Tahiri: S’ka viza, arsyet janë të ndryshme

Politika

Tahiri: S’ka viza, arsyet janë të ndryshme

Nga: N.H Më: 5 mars 2019 Në ora: 23:03
Ramush Tahiri

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, ditë më parë ka thënë se liberalizimi i vizave nuk varet më nga Kosova, por nga shtetet anëtare. Sipas Hoxhës, Kosova i ka plotësuar kushtet, por liberalizimi nuk ndodhi.

“Pak vështirë të japim përgjigje për punët me viza, jo pse nuk kemi por për shkak se tani jemi në hapin e fundit, hap i cili nuk varet nga Kosova por nga shtetet anëtare, nga këshilli i ministrave. Për momentin, besoj që është një rast i mirë nëse shtetet anëtare vendosin që ta fusin në agjendë në mbledhjen e këshillit në qershor, pas zgjedhjeve në parlamentin evropian”, tha Hoxha.

Lidhur me ketë, politologu Ramush Tahiri, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se liberalizim të vizave nuk do të ketë as këtë vit.

Sipas Tahirit, arsyet se pse nuk po ndodhë lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës janë të shumta

“S’ka liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës as këtë vit. Arsyet janë të ndryshme e tash pengesë është politika izolacioniste e institucioneve shtetërore të Kosovës e tash konkretisht tarifa doganore ndaj mallrave të Serbisë e të Bosnjës e të Hercegovinës që Kosova e ka vënë njëanshëm”, ka thënë  Tahiri.

Politologu Tahiri, konsideron se po të ishte në vullnetin dhe në dëshirën e kryeministrit Haradinaj, liberalizimi i vizave do të kishte ndodhur përpara dhjetë vitesh.

“Po të ishte në vullnetin dhe në dëshirën e Kryeministrit Ramush Haradinajt liberalizimi i vizave do të kishte ndodhur përpara dhjetë vitesh. E pse ai ka premtuar është e kuptueshme se ka qenë dhe është fushatë elektorale edhe partiake edhe personale. Pengesë formale juridike për liberalizim është mos mundësia e vendosjes në forumet e institucionet e Bashkimit Evropian nga fakti se pesë vende anëtare end nuk e kanë njohur Kosovën si shtet”, ka thënë politologu.

Në fund, ai shton se më një rast si Kosova, Bashkimi Evropian nuk është ballafaquar asnjëherë.

“Me një rast tillë nuk është ballafaquar Bashkimi Evropian në historinë e tij dhe nuk ka ndonjë dakordim si të kapërcehet kjo dhe që qytetarëve të Kosovës viza të mos u jepet minus pesë vendeve”, ka thënë në fund Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat