Politologu Maloku: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën duhet të mbetet në fuqi

Politika

Politologu Maloku: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën duhet të mbetet në fuqi

Nga: D. B. Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 19:46
Albinot Maloku

Reagimet e Bashkimit Evropian nuk janë të nevojshme të përfillen gjithsesi çdo herë. Kjo për faktin se bëhet fjalë për të njëjtën BE, e cila nuk i ka përfillur hapat e Kosovës, përkatësisht shfaqjes së vullnetit të saj drejt integrimeve.

Kështu ka vlerësuar politologu Albinot Maloku, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se rasti i fundit ishte çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, marrëveshje kjo që nuk e solli (ashtu siç pretendohej), zhbllokimin e vendit.

Sipas tij, qytetarët tanë vijojnë të mbeten më të izoluarit e truallit evropian.

“Ndryshe në raport me BE-në, mendimi i ShBA-ve duhet respektuar, çfarëdo qoftë ai në lidhje me taksën, mirëpo vendimi është në dorën e Kosovës. Vendimi i Qeverisë së Kosovës është për taksën dhe i njëjti duhet të ngelet në fuqi. Më e keqja në këto rrethana raportesh, është kur individë të caktuar në pozitat drejtuese të vendit, shfrytëzojnë qëndrimet e zyrtarëve të SHBA-ve për të krijuar perceptime të atilla sikur ka në mesin e qytetarëve të Kosovës, e posaçërisht brenda klasës politike drejtuese të vendit, antiamerikanë. Kësisoj, ligjërata e paradokohshme e presidentit Hashim Thaçi për miqësinë e përhershme Kosovë-SHBA, ishte presion i ulët ndaj vendimit për taksën nga ana e Qeverisë Haradinaj. Megjithatë, përkundër tendencave çdo qytetar i Kosovës që i ka përjetuar vitet 1998-1999, e di fare mirë dhe e mban në zemër miqësinë dhe mirënjohjen për amerikanët”, është shprehur politologu Albinot Maloku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat