Vizita e zyrtarit amerikan në Kosovë, paralajmërimi i fundit për Haradinajn

Politika

Vizita e zyrtarit amerikan në Kosovë, paralajmërimi i fundit për Haradinajn

Nga: N.H Më: 8 mars 2019 Në ora: 22:26
Ramush Haradinaj

Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale, gjatë ditës së nesërme do ta vizitojë Kosovën, pas vizitës që sot realizoi në Beograd.

Zyrtari i lartë amerikan u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ndalin provokimet dhe ta vazhdojnë dialogun.

Nga Kosova, Hale ka kërkuar që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe.

Në një njoftim në Twitter të Ambasadës së SHBA-së në Beograd, thuhet se “Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut”.

Analisti politik, Nexhat Haziri, duke e komentuar paralajmërimin e Hale, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo vizitë është në kuadër të presonit të shtuar diplomatik ndaj qeverisë së Kosovës.

Sipas Hazirit, kjo mund të jetë edhe paralajmërimi i fundit që i bëhet sidomos kryeministrit Haradinaj.

“Vizita nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale, është në kuadër të presonit të shtuar diplomatik ndaj qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës prej 100 % për mallrat serbe dhe ato boshnjake, dhe mbase kjo mund të jetë edhe paralajmërimi i fundit që i bëhet sidomos kryeministrit Haradinaj”, ka thënë Haziri.

Me tej, ai ka shtuar se nëse Qeveria e Kosovës nuk reflekton, atëherë mund të të ndodhin disa masa ndëshkuese nga Uashingtoni zyrtar.

Image
Nexhat Haziri

“Dhe nëse qeveria, konkretisht kryeministrit Haradinaj nuk reflekton, atëherë mund të presim disa masa ndëshkuese nga Uashingtoni zyrtar, sidomos për kryeministrin Haradinaj që edhe mund ta determinojnë edhe karrierën e tij politike, pasi vendit nuk i duhet një kryeministër ndaj së cilit, miku më i madh dhe me përkrahjen më të madhe për Kosovën, siç është SHBA-at, ka vënë sanksione duke i ndërprerë edhe marrëdhëniet dhe komunikimet me të”, është shprehur ai.

Në fund, ai ka nënvizuar se përveç përsëritjes së kërkesës amerikane për heqjen e taksës, diplomati amerikan po ashtu do t’i inkurajoj liderët shtetëror të Kosovës për vazhdimin e dialogut.

“Po ashtu përveç përsëritjes së kërkesës amerikane për heqjen e taksës, diplomati amerikan po ashtu do t’i inkurajoj liderët shtetëror të Kosovës ashtu siç bëri edhe me liderët serb në Beograd, për vazhdimin e dialogut dhe për arritjen e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo që do të jetë obligative për të dyja palët”, përfundoi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat