Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë pezullimin e taksës për mallrat e Serbisë dhe ato të Bosnjës.
E së fundmi, mos heqja e taksës ka sjellë në Prishtinë dy zyrtarë amerikanë, drejtorin kryesor për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath dhe drejtorin për Ballkanin në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Brad Berkley.
Përfaqësuesit amerikanë kanë sjellë mesazhet për presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe katër zëvendëskryeministrat: Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi.
Amerikanët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë ua kanë tërhequr vërejtjen vendorëve se në rast të mosndryshimit të kursit aktual, Kosova rrezikon të ketë pasoja serioze në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nëse nuk hiqet taksa mund të ketë pasoja serioze. Përpos ndalesave të vizave dhe pezullimit të asistencës në fushën e sigurisë, mos-heqja e taksës dhe bllokimi i procesit të dialogut mund të bëjë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta tërheqin edhe kampin Bondsteel”, ka thënë një burim duke iu referuar paralajmërimit njëzëri të zyrtarëve amerikanë.
Reagimi i Ambasadës amerikane
Ambasada amerikane përmes një komunikate për media njofton se trupat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kampin Bondsteel.
“Politika e Shteteve të Bashkuara ende është që të përkrahë KFOR-in dhe praninë e trupave të SHBA-ve në Kampin Bondsteel që ruan një ambient të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Sikurse edhe gjetiu nëpër botë kjo dhe vendosjet tjera të trupave të SHBA-ve i nënshtrohen shqyrtimit të rregullt”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Kosovë.
Tahiri: Vërejtjet e SHBA-së janë shumë të sakta dhe shumë serioze
Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vërejtjet e SHBA-së janë të sakta dhe shumë serioze, se letra e presidentit Trump është e qartë dhe se Kosova do të përballet me pasojat tragjike.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni nesër në gazetën kombëtare "Bota sot")