Haradinaj takohet me zyrtarët amerikanë, Shahu: Deklarimi i kryeministrit, zëri i çdo shqiptari

Politika

Haradinaj takohet me zyrtarët amerikanë, Shahu: Deklarimi i kryeministrit, zëri i çdo shqiptari

Nga: G.B Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 20:04
Pamje nga takimi, Haradinaj dhe Thaçi me zyrtarët amerikanë

Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara, John Erath dhe Brad Berkley janë takuar sot me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Kosovë.

Pas takimit, kryeministri Haradinaj ka thënë se gjatë takimit ai ka thënë se Kosova është e gatshme për një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, “që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008”.

Ndërsa, Presidenti Thaçi i ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në.

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këtë, publicisti Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën ”Bota sot” se deklarimi i Haradinajt para zyrtarëve amerikanë është deklarim i zërit të çdo shqiptarit, pasi nëse Kosova jep territor, atëherë pse u bë lufta.

“Deklarimi i kryeministrit Haradinaj para dy përfaqësuesve të lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, është artikulim apo deklarim i zërit të çdo shqiptari. Këtë duan shqiptarët, njohja e marrëveshje e pranim të ndërsjellë mes Serbisë e Kosovës në kufijtë aktual që mbetën pas luftës për Kosovën. Ndryshe, nëse Kosova do të japë territor e do të japë sovranitet të pjesëve të saj tek Serbia, nëse Kosova do të rinisë të flasë për pavarësinë e saj në bisedime me Serbinë, atëherë pse u bë lufta. Në kufijtë aktual që mbetën pas luftës, me njohjen e kësaj Kosove edhe nga Gjykata ndërkombëtare, mundet që Kosova të nënshkruajë marrëveshje njohje e pranimi mes dy shtetesh me Serbinë”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Kosova nuk ka arsye ta zvogëlojë territorin për asnjë lloj marrëveshje.

“Përndryshe, Kosova nuk ka asnjë arsye të zvogëlojë territorin e saj që nuk i rritet kurrë më, për asnjë lloj pazari apo marrëveshje. Kosova më keq se ka qenë nuk mund të bëhet me Serbinë. Ky 20 vjeçar i Kosovës në liri e ka shkëputur dymijë vjet Kosovën prej Serbisë dhe Serbia këtë e di mirë. Por Serbia ecën me idenë të marrë ç'të jetë e mundur nga Kosova, të bëjë të gjitha presionet e mundshme, por në finale Serbia e di se bota demokratike që ia di vlerën lirisë, ka hyrë në luftë për Kosovën dhe lirinë e saj”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat