Ditë më parë nëpër mediat vendore është publikuar një draft marrëveshjeje përfundimtare Kosovë – Serbi, e cila përbëhet nga 22 pika kryesore, e që thuhet se është përgatitur nga SHBA-ja, Franca dhe Rusia.
Analisti politik, Faik Krasniqi ka deklaruar për “Bota sot” se ekziston mundësia që në mënyrë sekrete të jenë zhvilluar negociatat.
Ndërsa, për dokumentin që është publikuar nëpër mediat vendore, ai ka thënë se do të ishte marrëveshja më e keqe për Kosovën, pasi që sipas saj Kosova humb territor, kurse Serbia fiton.
“Ekziston mundësia që negociatat janë zhvilluar në mënyrë sekrete, dhe me aminin e BE-së dhe SHBA-së është arritur një pajtueshmëri që kjo është zgjidhja ideale. Nëse është e vërtetë kjo çfarë po qarkullon tash e sa kohë neper media, atëherë do të ishte marrëveshje e keqe për Kosovën. Pse po e them do të ishte marrëveshje e keqe për Kosovën? Sepse siç e kam parë të plotë dokumentin Kosova edhe humb territor, kurse Serbia fiton territor me këtë marrëveshje.”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.
Po ashtu, ai ka komentuar pjesë nga ky dokument duke shtuar se Serbia do e shantazhonte gjithmonë shtetin e Kosovës.
“Nëse Trepça dhe Ujmani ngelen në territorin e Kosovës, Presheva, Bujanoci dhe Medevegja kalojnë këndej në Kosovë, dhe Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku i kalojnë në Serbi, atëherë s'do të dilnim të humbur në territor. Por në atë dokument shkruan që kishat ortodokse serbe të marrin ekstra-territorialitet, një gjë e tillë nuk do të guxohej të pranohej, sepse Serbia do e shantazhonte gjithmonë shtetin e Kosovës përmes këtyre kishave që do ishin shtet brenda shtetit”, është shprehur ai për “Bota sot”.
Krasniqi mendon se pjesë e kësaj marrëveshje do të duhet të ishin pjesë Gjermania dhe Britania e madhe dhe se marrëveshje e mirëpritur për qytetarët do të ishte sikur që pasuritë e Kosovës Serbia nuk do të ketë hise, në Trepçen dhe Ujmani, por edhe shkëmbimi i territorit të bëhet metër për metër.
“Mua personalisht kjo marrëveshje në këtë mënyrë nuk më pëlqen fare, e aq me pak që Gjermania dhe Britania e madhe nuk janë pjese e kësaj marrëveshje. Dhe ashtu siç e ceka do të ishte marrëveshje e mirë dhe e pranuar edhe për qytetaret e Kosovës, nëse me pasuritë e Kosovës Serbia nuk do të ketë hise, në Trepçen dhe Ujmani, por edhe shkëmbimi i territorit të bëhet metër për metër. Sidoqoftë, partitë tona politike duhet të kenë kujdes se çfarë po bëjnë, sepse kjo marrëveshje përveç që na dëmton, Serbinë e mban akoma brenda Kosovës!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.