Qeveria Haradinaj në udhëkryq të madh

Politika

Qeveria Haradinaj në udhëkryq të madh

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 mars 2019 Në ora: 10:24
Pamje nga seanca e votimit të Qeverisë Haradinaj, shtator 2017

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tash e një kohë të gjatë është duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo parti vazhdon të insistojë se së shpejti Qeverinë “Haradinaj”, do e testojë me një mocion mosbesimi.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se LDK do ta procedojë mocionin e votëbesimit për Qeverinë Haradinaj, në momentin që i bënë 61 vota, por se nuk pranon kushte nga askush.

Këtë deklarim të shkurtër i pari i Grupit Parlamentar të LDK-së e bëri pa dhënë ndonjë sqarim shtesë, se kush po kërkon kushte për ta rrëzuar qeverinë.

“LDK do të procedojë me mocion të votëbesimit ndaj Qeverisë së PAN-it në momentin që sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Por, nuk pranon asnjë kushtëzim nga askush”, ka deklaruar Hoti i LDK-së

Nga partia më e madhe opozitare për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se partia e tyre është në angazhimin e saj të përditshëm për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”. Ndërsa, edhe e kanë bërë të qartë se deri më tash ngritja e mocionit nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së votave të duhura.

Nga ana tjetër, analistët politikë, konsiderojnë se roli opozitar është më se i kuptueshëm që në vazhdimësi të insistojë për rrëzimin e qeverisë dhe të kërkoj zgjedhje të parakohshme. Sipas tyre, këto paralajmërime të LDK-së janë bërë pjesë normale e diskursit opozitar, por pa asnjë lëvizje konkrete.

“LDK në angazhimin e saj të përditshëm angazhimin për rrëzimin e qeverisë”

Image
Imet Rrahmani

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e tij është në angazhimin e saj të përditshëm për rrëzimin e qeverisë aktuale.

“LDK ka në angazhimin e saj të përditshëm angazhimin për rrëzimin e qeverisë, kuptohet duke besuar edhe në mbështetjen e partive tjera opozitare. Por deri tash ngritja e mocionit nuk ka ndodh për shkak të mungesës së votave të duhura. Rrethanat politike të krijuara kohëve të fundit e kanë bërë të domosdoshme ndryshimin në qeverisje”, ka thënë Rrahmani.

Deputeti i LDK-së konsideron se situata aktuale në vend ka ngjallë pakënaqësi edhe te deputetët e pozitës gjë që po vërehet te deklarimet publike lidhur me zhvillimet e fundit.

“Kjo situatë aspak e mirë besoj se ka ngjallë pakënaqësi edhe te deputetët e pozitës gjë që po vërehet te deklarimet publike lidhur me dialogun, taksën dhe çështje tjera me rëndësi. Si do të vazhdohet tutje unë nuk mund të e them tash por personalisht kam qenë që mocioni të ngritët edhe shumë kohë më herët e lerë më tash kur çdo gjë është kthyer mbrapsht”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani.

Preteni: Qeveria “Haradinaj” është në një udhëkryq të madh

Image
Musa Preteni

Politologu, Musa Preteni, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se paralajmërimet e subjektit më të madh janë bërë pjesë normale e diskursit opozitar.

“Roli opozitar është mëse e kuptueshme që në vazhdimësi të insistojë për rrëzimin e qeverisë dhe të kërkoj zgjedhje të parakohshme. Por tashmë këto paralajmërime të LDK-së janë bërë pjesë normale e diskursit opozitar por pa asnjë lëvizje konkrete në këtë drejtim, gjë që ka bërë që edhe Haradinaj të ndihet komod në pozitën e tij. Konsideroj që Qeveria Haradinaj nuk është e rrezikuar nga LDK që si duket nuk ka kapacitet të krijojë konsensus opozitar për rrëzimin e Haradinajt”, ka thënë Preteni.

Tutje, Preteni ka shtuar se qeveria aktuale është në një udhëkryq të madh, por jo për shkak të opozitës mirëpo për shkak të vendimeve të saj dhe raporteve me partnerët qeverisës.

“Qeveria Haradinaj është në një udhëkryq të madh por jo për shkak të opozitës mirëpo për shkak të vendimeve të saj dhe raporteve me partnerët qeverisës. Fundi i qeverisë vije nga PDK, që si duket ka dëshirën për rrëzimin e Haradinajt por nuk ka guximin pasi që ndihet e papërgatitur për të hyrë në zgjedhje”, ka përfunduar politologu, Musa Preteni për gazetën “Bota sot”.

Kadriaj: Opozita nuk e ka guximin

Image
Mustafë Kadriaj

Ndërsa, analisti politik, Mustafë Kadriaj, konsideron se opozita aktuale nuk e ka pasur guximin asnjëherë të marrë një hap për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë “Haradinaj”.

“Parimisht nuk besoi sepse Lista Serbe është në qeveri po ashtu për nga numrat që nga fillimi ka qenë kjo qeveri me risk të madh, por nuk ka pasur guximin opozita më e marrë një hap për mocion të mosbesimit. Më shumë mendoj është një zhurmë nga ana e shefit të Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti”, shprehet Kadriaj.

Kadriaj shton se hapin e mosbesimit do ta bënte vetëm kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në koordinim me partitë tjera.

“Avdullah Hoti mund të reflektojë me ide për çështje ekonomike, por më se paku me kërcënime për rrëzimin e qeverisë, sepse timonin e LDK-së e ka profesor Isa Mustafa. Kështu që edhe nëse do merrte një hap për mocion të mosbesimit këtë e bënë Isa Mustafa në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe me partitë në opozitar në vend ose edhe nga partitë e koalicionit”, ka thënë ai.

Në fund, ai nënvizon se shefi i GP të LDK-së po tenton të faktorizohet brenda LDK-së duke ditur që zgjedhjet e brendshme jam afër.

“Me këtë dua të theksoj që Hoti po tenton të faktorizohet brenda LDK-së duke ditur që zgjedhjet e brendshme jam afër duke u paraqitur njëherit si një kandidat për të parin e LDK-së edhe pse ka pak gjasa që të merr timonin e LDK-së”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Lista Serbe është shprehur e gatshme të votojë për rrëzimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt, nëse opozita siguron 51 vende në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar deputeti i kësaj partie Igor Simiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat