Lufta Thaçi – Haradinaj, fushatë parazgjedhore

Politika

Lufta Thaçi – Haradinaj, fushatë parazgjedhore

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 mars 2019 Në ora: 21:20
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ideja e korrigjimit të kufijve me Serbinë e propozuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj.

E kundërshtim pati dhe nga ana e presidentit për taksën e vendosur nga kryeministri Haradinaj, për produktet serbe dhe ato të Bosnjës.

Përplasjet e krerëve të shtetit po vazhdojnë edhe për Milan Radojiçiç, i cili është i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviq.

Së fundmi ai u deklarua se kishte takuar edhe presidentin por edhe kryeministrin, pasi presidenti kishte thënë se Kryeministri e ka shok Milan Radojiçiçin.

Rugova: Kjo politikë e dëmton shumë perspektivën e vendit tonë

Image
Naser Rugova

Lidhur me përplasjet mes Presidentit dhe Kryeministrit dhe sa i konvenojnë vendit, kur aktualisht kërkohet heqja e taksës dhe kundërshtohet ideja e korrigjimit të kufijve, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se komunikimi mes tyre e tregon krizën e thellë në institucionet e vendit dhe se kjo politikë e dëmton perspektivën e vendit tonë.

“Ky komunikim i dy krerëve të shtetit tregon për gjendjen e institucioneve të shtetit dhe krizën e thellë institucionale në vendin tonë. Veprimet dhe qëndrimet e tilla si dhe mungesa e artikulimit të qarte institucional në raport me dialogun tregon sa të çakorduar jemi si shtet dhe si institucione, kjo politikë e dëmton shumë perspektivën e vendit tonë”, është shprehur Rugova.

Tahiri: Kontraditat ndërmjet Ramush Haradinajt dhe të Hashim Thaçit janë shumë të vjetra

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se përplasjet janë normale.

Image
Ramush Tahiri

“Përplasjet dhe kundërshtimet publike ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Kosovës, janë dukuri normale edhe në shtetet e tjera, që i kanë dallimet e mëdha apo të vogla dhe që i kanë konceptet e ndryshme edhe kundërshtuese për një serë çështjes që janë me interes dhe që janë konkrete apo parimore. Interesi përcaktohet si grupor, shoqëror, kombëtar edhe shtetëror”, ka vlerësuar Tahiri.

Sipas tij, mospajtimet e tilla në vende demokratike zgjidhen me mirëkuptim, ndërsa thotë se kontradiktat ndërmjet Thaçit e Haradinajt janë të vjetra dhe në këtë kohë po shfrytëzohen për tu vënë në pah.

“Mospajtimet e tilla, në vendet demokratike zgjidhen me harmonizim, me mirëkuptim, me heqjen dorë të njërit personalitet apo institucion nga pikëpamjet, vendimet apo nga qëndrimet e tija ose kjo zgjidhet nëpërmjet vendimmarrjes në Parlament. Zakonisht kur këto dallime bëhen publike atëherë edhe hyjnë apo janë në procedura të zgjidhjes institucionale dhe animimi i opinionit bëhet për argumentim dhe për presion demokratik. Të gjithë e dinë se kontradiktat ndërmjet Ramush Haradinajt dhe të Hashim Thaçit janë shumë të vjetra dhe se në këtë kohë po shfrytëzohen për tu vënë në pah, nga pozitat e funksioneve të zgjedhura institucionale, dhe ndikimit në media publike dhe të tjera si dhe gjatë manifestimeve e ceremonive zyrtare”, ka theksuar politologu Tahiri.

Ai thotë se këto polemika mes tyre duhet të zgjidhen duke pushuar me akuza e kundër-akuza në publik, pasi janë një shembull i keq, po i përçajnë qytetarët dhe po japin porosi të ndryshme edhe te faktori ndërkombëtar, që është nivel i ulët i përfaqësimit.

“Polemikat dhe mospajtimet President e Kryeministër konsideroj se duhet të zgjidhen me rrugë institucionale duke pushuar me akuza e kundër-akuza në publik sepse po japin një shembull të keq të jo sjelljes shtetërore, po i përçajnë qytetarët, po japin porosi të ndryshme të miqtë dhe te faktori ndërkombëtar dhe te shtetet individuale me të cilat Kosova ka marrëdhënie diplomatike. Kjo po tregon një nivel tejet të ultë të përfaqësimit dhe një mungesë kulture shtetërore, por edhe të një papërgjegjësie”, ka deklaruar Ramush Tahiri.

Abdullahu: Përbrenda koalicionit PAN çuditërisht po luhet loja e pandershme pozitë-opozitë

Image
Faton Abdullahu

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime që e forcojnë raportin me aleatët, e këtë nuk e kanë as taksa e as korrigjimi i kufirit.

“Sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me ato vendime e politika të cilat forcojnë raportet e mira me aleatët tanë, sidomos SHBA-të dhe të cilat përkrahen nga shumica e qytetarëve të Kosovës. Edhe taksa kundër Serbisë edhe korrigjimi i kufirit nuk i kanë këta dy elementë, pa të cilët kurrë nuk mund të bëhen politika të dobishme për vendin tonë. Prandaj për t’i kamufluar këto dy mangësi të mëdha, që janë kthyer në dështime për Kosovën, përbrenda koalicionit PAN çuditërisht po luhet loja e pandershme pozitë-opozitë”, është shprehur.

Sipas Abdullahut, për t’i mbuluar politikat e tyre dështuese dhe djallëzore, Presidenti, Kryeministri e Kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat e kundër-akuzat, por duhet të ndalen dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“Për t’i mbuluar politikat e tyre dështuese dhe djallëzore, Presidenti, Kryeministri e Kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat e kundër-akuzat dhe po bëjnë fushatë parazgjedhore edhe duke shfrytëzuar paranë publike. Duke mos qarë kokën se kah po e qojnë kështu fatin e vendit tonë, ata po i shtyjnë para agjendat e tyre dekadente, klanore e partiake. Duhet te ndalen këta varrmihës politik. Duhet t’i japim mundësi qytetarit të Kosovës ta dërgoj në opozitë këtë koalicion. Zgjedhjet janë zgjidhja”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

Shahu: Presion i pamoralshëm i Thaçit ndaj Haradinajt

Image
Rexhep Shahu

Kurse, publicisti Rexhep Shahu, ka thënë se derisa kryeministri po përpiqet që Kosova të ketë dinjitet si shtet, presidenti vazhdon që ta bëjë Kosovën servile.

“Ndërsa Kryeministri i Kosovës Haradinaj po përpiqet që Kosova të ketë dinjitet si shtet, të pohohet si shtet, të pranohet si shtet, të vendosë për veten e saj si shtet i pavarur, Presidenti i Kosovës me këmbëngulje vazhdon sjellje servile qe ta bëjë Kosovën servile, vasale, të bëjë Kosovën deledash, edhe të pavarur edhe të varur nga orekset e humori i Serbisë”, ka vlerësuar ai.

Sipas Shahut, më i madh është presioni i Thaçit se i Serbisë dhe se presioni i Thaçit ndaj Haradinajt është i pamoralshëm.

“Më i madh është presioni i Thaçit se sa presioni i Serbisë apo i bashkësisë ndërkombëtare a tjetër kujt kundër Kosovës për ta heqë taksën ndaj mallrave serbe. Presion i pamoralshëm i Thaçit ndaj Haradinajt. Askush nuk e përfill nëse Kosovë pa identitet politik, pa shtyllë kurrizore, pa qëndrim të fortë, askush nuk e përfill Kosovën nëse ajo brenda ditës shpall tre a katër qëndrime të ndryshme të politikanëve kryesorë. Mendoj që Thaçi le të rrijë e të shpërndajë dekorata e fletë lavdërimi për marksistët e enveristët kapitalistë të Kosovës dhe të mos merret me punët e qeverisë. Thaçit dikush duhet t’i thotë se nuk është Kosova Republikë presidenciale ku vendos presidenti por është Republikë parlamentare që vendos parlamenti dhe qeveria. Qëndrimet e paqarta të Thaçit janë si thikë në errësirë kundër Kosovës”, ka theksuar ai.

Shahu thotë se nuk e kupton se si pas gjithë luftës që është bërë, të thuhet t’i falet territor Serbisë, derisa shton se Thaçi do të ishte hero nëse do të shkonte në shtëpi dhe të mos turbullonte ujërat.

“Nuk guxoj të them se ka tradhti e parulla të tilla, por guxoj të them se nuk arrij ta kuptojë asnjë shqiptar se si ka mundësi që u bë një luftë nga Amerika e NATO dhe UÇK për Kosovën dhe nuk besojmë se është bërë luftë për t’i falë territor Kosovë-Serbisë. Nuk maskohet dot me asnjë term as me korrigjim as me definim me asgjë nuk maskohet dhënia e territorit të Kosovës-Serbisë. Thaçi do të ishte hero nëse do të shkonte në shtëpi dhe të mos turbullonte ujërat, të mos ngatërronte me servilizmat e tij ndaj Serbisë dhe ndërkombëtarëve. Thaçi nuk është i emëruari i Beogradit në Kosovë”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat