Ekskluzive: Vetëvendosja me dy opsione për t’i bërë ballë presionit ndërkombëtar për taksën

Politika

Ekskluzive: Vetëvendosja me dy opsione për t’i bërë ballë presionit ndërkombëtar për taksën

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 shkurt 2019 Në ora: 20:27
Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka thënë se, Lëvizja Vetëvendosje e cilëson si të rrezikshëm aventurën e presidentit Hashim Thaçi, ku sipas Konjfucës, kjo aventurë ishte personale dhe e vetmuar e tij deri para disa muajsh.

Ai ka paralajmëruar protesta gjithë popullore nëse presidenti Thaçi vazhdon në planet e tij në prekjen e territorit, e gjithashtu ka folur edhe për “Pranverën Shqiptare”, të cilën kreu i Vetëvendosjes e paralajmëroi para pak javësh.

Duke folur për ekipin negociator, në veçanti për Shpend Ahmetin, Konjufca ka thënë se kryetari i PSD-së i është bashkangjitur aventurës personale të presidentit Thaçi. Lidhur me bashkëpunimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Konjufca ka thënë se nuk ka asnjë bisedë me ata për një koalicion të mundshëm, ndonëse thotë se qëndrimet e të dy partive në këtë kohë janë pothuajse të njëjta.

“Bota sot”: Në cilin pozicion qëndron Lëvizja Vetëvendosje në mes idesë së presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh, vendosmërinë e kryeministrit Haradinaj për mos heqjen e taksës dhe presionit ndërkombëtar për heqjen e saj?

Glauk Konjufca: Lëvizja VETËVENDOSJE! e cilëson si shumë të rrezikshme aventurën, që deri para pak muajsh ishte personale dhe e vetmuar, të Hashim Thaçit. Përveç idesë ne mendojmë që është i gabuar edhe njeriu prapa kësaj ideje. Republika e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet emergjencave dhe halleve personale të presidentit, i cili tenton të bëjë gjithçka, madje të luaj edhe me territorin e vendit vetëm që vet ai të shpëtojë. Në anën tjetër, për të kuptuar se me sa domosdo e ka këtë marrëveshje Hashim Thaçi vërehet edhe nga fakti se ai në vazhdimësi kërkon pezullimin e taksës për të vazhduar dialogu, ndërkohë që ne mbështesim taksën ndaj Serbisë, ndonëse ajo assesi nuk do të duhej të vinte si revansh ndaj disa veprimeve të Serbisë kundër Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Ne mendojmë që ndaj Serbisë duhet të ketë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar. Sa i përket presionit ndërkombëtar, Kosova i ka dy opsione: të konformohet në pafundësi ndaj çdo kërkese ndaj saj duke lëshuar pe, ose të ndjekë rrugën tjetër për t’i bindur aleatët që Kosova është në anën e së drejtës dhe se taksa është mjet i domosdoshëm që Serbia të ndalë luftën ndaj nesh. Ne nuk kemi çfarë të ndryshojmë, por është Serbia ajo që duhet të ndryshojë shumë karshi nesh.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni të mërkurën në gazetën "Bota sot")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat