Vjen thirrja: Kushtetuesja hap i vonshëm, protesta e nevojshme për ndaljen e Thaçit

Politika

Vjen thirrja: Kushtetuesja hap i vonshëm, protesta e nevojshme për ndaljen e Thaçit

Nga: D. RR Më: 10 mars 2019 Në ora: 22:43
Foto ilustrim: Hashim Thaçi

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është pajtuar me ligjin e dialogut që është votuar në Kuvendin e Kosovës.

Kësisoj ata kanë paralajmëruar se të njëjtin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Përveç LDK-së, edhe Vetëvendosja ka marrë iniciativën për ta kundërshtuar këtë ligj përmes Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami përmes një prononcimi për “Bota sot”, ka thënë se LDK-ja është vonë me dërgimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, e sipas tij, protestat do të duhej të ishin zgjidhje në këtë situatë.

Image
Gazmend Islami

“LDK-ja ka vepruar vonë me dërgimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë nuk mund ta hedh poshtë këtë ligj, pasi është votuar me votat e shumicës parlamentare, të cilat janë të zgjedhur të popullit. LDK-ja do duhej të përdorte forma tjera të parandalimit të votimit të atij ligji, mirëpo ata vetëm janë të zëshëm dhe nuk veprojnë. Protesta dhe çfarëdo mënyre tjetër demokratike do të ishte më efektive për ta parandaluar këtë ligj, pasi me votimin e tij, po i hapin rrugë ndarjes së Kosovës. Mbi të gjitha, ky ligj nuk do duhej të ekzistonte fare pasi frenat e dialogut do të duhej t’i merrte qeveria e jo presidenti apo kuvendi”, është shprehur Islami.

Ai mendon se LDK po frikësohet për të marrë vendime të mëdha dhe vetëm është e zhurmshme. Islami për më tepër ka thënë se këto ligje janë vetëm mashtrim për qytetarët e Kosovës, pasi nuk do mund ta ndalin presidentin Thaçi nga ideja e tij për korrigjim kufijsh.

“LDK-ja është frikacake në vendime të mëdha, ajo vetëm sa e bën shumë të zhurmshme një punë, mirëpo nuk ka guxim që ta marrë hapin përfundimtar. Gjithashtu, fërkimet e disa zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës me zyrtarë të koalicionit qeverisës, madje edhe me presidentin Thaçi, kanë bërë që LDK-ja të jetë e luhatshme si parti dhe të ndryshoj qëndrime sa hapë e mbyllë sytë. E përsërisë edhe njëherë se, vetëm protestat janë zgjidhja e vetme për ta ndalur Thaçin nga ideja e tij për shkatërrimin e Kosovës. Miratimet e këtyre ligjeve si ky i dialogut, janë vetëm një mashtrim për opinionin pasi që ato nuk do mund ta ndalin Thaçin nga ideja e tij që është afër realizimit. Krejt çka po e ndal Thaçin për momentin, është taksa e vendosur nga kryeministri Haradinaj për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë”, ka thënë Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat