Presheva, kjo perlë e “nëpërkëmbur” nga politika

Politika

Presheva, kjo perlë e “nëpërkëmbur” nga politika

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 5 mars 2019 Në ora: 07:27
Preshevë

Qyteti i Preshevës shtrihet në pjesën lindore të Kosovës dhe kufizohet me komunën e Gjilanit, në Maqedoninë jugore kufizohet me komunën e Kumanovës, ndërkohë që brenda Serbisë, kufizohet me komunën e Bujanocit. Komuna e Preshevës ka një sipërfaqe prej 264 kilometra katrore dhe  është e banuar me shumicë shqiptare.

Ndër vite, nëpër episode të ndryshme të zhvillimeve si në aspektin patriotik ashtu edhe në atë kulturorë e arsimor, qyteti i Preshevës po edhe Kosova Lindore si tërësi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm kombëtarë duke ofruar potencialin e saj në mënyrë të pa-rezervë.

Thuajse në të gjitha sferat e jetës, në jetën e shqiptarëve gjatë ish-Jugosllavisë, qytetarët e Preshevës kanë zë i fuqishëm e konstruktivë bashkë me shqiptarët e trevave tjera gjithandej ku banojnë shqiptarët si autokton. Përmes këtij reportazhi ekskluziv për “Bota Sot”, të realizuar në bashkëpunim të ngushtë me personalitete të rëndësishme nga jeta publike në qytetin e Preshevës, e i cili do të shkojë me të paktën dy vazhdime, jemi munduar që të sjellim një lloj pasqyre të jetës që kanë bërë dikur, e që bëjnë sot shqiptarët atje.

Agushi: Presheva, qytet me pasuri natyrore, të cilat duhen të zhvillohen

Profesori i gjeografisë Sami Agushi nga fshati Miratoc, i cili punon tash e sa vite në gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, përveç punës si profesorë, ai merret edhe me eksplorimin e bashkë me nxënës nëpër grupe të zonave interesante për tu hulumtuar në territorin e Komunës së Preshevës. Ai, për “Bota Sot” i ka prezantuar në pika të shkurtra disa prej karakteristikave të qytetit të Preshevës, si në aspektin e shtrirjes gjeografike, në aspektin ekonomik e zhvillimor por edhe në atë bujqësorë e blegtorar, për çka profesori Agushi thotë se qytetarët e Preshevës duhet të ndihen me fat, e në të njëjtën kohë të dëshpëruar, pasi që natyra iu ka dhënë pasuri të mëdha, të cilat si rezultat i rrethanave të vështira politike të cilat e kanë lënë si e kanë lënë këtë komunë, sot jeta në Preshevë nuk është aspak e lehtë.

Në aspektin e komunikimit përmes rrugëve si autorrugëve apo hekurudhave, sipas profesor Agushit Presheva ka një pozitë tejet të volitshme strategjike pasi që shtrihet, në një pikë tepër strategjike mes tri shteteve.

 “Treva e Preshevës ka pozitë shumë të volitshme gjeografike, sepse nëpër territorin e saj qarkullojnë rrugët transkontinentale: Autostrada E 75, hekurudha dhe rrugët tjera rajonale. Këtu do ta theksoja Rrugën e Vjetër (apo xhaden siç njihet në opinion) e cila qarkullon në gjurmët e arteries së vjetër antike dhe mesjetare që lidhë rrugët: Via Egnatia dhe Via Militaris. Gjithashtu dhe rrugët lokale që lidhin shumë mirë Preshevën me Kosovën e Maqedoninë dhe vendet tjera të rajonit”, ka nënvizuar profesori.

Në një aspekt tjetër teje të rëndësishme për të zhvilluar një jetë normale një komunitet i caktuar, në këtë rast banorët e komunës së Preshevës, janë edhe karakteristikat e reliefit dhe mundësitë zhvillimore si në aspektin bujqësorë e blegtorial, ashtu edhe atë të ekonomive ndihmëse, ku Sami Agushi shpjegon se si Presheva një lartësi tejet të volitshme mbidetare 400-1000, kjo shumë e preferushme për kulturat bujqësore.

“Presheva është një trevë që shtrihet në pikën më të ngritur të kësaj zone. Tokat pjellora në rrafshet aluviale të pellgut të Moravës në veri dhe pellgut të Vardarit në jug, paraqesin variantin kryesor të tokave pjellore. Për sezonin e lagësht të vitit janë toka të kullueshme, kurse në sezonin e thatë të vitit kanë mundësinë e ujitjes. Për këtë qëllim janë ndërtuar Penda e Rahovicës dhe Penda e Bushtranit”.

“Pastaj me sukses shfrytëzohen rrjedhat lumore të degëve të Moravës dhe të Vardarit për ujitje gjatë viteve të thata. Këtu do të veçoja Lumin Bajka të Miratocit i cili ka potencial shumë të madh të ujit sipërfaqësor. Territori i Preshevës ka lartësi shumë të volitshme mbidetare, prej 400-1000m. Me varietete të tokave të ndryshme dhe me destinacione të preferuara për kulturat e shumta bujqësore. Kjo gjë në të kaluarën e ka radhitur Preshevën në mesin e fushave më pjellore të ish Jugosllavisë për prodhimin e duhanit cilësore dhe të hardhisë së rrushit, me % më të lartë të sheqerit në rrush, pse jo dhe për kultivimin e kulturave tjera, drithërave, pemëve, perimeve etj”.

Veçorit klimatike të Preshevës, optimale për të zhvilluar bujqëinë dhe blegtorinë

Qyteti i Preshevës edhe pse deri sot nuk është bërë thuaje asgjë në fushën e turizmit, apo të tërheqjes së vizitorëve, por edhe investitorëve të huaj për të vepruar në Preshevë, as në këtë aspekt nuk mbetet mbrapa. Disa prej karakteristikave të cilat mund të tërheqin turist në Komunën e Preshevës, gjithnjë sipas profesor Agushit janë Kështjella e Dragushnicës e fshatit Geraj, Kështjella e Leranit, bashkë me shumë karakteristika tjera të cilat i ka numëruar profesori.

“Pasuri të veçantë për Preshevën paraqesin veçoritë klimatike të saj. Mendoj në një të afërme të saj do të jetësohet një zhvillim më i hovshëm në fushën e turizmit, i cili si degë e ekonomisë do të nxitë edhe më shumë zhvillimin e komunikacionit, bujqësisë dhe degëve tjera të ekonomisë. Në Karadakun e Preshevës fshatrat i ka përfshirë procesi i deagrarizimit. Në kohën e re, gjithnjë e më tepër po i kushtohet rëndësi e madhe zhvillimit të turizmit me karakter shërues në klimën e fshatrave malor, si turizëm në fshat. Ky turizëm ka për qellim rehabilitimin e shëndetit dhe sportin e rekreacioni, për shkak të klimës, ujit dhe ushqimit të pastër dhe të shëndosh. Në këtë kontekst, do ta veçoja lokalitetin "Fierina" në rajonin e ostrovicës. Në këtë lokalitet malorë të Karadakut zhvillohet një rrymim i ajrit nga Fushëgropa e Preshevës, Fushëgropa e Kosovës dhe Fushëgropa e Kumanovës-Shkupit. Pastaj fitoncidet e botës se pa prekur bimore nga ndotja, ofrojnë mundesinë e rehabilitimit të shëndetit. Këtë efekt shërues na dëshmojnë gjeneratat më të vjetra të trevës tonë. Në të kaluarën ka patur tendencë të ndërtohet një sanatorium, por dihet pse kjo gjë nuk ka ndodh në Preshevë!  Fushë të vecantë për zhvillimin e turizmit në Preshevë paraqesin edhe monumentet kulturore- historike dhe natyrore tjera: Kështjellat e vjetërsisë antike dhe mesjetare. Kështjella e Dragushnicës te Gerajt, e Leranit, Bercevcit dhe e Arhilevicës të Rahovica dhe Kështjella e Preshevës, Guri i Shpuar mendoj dhe objektet megalitike te Bushtrani, Busti i gdhendur te Kacipupi Dardan i Arhilevices te Rahovica etj. Prej objekteve natyrore me veçori të veçanta janë: Burimi i Vrellës së Miratocit me rreth 100-150 l ujë ne sekond, Penda e Rahovicës, Penda e Bushtranit, Dy ujëvarra të vogla erozive te Reka e Shullanit në mes të Miratocit e Tërrnavës”, ka theksuar ai.

Shkollat e Preshevës ndër vite vatra të dijes, mësimdhënësit e tyre misionarë të mirëfilltë

Vite me radhë, siç e thamë edhe më lartë, qytetarët e  Komunës së Preshevës, Universitetit të Prishtinës i kanë sjellë ndër kuadrot më të mira nëpër profilet e caktuara, si mjek, inxhinier, matematicientë, ekonomistë e çka jo tjetër, të cilët edhe sot e kësaj dite në Republikën e Kosovës kanë frerët e dikastereve të rëndësishme, si rezultat i profesionalizmit të  treguar me punë.

Për të arritur në pikën si të gatshëm për studime, sigurisht se të gjithë ata nxënës kanë kaluar nëpër disa përvoja shumë të rëndësishme shkollore, siç është ajo fillore por edhe e mesme, mësimdhënësit e të cilave shkolla kanë punuar vazhdimisht me kritere të fuqishme, aspak tolerante ndaj dijes, çka ka rezultuar me suksesin në kuadro.

Sahiti: Edhe përkundër vështirësive, mundohemi që tek nxënësit të përcjellim sa më shumë dituri

Ne, në këtë reportazh, ndër të tjerë kemi zgjedhur të flasim me drejtoreshën e shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi”, ndër më të mëdhatë në Ballkan, Besa Sahiti, profesoreshë e lëndës së biologjisë e cila disa vite ka punuar si mësimdhënëse në këtë shkollë, sot është drejtoreshë, ku edhe përkundër shtypjes së shtetit serb në fushën e arsimit, ajo me sukses po e udhëheq këtë shkollë duke tentuar që të ketë vazhdimësinë e viteve të kaluara në korrjen e sukseseve të nxënësve.

Stafi i shkollës në aspektin e përgatitjes akademike, sipas drejtoreshës Sahiti është 100% profesional në të gjitha fushat apo lëndët mësimore.

“Sa i përket përgatitjes profesionale të stafit të shkollës, si personeli arsimorë ashtu edhe ai administrativ mund të konstatoj se të gjithë janë profesional me përgatitjet përkatëse profesionale”. Shprehet profesoresha Besë.

Problem evident, me të cilin ndër vite ballafaqohen nxënësit e Preshevës, por edhe të Kosovës Lindore në përgjithësi, këtu përfshijmë edhe Bujanocin e Medvegjën, janë tekstet mësimore të cilat madje as për filloristët nuk lejohen të përdoren në koordinim me bashkëmoshatarët e bashkëkombësit e tyre në Kosovë apo Shqipëri.

“Rreth teksteve shkollore, jo vetëm ne si shkolla më e madhe por në përgjithësi komplet arsimi fillorë në Luginë të Preshevës tashmë dihet se me vite të tëra kanë probleme mjaftë të mëdha me tekstet. Kjo sa i përket përshtatjes së planeve dhe programe mësimore me tekstet që i kemi në përdorim. Por, përmes Këshillit Nacional disa prej teksteve themelore i kemi në dispozicion siç është abetarja dhe tekstet e gjuhës shqipe, ndërkohë furnizimi me tekste të tjera për nxenësit familjet e të cilëve janë me raste sociale dhe ato që kanë më së paku tre fëmijë në shkollë, Ministria e arsimit tash e disa vite po siguron tekste falas dhe ne si shkollë këto tekste për këta fëmijë jemi duke i realizuar kënaqshëm”.

Përveç vështirësive në aspektin e organizimit me tekste mësimore, kjo shkollë që është më e madhja në Preshevë e Bujanoc, prej vitesh ngec edhe në anën e infrastrukturës së rënduar.  Para ca vitesh iu është bërë një renovim serioz, me investime serioze, por që fatkeqësisht sot thuaja i gjithë ai intervenim përmes renovimit është amortizuar. Si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm, momentalisht shkolla duket në kushte mjaftë të rënda dhe me nevojë të patjetërsueshme për tu rinovuar. Së fundi, nga pushteti lokal janë paralajmëruar disa renovime që do të ndodhin në këtë shkollë e për të cilët drejtoresha Sahiti, ka thënë se deri tani kemi parë vetëm fjalë, shumë pak punë.

“Për renovimin e shkollës tonë mund të themi se tash e 3 vitet e fundit më shumë është investuar në fjalë dhe propagandë të llojllojshme, por punë konkrete nuk kemi parë, në përjashtim të vitit shkollor 2018/2019 ka filluar Salla e edukatës fizike të përgatitet për renovim, d.m.th. janë hequr parketi dhe gërryer muret nga fasada e mëhershme nga brenda. Për këtë gjë ne nga Komuna e cila është përcjellëse e investimit nga ana e Zyrës qeveritare për investime publike, nuk kemi marrë asnjë lloj dokumenti dhe asnjë lloj shkrese për caktimin e punë kryesit i cili është caktuar nga tenderimi të cilin komuna e ka bërë. Duke u nisur nga ky fakt, shkolla jonë ka fituar të drejtën e konkurrimit më pas edhe është kualifikuar në listën e prioriteteve për investime publike dhe më pas edhe projektin për investim në shkollën tonë. Por, kjo është gjendja e deritanishme rreth renovimit të shkollës. Ne si shkollë kemi përgatitur edhe një elaborat të ecurisë së punëve në të cilin duhet të bazohet punë kryesi me qellim të mbarëvajtjes së procesit mësimorë gjegjësisht mos pengimit eventual të kryerjes së punëve në Renovimin e shkollës tonë”, ka thënë drejtoresha Besa Sahiti. /vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat