Pse LDK-ja ka pësuar rënie?!

Politika

Pse LDK-ja ka pësuar rënie?!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 5 mars 2019 Në ora: 09:17
Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri

Lidhja Demokratike e Kosovës po pëson rënie në elektorat. Madje, LDK-ja po del të jetë parti e dytë, pas Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit. Krejt kjo bazuar në një sondazh publik në rrjetin social Facebook, të realizuar nga faqja e “Bota sot”, i cili ka zgjatur 24 orë. Në këtë sondazh, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm para LDK-së, gjë që në të kaluarën nuk ka ndodhur, mirëpo përkundrazi LDK-ja dilte parti e parë.

Image
Sondazhi

Zhvillimet e fundit brenda partisë së LDK-së, siç duket kanë ndikuar që kjo parti të ketë rënie. Përkrahja e idesë së presidentit Thaçi nga nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, i cili ka ndikim të kamotshëm dhe të madh në partinë e tij, si dhe takimi i liderit Isa Mustafa në orët e vona të natës me presidentin Thaçi, duket se kanë bërë që LDK-së të humbas elektorat. Të paktën kështu kanë analizuar njohës të rrethanave politike për gazetën “Bota sot”.

Bunjaku-Rexhepi: Lutfi Haziri nuk po e përkrah idenë e Thaçit

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Mirëpo, këtë fakt të sondazhit nuk e pranon deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila për “Bota sot” thotë se sondazhet nëpër portale nuk paraqesin opinionin real të gjendjes në terren, ndërsa kritikon Lëvizjen Vetëvendosje se po angazhon numër të madhe të aktivistëve për të votuar në sondazhe.

“Sondazhet nëpër portale nuk paraqesin opinionin real të gjendjes në terren. Aq më tepër kur dihet se Vetëvendosje angazhon numër të madh të aktivisteve për punë të tilla. LDK bazohet vetëm në sondazhe prestigjioze të cilat e bëjnë partinë më të preferuar dhe në takime me elektoratin të cilët e shohin si alternativën më të mirë për zgjedhjet e ardhshme. Dhe ne presim që në të ardhmen kjo përkrahje të rritet dhe të qeverisim me vendin me votën e lirë qytetare”, ka thënë ajo.

Ndonëse presidenti Thaçi përkrahë Lutfi Hazirit deklaroi se idenë për korrigjimin e kufijve e ka marrë nga ky i fundit, deputetja Bunjaku thotë se Haziri po kërkon vetëm bashkimin e Preshevës dhe sipas saj, LDK-ja me Lutfi Hazirin del bindshëm e para.

“Lutfi Haziri nuk po e përkrah idenë e Thaçit po kërkon bashkimin e Luginës me Kosovë sepse ata janë vëllezërit tanë. Nuk ka të bëj me përkrahje të idesë së Thaçit është mirë me e kuptu drejtë, ndërsa LDK me Lutfi Hazirin bindshëm del e para”, është shprehur ajo.

Millaku: Lëvizja Vetëvendosje është në ditët më të mira të saj

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku duke komentuar sondazhin e “Bota sot” në të cilën partia e saj doli para LDK-së, thotë se VV-ja është në ditët më të mira të saj dhe se grupi i dal nga kjo parti për t’iu bashkuar PSD-së, vetëm ka krijuar një huti të përkohshme tek qytetarët.

Ajo zotohet se Vetëvendosja do të tejkaloj edhe rezultatin e vitit 2017, dhe do te dal si partia e parë në zgjedhjet e ardhshme.

“Grupi i dalë nga Lëvizja Vetëvendosje vetëm ka krijuar një huti të përkohshme tek qytetarët , mirëpo kjo veç është tejkaluar fal angazhimit të strukturave të Vetëvendosjes. Lëvizja Vetëvendosje është në ditët më të mira të saj, dhe jam e bindur dhe me shumë përgjegjësi e them se kurdo që do të mbahen zgjedhjet Vetëvendosja do ta tejkaloj edhe rezultatin e vitit 2017, dhe do te dal si partia e parë”, ka thënë Millaku për “Bota sot”.

Maxharraj: LDK duhet të lirohet nga garda e vjetër

Image
Prof. Dr. Binak Maxharraj

Ndërsa analisti politik, Prof. Dr Binak Maxharraj ka thënë për “Bota sot” se LDK-ja duhet të shkëputet nga strukturat e vjetra të saj, të cilat i akuzon për lidhjet me klanin “Pronto”, përmes bizneseve të tyre.

“Vitet e fundit pati një ngritje të butë të LDK-së në të gjitha sondazhet. Kjo erdhi si pastaj e distancimit të madh dhe të ngurtë të LDK-së ndajë politikave shkatërruese të PDK-së dhe koalicionit PAN. Por, siç dihet në LDK ka mbet edhe shumë për t’u bërë rreth reformimit të saj, rreth freskimit të saj me kuadro të reja që i ka aty brenda. LDK ngadalë por pandashëm duhet të lirohet nga garda e vjetër e cila në këto rrethana më shumë po pengon sidomos ato kallupi e sajë, sepse shumica prej tyre të vjetërve të LDK-së janë kap përmes bizneseve më klanin PRONTO. Pra, lirimi i LDK-së nga strukturat e vjetra gati 30 vjeçare është i domosdoshëm dhe i nevojshëm. Besoj se LDK do ta marr kurajën në zgjedhjet partiake të caktuara për prill të këtij viti do ta bëjë një gjë të tillë”, ka potencuar Maxharraj.

Lidhur me rënien e LDK-së në sondazhe, Maxharraj, ka thënë se, qëndrimet e përafërta të Lutfi Hazirit me PDK-në, si dhe takimi i presidentit Thaçi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kanë bërë që LDK-së të humb elektorat.

Ai paralajmëron se çdo lëvizje e LDK-së kah PDK-ja, do të ishte një katastrofë për të.

“Por, brenda për brenda LDK-së, është edhe një fenomen tjetër i quajtur Luta, i cili veç e ka treguar vetëm së është mish i egër në LDK. Ky farë Luta sikur të ishte shah në vete del kundër qëndrimeve të LDK-së, duke ia bërë me sy PDK-së. Ky njeri sikur është blerë në pazarin e PDK-së, del haptas kundër qëndrimeve të LDK-së, sidomos po i ndihmojë shumë kasapi të krasitjes së Kosovës, Hashim Thaçi. Ky njëri shah në vete duhet disi të eliminohet të këtë ndonjë ndikim në politikat e LDK-së. Më pastaj do thosha se edhe shkuarja e xhelatit të PDK-së dhe Presidentit Hashim Thaçi në “vizitë” te Isa Mustafa në shtëpinë e tij sikur la një mjegullinë për arsyen e shkuarjes së tij. Të gjitha këta dhe shumë të tjera mundësuan që LDK të humb diçka në elektoratin e vet, çka po tregojnë edhe sondazhet sikur është ky i “Botasot”.Thjeshtë LDK-së i duhet një lidership i rijnë për të ecë përpara, por edhe një afrim më i guximshëm me Vetëvendosjen që në këtë rast i duhet Kosovës. Çdo lëvizje tjetër e LDK-së kah PDK-ja është katastrofë për të”, ka shtuar tutje Maxharraj.

Haziri: Rezultati befasues

Image
Nexhat Haziri

E analisti politik, Nexhat Haziri, përkundër sondazheve mendon se LDK-ja do të jetë e para. Ai thotë për “Bota sot” se, LDK-ja mundet t’i jap vendit një qartësi të plotë drejtë një të ardhme të sigurt që do ta bënte një shtet prosperues.

“Është paksa rezultat befasues për mua, pasi të gjitha sondazhet e bëra deri më tani nxjerrin LDK-në të parën. Kur e them këtë mendoj se vendit i duhet një qeveri normale nga njerëz që janë të përgatitur profesionalisht që kanë kredibilitet politik dhe moral, e çka është më kryesorja njerëz që punojnë për forcimin dhe zhvillimin e Republikës në të gjitha fushat, dhe këtë ekip mendoj se e ka LDK-ja dhe mundet t’i jap vendit një qartësi të plotë drejtë një të ardhme të sigurt që do ta bënte një shtet prosperues, i mirëqenë për qytetarët e vet, i pranuar dhe i respektuar edhe në rrafshin ndërkombëtar”, ka nënvizuar Haziri.

Tutje, Haziri ka kritikuar qeverinë aktuale, duke thënë se po i sjellë shumë pasoja vendit.

“Deri më tani jemi dëshmitar se koalicioni aktual qeverisës solli shumë pasoja si rezultat i keqqeverisjes, pasoja këto që do kërkohet kohë për t’i sanuar sa që janë duke e rrezikuar edhe substancën e shtetësisë. Po ashtu jam i bindur se Republikës nuk i vije asgjë e mirë nga ata që në emër të një patriotizmi të shpifur ia mendojnë zhbërjen e saj, duke e rrezikuar të ardhmen sajë, nga një shtet në një bashki. Jam shumë i sigurt se qytetarët e Kosovës nuk e duan një gjë të tillë”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat