendit dhe që t’i shfrytëzoj të gjitha format dhe përmbajtjet lobuse.

“Pra Daçiq po përpiqet ta shfrytëzoj situatën, por nuk besoj se mund të arrijë sukseset e dëshiruara, nëse Kosova e kupton se nuk është duke e realizuar mirë përmbushjen e rolit të saj, ato detyra obligative për t’u integruar sa më shpejt në familjen e botës demokratike. Nëse Kosova lufton krimin dhe korrupsionin, nëse krijon institucione ligjore, nëse spastrohet nga grupet e organizuara mafioze që e sabotojnë shtetin dhe popullin, Daçiqit i cof morri dhe kot paraqet raporte entuziaste në Kuvendin e Serbisë. Por, nëse vazhdojmë kështu, atëherë veç sa i ndihmojmë Daçiqit”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat