Historiani Frashër Demaj e quan mashtrim retoriken e Thaçit për Kosovën Lindore

Politika

Historiani Frashër Demaj e quan mashtrim retoriken e Thaçit për Kosovën Lindore

Nga: D. B. Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 18:11
Frashër Demaj

Është mese e pa pranueshme që të luhet me fatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, pasi retorikat boshe janë një mashtrim i madh për opinionin.

Kështu ka vlerësuar historiani dhe Akademiku Frashër Demaj i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë retorika e presidentit Thaçi  se “do ta marrim edhe Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjen” është një retorikë boshe pa asnjë vlerë dhe mashtrim që i bëhet opinionit qytetar të Luginës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Sipas tij, me këtë retorikë Presidenti i Republikës së Kosovës më shumë duket një aventurier i pa pjekur politikisht se sa një burrë shteti i përgjegjshëm për deklaratat e tij.

“Nëse Serbia nuk po na njeh shtetësinë kështu siç jemi pa na dhënë asgjë atëherë si mund të presim që Beogradi ta na i jep këto vendbanime shqiptare apo si mund t’ia marrim ne. Serbia do të ishte mirë të na njihte për shkak të fqinjësisë por e ardhmja e Kosovës nuk është e varur nga fakti nëse na ka njohur apo jo shteti serb. Është edhe në interes të Serbisë ta njohë Pavarësinë e Kosovës sa më parë. Kosova duhet të shohë përpara e të mos mbetet peng i primitivizmin nacional shovinist serb. Pra nuk ka asnjë mundësi të marrim e të mos japim. Fundja Presidenti i Kosovës ka obligim kushtetues që të bëj publike projektet që kanë të bëjnë me Republikën e Kosovës para se të futet në bisedime apo negociata. Duhet të ketë konsulencë të gjerë me institucione relevante që mund ta këshillojnë për të mirën e Kosovës dhe interesave kombëtare”, është shprehur historiani Frashër Demaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat