Abazi: Platforma, formë djallëzore e Thaçit për manipulim

Politika

Abazi: Platforma, formë djallëzore e Thaçit për manipulim

Nga: G.B Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 22:50
Haki Abazi

Si Ekipi Negociator, ashtu edhe Platforma për dialogun me Serbinë kanë hasur në kundërshtimin e opozitës.

Në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike që u mbajt të hënën, nuk kaloi Platforma për dialogun me Serbinë, ndërsa projektligji për detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e delegacionit shtetëror në procesin e dialogut me shtetin fqinj kaloi në lexim të dytë në seancën e radhës.

Deputetët e opozitës e kritikuan Platformën, duke thënë se ai dokument nuk e ruan shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës karshi dialogut me Serbinë.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka deklaruar se është qesharake të merremi me platformën, derisa jemi në situatë problematike të marrëdhënieve ndërkombëtare, pasi kjo është formë djallëzore e manipulimit.

“Në këtë kohë shumë delikate dhe shumë problematike të marrëdhënieve ndërkombëtare për Kosovën është qesharake të merremi me platformë për dialogun i cili ka shtatë vite që po mbahet. Sikur pas shtate viteve Thaçit dhe Blerim Shalës ju është kujtuar se ju nevojitet platformë. Kjo është formë djallëzore e manipulimit dhe tentimit për të krijuar legjitimitet për një proces i cili nuk ka bazë në vullnetin e qytetarëve dhe as në Kushtetutën e vendit. Vet krijimi i ekipit të ashtuquajtur shtetërore është idiotizëm i ulët politik sidomos për faktin që aty ka njerëz që nuk përfaqësojnë askënd dhe sikurse presidenti janë pa mandat qytetar për të qenë të angazhuar në një proces të tillë”, është shprehur ai.

Abazi pyet se kë e përfaqëson Dardan Gashi dhe Shpend Ahmeti në delegacion, duke shtuar se shumica në delegacion janë me vepra penale apo që kanë pasur probleme me ligjin.

“Kë përfaqëson Dardan Gashi dhe Shpend Ahmeti në këtë delegacion? Shumica e njerëzve në delegacion ose janë me vepra penale ose kanë pasur problem me ligjin në të kaluarën që d.m.th se janë të shantazhuar nga Thaçi dhe klani i tij që ka kapur shtetin”, ka vlerësuar ai.

Sipas Abazit, Platforma është tentim për të zëvendësuar Kushtetutën dhe vendi ka nevojë për zgjedhje.

“Platforma është kryekëput tentim për të zëvendësuar Kushtetutën, nuk ka platformë që del mbi Kushtetutë dhe kjo kështu duhet kuptuar. Vendi ka nevojë për zgjedhje demokratike dhe ç’kapje të shtetit nga strukturat parapolitike e kriminale kaq e thjeshtë është kjo punë, nuk kanë nevojë që të krijojë platforma dhe komisione që janë shpenzues të kotë të buxhetit të shtetit që luajnë palaçot e Brukselit”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat