Krasniqi: Marrëveshja përfundimtare të bëhet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë

Politika

Krasniqi: Marrëveshja përfundimtare të bëhet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë

Nga: G.B Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 14:52
Ilustrim

Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara, John Erath dhe Brad Berkley po qëndrojnë për vizitë në Kosovë, ku në takimin e mbrëmshëm me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë përsëritur kërkesën për heqjen e taksës.

Pas takimit, kryeministri Haradinaj ka thënë se gjatë takimit ai ka thënë se Kosova është e gatshme për një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, “që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008”.

Ndërsa, Presidenti Thaçi i ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në.

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me vizitën dhe kërkesën e zyrtarëve amerikanë, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu nuk mund të vazhdojë me kushtëzime siç po bën Serbia për taksën.

“Pikë së pari dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të vazhdojë me kushtëzime, siç po bën Serbia në lidhje me taksën. Serbia shumicën e marrëveshje të nënshkruara deri më tash nuk e ka zbatuar, dhe BE-ja asnjë presion nuk ushtroi kundër tyre. Kurse ndaj neve presion për çdo gjë. Standarde të dyfishta”, është shprehur ai.

Krasniqi thotë se ndaj Kosovës po bëhet presion për shkak të taksës, duke shtuar se marrëveshje përfundimtare duhet të bëhet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë.

“Po e shohim se çfarë presioni të madh po ushtrojnë ndaj nesh për taksën e vendosur ndaj Serbisë, dhe me plot të drejtë. Aq sa është në dobi të Kosovës arritja e një marrëveshje me Serbinë, për Serbinë është shumëfish më shumë, sepse ata janë më afër të bëhen pjesë e BE-së. Marrëveshja përfundimtare duhet të bëhet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë. Nëse për serbët e Kosovës formohet një Asociacion (pa kompetenca ekzekutive), një Asociacion i tillë duhet të krijohet edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore. Çdo gjë reciproke”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Ndryshe, sot gjatë ditës zyrtarët amerikanë janë takuar sërish me krerët e shtetit, ku përpos presidentit, edhe Ekipi Negociator është pajtuar për heqjen e taksës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat