Engel kritikoi Evropën për Kosovën, Makolli tregon si fitohet ulësja e Kosovës në OKB

Politika

Engel kritikoi Evropën për Kosovën, Makolli tregon si fitohet ulësja e Kosovës në OKB

Nga: D. B. Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 16:53
Eliot Engel

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ditë më parë ka thënë se Kosova duhet të marrë diçka në këmbim të detyrave që i kërkohet të kryejë.

Engel kujtoi ratifikimin e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, pas së cilës gjë Bashkimi Evropian i ka premtuar liberalizimin e vizave me vendet e BE-së.

Ai madje ka thënë se liberalizimi i vizave nuk ka ndodhur ende dhe është frustruese.

 Në lidhje me këtë çështje Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë se situata në të cilën gjendet Kosova duhet të menaxhohet nga të gjithë së bashku.

“Kosova duhet të menaxhohet bashkërisht nga të gjithë faktorët politik të Kosovës, duke lënë kështu anash interesat partiake, individuale, dhe përfitimet politike, e sidomos atavizmat e bajraktarizmit dhe folklorizmit që fatkeqësisht ende po i kultivojmë. Nuk duhet harruar kurrë se ne jemi këtu ku jemi ekskluzivisht falë miqve tanë ndërkombëtar, e sidomos SHBA-as dhe NATO-së. Andaj çdo vendim me rëndësi dhe që ka implikime rajonale dhe ndërkombëtare duhet të merren në konsultim me miqtë tanë ndërkombëtar ose më mirë të them me mbrojtësit e shtetësisë sonë”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, aplikimin e taksës e kanë përkrahur pothuajse të gjithë liderët relevant  të Kosovës dhe gjithashtu edhe opinioni i gjerë.

Image
Vesel Makolli

“Kjo ndërmarrje e qeverise sonë na bëri të ndihemi krenar dhe dinjitetshëm. Me këtë veprim ne e kemi zgjuar botën nga amullia që kishte rënë kur kemi të bëjmë me situatën apo raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi që asnjëherë nuk kishin reaguar në të gjitha presionet dhe shantazhet që i ka bërë Serbia, kundër Kosovës në gjithë botën, në suazat politike dhe diplomatike. Për çdo veprim të një force, ekziston gjithmonë një kundërveprim i barabartë në kahje të kundërt" thotë ligji i tretë i Njutonit, andaj masa e ndërmarra nga qeveria e jonë është plotësisht adekuate dhe e drejtë. Madje është paradoksale që bota të gjitha veprimet serbe anti- Kosovës i ka shikuar me sehir, kurse për taksën që është shumë veprim i vogël në krahasim me ato që Serbia na ka bërë neve, reaguan dhe bënë presion që ta heqin menjëherë”, ka thënë Makolli.

Ai konsideron se kjo është edhe një padrejtësi që po tentohet të na imponohet sepse marrëveshja e mundshme Kosovë- Serbi është një nyje gordijane për zgjidhjen e të cilës ndikojnë fuqitë më relevante botërore.

“Në këtë situatë ku gjendemi në mes të dy ekstremeve, heqjen apo mos heqjen e taksës, ne duhet të jemi unik dhe në bashke koordinim me miqtë tanë ndërkombëtar, për ta gjetur një zgjidhje më të përshtatshme gjegjësisht më produktive për interesin afatgjatë të shtetit të Kosovës. Kuptohet që zgjidhja në tavolinë e një problemi nuk mund të jetë përfitimi maksimal, por një zgjidhje që në një masë të madhe duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët”, ka thënë Makolli.

Ai sugjeron që në këtë kontekst të gjithë duhet të jemi unik për ta materializuar këtë situatë gjegjësisht për të fituar liberalizimin e vizave si dhe anëtarësimin në organizmat relevant ndërkombëtar, duke marrë kështu garanci për menjanimin apo ndaljen e propagandës anti- Kosovë - Serbe në botë.

“Nëse ndërmarrim veprime konforme situatës dhe në pajtueshmëri me faktorët relevant ndërkombëtar, hapen mundësitë për të arritur një marrëveshje përfundimtare të monitoruar nga SHBA-at dhe aleatet e cila do ta zgjidhte problemin shekullor shqiptaro-serb, finalizimin e shtetit të Kosovës si dhe fitimin e ulëses së dytë shqiptare në OKB”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm  i AKR-së, Vesel Makolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat