Vërejtjet e SHBA-së për taksën dhe “tërheqja nga Bondsteel”, Tahiri tregon rrezikun dhe zgjidhjen për krizën

Politika

Vërejtjet e SHBA-së për taksën dhe “tërheqja nga Bondsteel”, Tahiri tregon rrezikun dhe zgjidhjen për krizën

Nga: G.B Më: 2 mars 2019 Në ora: 10:45
Ramush Tahiri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë pezullimin e taksës për mallrat e Serbisë dhe ato të Bosnjës.

E së fundmi, mos heqja e taksës ka sjellë në Prishtinë dy zyrtarë amerikanë, drejtorin kryesor për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath dhe drejtorin për Ballkanin në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Brad Berkley.

Përfaqësuesit amerikanë kanë sjellë mesazhet për presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe katër zëvendëskryeministrat: Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi.

Amerikanët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë ua kanë tërhequr vërejtjen vendorëve se në rast të mosndryshimit të kursit aktual, Kosova rrezikon të ketë pasoja serioze në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse nuk hiqet taksa mund të ketë pasoja serioze. Përpos ndalesave të vizave dhe pezullimit të asistencës në fushën e sigurisë, mos-heqja e taksës dhe bllokimi i procesit të dialogut mund të bëjë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta tërheqin edhe kampin Bondsteel”, ka thënë një burim duke iu referuar paralajmërimit njëzëri të zyrtarëve amerikanë.

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vërejtjet e SHBA-së janë të sakta dhe shumë serioze, se letra e presidentit Trump është e qartë dhe se Kosova do të përballet me pasojat tragjike.

“Vërejtjet e SHBA-ve, janë shume të sakta dhe shumë serioze. Dhe si të tilla duhet të merren parasysh. Mirëpo duket se koha e gjatë nën okupim e popullit të Kosovës e ka krijuar mentalitetin e robit dhe të nënshtrimit dhe të politikës të jo zotnillëkut, ndërsa elita politike që e udhëheqë shtetin është e nivelit më të ulët të mundshëm që e kemi pasur gjatë gjithë historisë, është e padijshme, është e papërmbajtshme e paskrupullt dhe krejtësisht e papërgjegjshme. Si e tillë është e dëmshme edhe tash kur po armiqësohet me SHBA dhe me BE por sidomos për interesat dhe synimet afatgjate të popullit të Kosovës. Letra e Presidentit të SHBA-ve Donald Tramp dërguar Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, është shumë e qartë, dhe thotë se Kosova do të ballafaqohet me pasoja tragjike, nëse është penguese ose nëse dialogu me Serbisë dështon për fajin e Kosovës, pra nuk arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve ndermet Kosovës dhe Serbisë që u tha se është interes strategjik i SHBA-ve, dhe që duhet të arrihet brenda vitit 2019”, është shprehur ai.

Ai e quan fatkeqësi për popullin e Kosovës faktin që është kjo udhëheqje dhe ai nuk mund të lirohet prej saj, duke shtuar se kjo garniturë po e dirigjon opinionin se SHBA po e përkrah Serbinë për shkak të taksës.

“Është fatkeqësi për popullin e përvuajtur të Kosovës që e ka në krye këtë udhëheqje meskime e të paskrupullt e të pandërgjegjshme, dhe që si popull nuk e ka asnjë mundësi të largimit apo heqjes së tyre, duke dalë njëkohësisht në përkrahje të politikës së SHBA-ve dhe të integrimeve euroatlantike. Është paksa e padrejtë që pikërisht me ndihmën e ndërkombëtarëve, ka ardhur dhe po mbahet në pushtet kjo garniture e korruptuar dhe klienteliste e oligarkisë kosovare , që i ka kapur të gjitha poret e shtetit, dhe të gjitha sferat e jetese punës. Kjo u bë ndër të tjera edhe me sistemin zgjedhor të modelit: një qytetar pesë vota, në Kosovën një zonë zgjedhore me çka është shpërfillur demokracia, është shtrembëruar vullneti i popullit duke ndërtuar parti lideriste, të vendimmarrjes vertikale, të nënshtrimit e servilizmit ndaj liderit, në prishjen e politikave të përzgjedhjes së kuadrove, duke i mbytur vetë proceset dhe zërat demokratik. Kjo garniturë e politikës , nëpërmjet institucioneve, së bashku me mediat që i kontrollon dhe i dirigjon e ka krijuar opinionin negativ që kinse SHBA dhe BE po e favorizojnë Serbinë me pa të drejtë dhe jo Kosovën, të cilës po i bëjnë presion për heqjen e taksës ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina, dhe për futjen e Kosovës në dialog, si po thonë këta, të pa qartë me Serbinë”, ka vlerësuar politologu Tahiri për “Bota sot”.

Sipas tij, është mentalitet i të politikanëve të papërgjegjshëm që thonë se SHBA nuk e heqë Bondsteel-in dhe se e ka vendosur atë në Kosovë për interesa të veta dhe nuk e largon për taksën.

“Këta politikanë, po thonë se Amerika e ka blof tërheqjen e bazës së Bondsteel-it, se në të vërtetë nuk e heqë asnjëherë, kjo është e para, ndërsa e dyta po thonë se SHBA-të, bazën Bondsteel e ka vendosë për interesa të veta strategjike, globale e gjeopolitike, dhe jo për interesa të Kosovës,. Prandaj nëse edhe e largon bazën Bondsteel, nuk e largon për taksen por për interesa të veta?! Ky mentalitet është jo vetëm i të marrëve, por i të papërgjegjshmëve, që si thotë populli, nuk shohin përtej hundës së tyre, dhe nuk bashkëjetojnë me synimet e vërteta të popullit e shtetit dhe me fatin e tij”, është shprehur më tej ai.

Sipas Tahirit, SHBA nuk e penalizon popullin e Kosovës por duhet ta thërras atë që ta rrëzojnë këtë oligarki, duke shtuar se SHBA e kanë listën e zezë që mund t’i fusin së paku 300 autoritete nga Kosova, tu ndalojë udhëtimet, tu pezullojë vizat, etj.

“Unë mendoj se SHBA nuk duhet në asnjë mënyrë ta penalizojnë, as padashje, popullin e Kosovës, por duhet të ju bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta rrezojnë këtë oligarki, këtë udhëheqje , që po e qon në humbje dhe fundosje shtetin e Kosovës dhe popullin e saj. SHBA dhe BE i kanë mekanizmat tashmë të sprovuar e të përdorur kundër regjimeve jodemokratike të oligarkive diktatoriale e klienteliste. E kanë bie fjala embargon ekonomike që e aplikuan ndaj disa shteteve, mandej e kanë të ashtuquajturin murin e jashtëm të sanksioneve si dhe masa të tjera të bllokadës dhe mospjesëmarrjes apo edhe largimit nga forumet e organet e institucionet ndërkombëtare. Gjithashtu edhe tash e përdorin të ashtuquajturën, Listën e zezë, ku i fusin personat që punojnë kundër interesave të SHBA e BE dhe kundër rendit botërorë. Një listë të tillë do të mund ta bënin për Kosovën në të cilën mund ti vënë së paku 300-400 autoritete të Kosovës, nga institucionet nga politika nga mediet nga OJQ nga biznesi...etj. që tash e një kohë janë bartës, frymëzues e ndihmaçarë të proceseve negative e retrograde. Pra tu ndalojë udhëtimet, tu pezullojnë vizat, tu bllokojnë llogarite personale, familjare e të biznesit përkatësisht veprimtarisë, etj”, ka thënë ai.= për “Bota sot”.

Sipas tij, këto masa do të ishin të ligjshme dhe të efektshme dhe në interes të popullit të Kosovës, të paqes e stabilitetit në Ballkan.

“Mendoj se këto masa do të ishin edhe demokratike edhe të ligjshme edhe të shëndetshme edhe të efektshme.. para se gjithash do të ishin në interes të popullit të Kosovës, të demokracisë dhe të forcimit të shtetit të Kosovës dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të tij. Së fundi në dobi të paqes dhe të stabilitetit në Ballkan ...ku secili shtet dhe secila udhëheqësi, do të sillej me përgjegjësi dhe përkushtim e në harmoni me rregullat dhe konventat ndërkombëtare”, ka deklaruar politologu Ramush Tahiri.

Ai mendon se largimi i Qeverisë nuk do të ishte zgjidhje tani, pasi taksa do të mbetej njëanshëm dhe do të bllokohej dialogu me Serbinë dhe se populli do të pësonte.

“Përndryshe zgjidhja më e keqe për Kosovën do të ishte largimi i Qeverisë ose rrëzimi i Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, sepse atëherë do të mbetej taksa e vënë njëanshëm nga Kosova, do të bllokohej dialogu Kosovës së paku për gjashtë muaj përderisa të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhja e Qeverisë e dalë nga zgjedhjet. Në këtë rast do ta pësonte populli i Kosovës si dhe do të krijoheshin tensione të brendshme e të rrezikshme që rëndë do ta cenonin procesin zgjedhor në mbarëvajtje të rregullt dhe në pranim të rezultatit të zgjedhjeve”, ka vlerësuar Tahiri.

Sips tij, zgjidhja më e mirë është pezullimi i taksës dhe mirëkuptimi mes partive, të përfundojë brenda vitit marrëveshja me Serbinë me njohje dhe pastaj vendi të shkojë në zgjedhje.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte pezullimi i taksës nga Qeveria e Kosovës dhe ndërtimi i një mirëkuptimi të gjerë ndërmjet partive politike parlamentare që do të merreshin vesh për të gjitha çështjet madhore, kombëtare, e shtetërore, dhe marrëveshja me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve e njohje të shtetit të Kosovës të përfundohet brenda vitit dhe mandej vendi të shkojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka përfunduar politologu Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat