Kosovës nuk i duhet njohja nga një shtet kriminal si Serbia

Politika

Kosovës nuk i duhet njohja nga një shtet kriminal si Serbia

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 7 mars 2019 Në ora: 10:42
Foto ilustruese

Përfaqësues të opozitës kanë thënë se njohja e Kosovës nga Serbia nuk është edhe e domosdoshme të realizohet me çdo kusht, pasi që, sipas tyre, sovraniteti i Kosovës nuk guxohet asnjëherë të vendoset si masë tregtie. Në një linjë me opozitën qëndrojnë edhe njohësit e zhvillime politike dhe ekonomike në vend. Ata ka bërë me dije se shtetit të Kosovës nuk i duhet njohja nga një shtet kriminal si Serbia, që ka ushtruar gjenocid për vite me radhë ndaj shqiptarëve.

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, vazhdon të insistojë në njohjen nga Serbia, në këmbim të heqjes së taksës 100 për qind për mallrat serbe, përkundër presionit të madh të administratës amerikane për zgjidhjen e nyjës rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se e ka të vështirë për vendimet që i merr, pasi që është i vetëm.

I pari i qeverisë së Kosovës ka theksuar se taksa nuk është suspendimi si veprim, por sipas tij është kualiteti finales me çka do të merren vesh dy vendet.

“A do të jetë njohja reciproke pa dëme të brendshme apo me dëme të brendshme qofshin dëme të natyrës së territorit apo kufijve qofshin dëmet e Republikës së Dodikut këtu. Duke qenë kështu kuptohet që unë s’mundem me pas qëndrim tjetër. Edhe i lus krejt politikanët shqiptarë kudo që janë që të mos ta neglizhojnë, se nëse ne trajtohemi dhe ia nisim tash me hapa prapa si do të arrijmë ne në finale? Për këtë kemi mbetur 20 vjet për këto politikanë, për këtë logjikë vendimmarrëse, servile, mashtruese dhe kemi shku e i kemi mashtru edhe miqtë u kemi dhënë opinione të gabume për proceset. Koha është me e thënë të vërtetën në tavolinë, me u ditë. Një Kosovë e 17 shkurtit është një minimum, është një kompromis për të drejtën e shqiptarëve nuk mundet ajo edhe me u zvogëlu më shumë”, ka deklaruar Haradinaj.

Përfaqësues të opozitës janë kundër qasjes së kryeministri Haradinaj. Ata për gazetën kanë thënë se njohja e Kosovës nga Serbia është e rëndësishme, por nuk është edhe e domosdoshme të realizohet me çdo kusht, pasi që, sipas tyre, sovraniteti i Kosovës nuk guxohet asnjëherë të vendoset si masë tregtie.

Ndërsa, në një linjë me opozitën qëndrojnë edhe njohësit e zhvillime politike dhe ekonomike në vend. Ata ka bërë me dije se shtetit të Kosovës nuk i duhet njohja nga një shtet kriminal si Serbia, që ka ushtruar gjenocid për vite me radhë ndaj shqiptarëve.

Gecaj: Njohja nga Serbia nuk është e domosdoshme

Image
Bajram Gecaj

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se edhe pse njohja nga Serbia është e rëndësishme, një gjë e tillë nuk është edhe e domosdoshme që të realizohet me çdo kusht.

“Njohja e Kosovës nga Serbia është e rëndësishme, por nuk është e domosdoshme të realizohet me çdo kusht. Sovranitetin dhe integritetin territorial nuk guxojmë asnjëherë ta vendosim si masë tregtie për njohjen e Kosovës”, ka thënë ai.

Gecaj ka shtuar duke thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojnë, ndërsa ka bërë me dije se ekipi negociator duhet t’i prekë të gjitha çështjet kontestuese, një prej tyre edhe kërkimfalja nga Serbia.

“Dialogu duhet të vazhdojë dhe gjithsesi se duhet t’i prekë të gjitha çështjet kontestuese, duke përfshirë edhe kërkimfaljen zyrtare nga shteti i cili na shkaktoi aq shumë dëme, vuajtje e viktima”, ka përfunduar Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Kadriaj: Pala e Kosovës të përgatitet për kompromise të dhimbshme

Image
Mustafë Kadriaj

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se argumentet tregojnë se e drejta çdoherë ka qenë dhe është për Kosovën.

“Argumentet faktike dhe historike tregojnë që e drejta ka qenë dhe është për Kosovën, por gjatë administrimit nga Serbia për afër një shekulli ka bërë që në nivel ndërkombëtar Serbia të paraqes Kosovën si pjesë përbërëse të saj, mirëpo fati ishte në fatkeqësi që marrja përfundimisht e të gjitha të drejtave në vitet e 90’ta si dhe krimet në luftën e fundit zgjoi boten demokratike duke intervenuar edhe ushtarakisht”, ka thënë Kadriaj, për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, përkundër padrejtësive të mëdha që bëhen ndaj Kosovës, vendi asnjëherë nuk guxon ta rrezikojë partneritetet me fuqitë e mëdha.

 “Pra, edhe për teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare Kosova është një shembull në vete siç është quajtur sui-generis si nga aspekti i çlirimit dhe shtet-nderimit ishte faktor Bashkimi Evropian dhe SHBA. Kështu që bota demokratike nuk lejon që Kosova të dështoi si projekt por për fat jo të mirë në momente të caktuara duhet të jemi të vetëdijshëm që na bëhen padrejtësi qe përkundër dhimbjes duhet t’i tejkalojmë, sepse ne nuk guxojmë të humbim miqësinë me perëndimin. Edhe pse Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 këto dhjet vite treguan që nuk mjafton vetëm ky numër i njohjeve sepse mungesa e ulëse në Kombet e Bashkuar tregoi që ishim në disfavor ndaj Serbisë duke dështuar anëtarësimin në shumë organizata me rendësi për shtetësinë dhe ekonominë e Kosovës”.

Kadriaj nënvizon se kërkimfalja nga Serbia dhe obligimet tjera të luftës konsideron se Kosova mund t’i kërkojë më lehtë në momentin e sigurimit të ulëses në Kombet e Bashkuara.

“Pamarre parasysh që e drejta është në anën e Kosovës koha dëshmoi që vendi ka nevojë për njohje edhe nga Serbia sepse kjo krijon siguri për një pjesë të shteteve që hezitojnë të na njohin kështu që në momentin e njohjes largohen të gjitha hezitimet ndaj Kosovës si realitet. Pra, pala e Kosovës duhet të përgatitet që mund të ketë kompromise të dhimbshme marrëveshja përfundimtare me Serbinë, por Kosova ka nevojë për njohje edhe nga Serbia edhe për hir të ardhmes së vet si shtet ndërsa kërkimfalja nga Serbia dhe obligimi ndaj dëmeve të luftës si dhe në njerëz dhe anën ekonomike mendoj që Kosova mund t’i kërkoj me lehtë në momentin e sigurimit të ulëses në Kombet e Bashkuara sepse ka shumë raste që ende gjykohen shtetet dhe marrin obligime për dëmet e shkaktuara gjatë luftës së dytë botërore”, ka përfunduar njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Krasniqi: Kosovës nuk i duhet njohja e një shteti kriminal

Image
Faik Krasniqi

E, analisti politik, Faik Krasniqi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosovës nuk i duhet njohja nga një shtet kriminal si Serbia, që ka ushtruar gjenocid për vite më radhë ndaj shqiptarëve.

“Bashkësia Ndërkombëtare e në veçanti Bashkimi Evropian, nuk e kanë hallin që Kosova të njihet si shtet nga ana e Serbisë, por halli i tyre është që Serbia sa më shpejtë të bëhet pjesë e BE-së. Ketë e kanë deklaruar vazhdimisht zyrtarët e saj, që prioritet i tyre është futja e Serbisë në BE.

Sipas Krasniqit, Kosova nuk është dashur kurrë të futet në bisedime pa marrë kërkim-faljen nga Serbia dhe pa i paguar kjo e fundit dëmet e luftës.

“Neve s'ka pse të na duhet njohja nga një shtet kriminal si Serbia, që ka ushtruar gjenocid ndaj nesh. Pse Serbia s'ka kërkuar falje ndaj nesh për krimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptareve të Kosovës, fajtore jemi edhe vet. Nuk është dashur kurrë të futemi në bisedime pa na kërkuar falje Serbia, dhe pa na i paguar demet e luftës. Presidenti Vuçiq e tha hapur se nuk mund ta njohim Kosovën shtet pa na dhënë diçka si shkëmbim për njohje. Ku është BE-ja, ku është SHBA-ja, që po bëjnë presion të madh ndaj nesh për heqjen e taksës, kurse ndaj Serbisë që hapur e shpreh tendencën për grabitje të territorit ndaj nesh për hir të njohjes, dhe nuk e qortojnë fare? Atëherë duhet t'i themi Serbisë dhe Bashkësisë Ndërkombëtare  se nuk e duam njohjen nga një shtet kriminal si ju”, ka thënë me tej ai.

Krejt në fund, Krasniqi ka thënë se ka frikën se Kosovës po i lozet loja për ndarjen e saj.

“Kam friken që Kosovës po i lozet loja për ndarjen e saj, dhe po na përsëriten konferencat e Londrës, Berlinit dhe Versajës, ku me tokat shqiptare u bënë pazare nga fuqitë e mëdha në favor të Serbisë. Nuk duhet të kemi frike nga armiqtë, por nga miqtë e rrejshëm”, ka përfunduar analisti politik, Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, së fundi është drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Evropian, Christian Danielsson, ai i cili ka përsëritur kërkesën e Komisionit Evropian që Prishtina të heqë taksën ndaj produkteve serbe. Danielsson ka thënë se për veprimet që po e pengojnë vazhdimin e procesit do të kenë pasoja të dëmshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat