Familja Jashari e pa fytyrën e vërtetë të Hashim Thaçit, më nuk ia hapë derën

Politika

Familja Jashari e pa fytyrën e vërtetë të Hashim Thaçit, më nuk ia hapë derën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 mars 2019 Në ora: 07:51
Hashim Thaçi në homazhe në Prekaz

U bë një kohë e gjatë që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk shkon për vizitë në odën e familjes së Komandantit legjendar Adem Jashari.

Sikurse tash e sa vite, as të martën në 21 vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk u mirëprit nga pasardhësit e Jasharajve heroikë. Atij i mjaftoi vetëm një vizitë dhe homazhet tek kompleksi memorial i të rënëve, por të gjallët nuk ia hapën derën, si politikanëve të tjerë.  

Kanë kaluar 21 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, përveç së bën homazhe tek kompleksi memorial në Prekaz, ai ka nj një kohë të gjatë që nuk e viziton familjen Jashari.

Siç duket, veprimet politike të Presidentit Thaçi, kanë ndikuar që familja e komandantit legjendar Adem Jashari, të mos ia hapë derën.

Salihaj: Thaçi e përdori sakrificën e familjes Jashari

Ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj, ka thënë se, ka shumë vite që në familjen Jashari nuk hyn më këmba e Hashim Thaçit.

“Ne të gjithë e dimë se Hashim Thaçi e përdori sakrificën e familjes Jashari për ta rritur votën e tij dhe të PDK-së dhe njëkohësisht për ta sulmuar LDK-në dhe presidentin Rugova. Në emër të sakrificës së familjes Jashari dhe gjakut të derdhur, u shpallën tradhtarë dhe u vranë shumë veprimtarë të devotshëm të LDK-së, të cilët ishin patriotë dhe dhanë kontribut të çmueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Salihaj.

Sipas tij, ka disa vite që po shihet se LDK-ja, presidenti Rugova dhe gjithë ata veprimtarë të saj nuk qenë tradhtarë, por patriotë të vërtetë.

Image
Adem Salihaj

 

“Tash po shihet se tradhtari në të vërtetë paska qenë vetë Thaçi, i cili jo vetëm që e ka shitur edhe gjakun e derdhur dhe sakrificën e familjes Jashari, por edhe të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por po mundohet ta shesë edhe tokën e Kosovës, të larë me gjak. Ka disa vite që familja Jashari e pa fytyrën e vërtetë të Hashim Thaçit dhe më nuk e lë që ta shkel pragun e saj, sepse kjo ka qenë me vite fyerja më e madhe, që i është bërë kësaj familjeje”, ka thënë ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Makolli: Duhet unitet i spektrit politik

Image
Vesel Makolli

Kurse, sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli ka thënë se, Adem Jashari dhe familja Jashari simbolizojnë UÇK-në, rezistencën e armatosur të popullit shqiptar dhe mbrojtjen e pragut të shtëpisë.

“Ibrahim Rugova simbolizon të gjithë atë lëvizje paqësore që i tregoj botës për shtypjen dhe aparteid-in e shtetit gjenocidial serb ndaj popullit më të vjetër të kësaj pjese të botës. Po ashtu Adem Jashari dhe familja Jashari simbolizojnë UÇK-në rezistencën e armatosur të popullit shqiptar dhe mbrojtjen e pragut të shtëpisë. Lufta dhe rënia heroike e një familje të tërë është një rast unik në historinë botorë. Fale këtyre dy vlerave unike me përmasa botërore, ne sot frymojmë lirshëm ne Kosovën tonë shtet të pavarur dhe demokratik”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, familjen Jashari e cila simbolizon tërë UÇK-në e Kosovës duhet ta respektojnë të gjithë me përulje përjetësisht.

“ Duhet ti lëmë anash të gjitha ndikimet politike si dhe interesat individuale e grupore kur bahet fjale për vlerat e luftës, vlerat e atyre që flijuan edhe gjënë më të shtrenjtë - jetën, për këtë Kosovë të lirë e demokratike që ne dhe fëmijët tanë e gëzojmë sot. Prekazi vizitohet nga dhjetëra e qindra mija njerëz nga e gjithë Kosova e më gjerë e sidomos gjatë ditëve kur bëhet festimi i Epopesë së UÇK-së në 5, 6 e 7 Mars, dhe kuptohet që është e pa mundur fizikisht që familja Jashari t`i pranoj të gjithë për vizitë brenda në shtëpinë e tyre”, ka thënë Makolli.

Ai ka pohuar se, vizita dhe homazhet e bëra në kompleksin memorial nënkuptojmë edhe respektin e deri në pietet për familjen Jashari dhe tërë UÇK-në.

“Dihet botërisht se të gjithë liderët tanë i bëjnë vizita Prekazit e këtu nuk bënë përjashtim as Kryetari i Kosovës Hashim Thaçi, i cili çdo përvjetor bën homazhe në kompleksin memorial pranë të rënëve për liri në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin. Mos vizita e tij në familjen Jashari është një çështje tjetër e cila me siguri lidhet me ndonjë ndikim kolateral, i cili me siguri në të ardhmen ish dashtë të tejkalohet, duke arritë një unifikim të spektrit politike i cili është më se i nevojshëm për të mirën e përgjithshme të vendit tonë”, ka thënë Vesel Makolli.

Haziri: Soji i këtyre njerëzve nuk e nderon Adem Jasharin

Image
Nexhat Haziri

Opinionisti Nexhat Haziri, ka pohuar se ditët e Epopesë së UÇK-së, simbolizojnë sakrificën familjes Jashari për lirinë e vendit dhe që meriton gjithë respektin dhe vlerësim e shqiptarëve kudo që ndodhën.

“Mendoj se vet familja Jashari është dashur që t'i ndërpres takimet shumë kohë më parë jo vetëm më Thaçin por me të gjithë ata të tjerët, që po ashtu janë bashkëpunëtor të Thaçit, e që janë të inkriminuar në vrasjet politike, në krim të organizuar, korrupsion dhe veprimtari të tjera antiligjore. Soji i këtyre njerëzve nuk e nderon Adem Jasharin e as familjen Jashari në përgjithësi”, ka thënë opinionisti Haziri.

Krasniqi: Familja Jashari të qëndrojë  sa më larg politikës dhe interesit

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, politologu Faik Krasniqi, ka pohuar se ka kohë, që marrëdhëniet mes familjes Jashari dhe Hashim Thaçit nuk janë të mira.

Ai ka thënë se, familja Jashari meriton trajtim të veçantë, e sidomos nga institucionet e shtetit.

“Kjo familje në këto dy dekada është shfrytëzuar nga politikane të ndryshëm për interesa personale, e sidomos nga Hashim Thaçi dhe ata që e konsiderojnë vetën miq të familjes. Sidoqoftë edhe familja Jashari nuk është dashur që për interesa personale të ngatërrohen me këta që e shkatërruan shtetin. Kjo familje është simbol i kombit dhe e tillë duhet të mbetet, prandaj sa më larg politikës dhe interesit, aq më mirë për këtë familje. Pak a shumë këtu mund të nxjerrim një përfundim pa spekuluar që është më shumë çështje interesi prishja e raporteve mes familjes Jashari dhe Hashim Thaçit, se sa spekulimet që familja Jashari nuk ka raporte për shkak se Presidenti Thaçi mban fajin më të madh për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova. Sikur të ishte ashtu, pjesëtarët e kësaj familje s'do të ngatërroheshin fare me këta hajna e kriminelë”, ka thënë politologu Krasniqi.

Ahmeti: Familja Jashari ka një milion e një arsye për injorimin e Thaçit

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka pohuar se transformimi i personalitetit të Hashim Thaçit prej një idealisti në një pragmatizëm politik ka bërë familjen Jashari të ndryshoj qëndrim karshi personalitetit të tij të luhatshëm e karrierist.

Sipas tij, gjurmët e Thaçit në periudha historike, posaçërisht në periudhën e mbas luftës kanë dëmtuar substancën e vlerave të luftës së UÇK-së, duke nëpërkëmbur, njollosur dhe degradimin të skajshëm të luftës së drejtë dhe të vërtetë.

“Thaçi përveç që ka nëpërkëmbur vlerat e luftës së UÇK-së ai njëkohësisht ka nënvlerësuar edhe substancën e shtetësisë së Republikës së Kosovës me koncesione të vazhdueshme të cilat çdo ditë e më shumë po zbehin imazhin e Kosovës nga brenda dhe jashtë vendit. Substanca e Republikës së Kosovës identifikohet me sakrificën e familjes Jashari, por edhe me sakrificën dhe kontributin e çdo familje, individi të cilët nuk u kursyen për çlirimin e Kosovës, por jo për Kosovën në të cilën po jetojmë sot, me papunësi enorme, varfëri të skajshme, gjyqësi e prokurori të kapura, arsim e shëndetësi të degraduar, ku e bëri Thaçi me shokët e tij”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, ideali i familjes Jashari, por edhe i atyre që sakrifikuan për këtë ditë është tradhtuar, tjetërsuar e reduktuar në interesa personale të Thaçit dhe një pjese të elitës politike, të cilët përfituan materialisht dhe tjetërsuan Republikën e Kosovës në pronë private.

“Gjykoj se familja Jashari ka një milion e një arsye të injorimit të Thaçit, pasi Thaçi në vazhdimësi ka njollosur vlerat e luftës, duke bërë koncesione në dëm të Republikës së Kosovës, por edhe gërryer Kosovën si të ishte pronë e tij private”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Burjani: Ftohja e raporteve vazhdon të mbetet në të njëjtin nivel

Image
Blerim Burjani

Analisti politik Blerim Burjani, ka thënë se deri më tash shkaqet e ftohjes së raporteve ndëmrjet familjes Jashari dhe Thaçit nuk janë bërë publike, pasi dy palët hezitojnë të flasin.

Madje ai ka theksuar se, nuk dihen as arsyet e shtyrjes së ndërtimit të kompleksit Adem Jashari në Prekaz.

“Shpesh këto zbehje të këtyre raporteve kanë ndodh në heshtje, mos kënaqësia ndodhë kur njeri nga familja Jashari u kadidua për kryetar komune si i pavarur, të gjithë e votuan në heshtje edhe PDK në Skenderaj, por pa dhënë arsye pse një anëtar i familjes Jashari vendosi të del vet në zgjedhje duke spekuluar edhe më shumë se ai do të themeloj parti të re në truallin e PDK-së”, ka thënë Burjani.

Ai ka pohuar se, ky veprim  u shpjegua si përçarje në mes komandanteve dhe familjes Jashari.

Madje, sipas tij, ka edhe hipoteza tjera të cilat nuk bëhen publike, derisa në anën tjetër familja Jashari vazhdon ende të kritikojë pushtetin e Thaçit dhe PDK-së për keqpërdorimet e pushtetit dhe për interesa tjera personale.

“Ftohja e raporteve vazhdon të mbetet në të njëjtin nivel pa ndryshim fare, pasi ende nuk dihet se a do të themelohet një parti e re në truallin e Drenicës për të punuar me nder për shtetin”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat