Kombinati metalurgjik Trepça pas votimit në Kuvend të Statutit të saj, është regjistruar si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri Endrit Shala, duke thënë se Trepça do të rikthehet me shkëlqimin e dikurshëm dhe do të jetë krah i fuqishëm i ekonomisë sonë.
Lidhur me këtë lajm dhe se a është dashur të bëhej më herët kjo, njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Bota sot” se një gjë e tillë është dashur të ndodhtë prej kohësh dhe se tani shpëtimi i saj erdhi që u regjistrua si ndërmarrje publike.
“Kaherë është dashur të ndodhë diçka me këtë Kombinat, prej vitit 2000 ka pasur komente, shkruar dokumente hulumtuese, por ai nuk u privatizua por u bë ndërmarrje publike e rrallë që në ekonominë e tregut ndodhë, dikur mendohej se privatizimi është shpëtimi, tash shpëtimi erdhi të regjistrohet si ndërmarrje publike”, është shprehur ai.
Sipas Burjanit, tema e Trepçës asnjëherë nuk do diskutohet me Serbinë, pasi pasuritë e Kosovës nuk negociohen.
“Tema e Trepçës asnjëherë dhe kurrë nuk duhet të diskutohet asnjëherë me Serbinë, kjo çështje është e mbyllur, pasuritë e Kosovës nuk negociohen. Herët a vonë Trepça duhet të privatizohet, ka dhe mund të ketë edhe shumë investitorë që do të investojnë në këtë ndërmarrje dikur gjigante”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.